Histori

Koço Kotta, ish-Kryeministri që s’ka ende varr - Nga Klodi Stralla

Mes 10 kryeministrave shqiptarë, të vrarë apo të vdekur në rrethana të dyshimta, 6 prej të cilëve nuk kanë ende varr është edhe Kostaq (Koço) Kotta. Ai, mbase, është korçari që ka patur më shumë se kushdo tjetër detyra e ofiqe qeveritare në periudhën 1912-1939: Kryetar Parlamenti, dy herë kryeministër, disa herë ministër, deputet, prefekt, inspektor arsimi, mësues. Një figurë që, historiografia komuniste dhe periudha pas saj, e ka lënë qëllimisht në hije. Kohët e fundit një monografi e një të afërmi të tij, Harallamb Kotta, “Koço Kotta - për një Shqipëri oksidentale” është një kontribut me vlerë dhe me interes historik.

U lind në Korçë në 1889, në një familje me tradita atdhedashëse. Shkollën fillore dhe gjimnazin grek i kreu në qytetin e lindjes. Familja e dërgon në Athinë për të ndjekur studimet në mjekësi, të cilat nuk i përfundon dhe për disa vite emigron në SHBA, ku e gjejmë aktiv tek Federata Panshqiptare “Vatra”. Në fund të 1912-ës kthehet në atdhe dhe me krijimin e shtetit shqiptar, më 1913, ëmërohet Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, nën drejtimin e Luigj Gurakuqit. Në kohën e Princ Wied-it (1914) është përsëri funksionar në administratën e tij, si inspektor i shkollave për Beratin.

Më 1920 merr pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës, duke qenë ndër themeluesit e Partisë së Popullit, parti pro-zogiste. Në vitet 1921-1923 është prefekt i Beratit dhe që nga viti 1923 e në vijim vazhdimisht deputet i Korçës dhe anëtar i Asamblesë Kushtetuese.

Gjatë rebelimit të qershorit 1924 arratiset në Greqi dhe organizon trupat në Follorinë e Janinë për të hyrë përsëri në Shqipëri në dhjetor të vitit 1924. Në 1925-1939, Ministri i Punëve Botore, Ministër i Punëve të Brendshme, dy here Kryeministër gjatë periudhës 1928-1930 dhe më 1936-1939.

Pushtimi Italian e gjen në detyrën e kryeministrit që e kundërshtoi pushtimin dhe urdhëroi të bëhej ajo rezistencë modeste që u bë gjatë zbarkimit në portet tona. Emigron në Greqi dhe kërkon aty azil politik. Me pushtimin gjerman kthehet përsëri në Shqipëri dhe është anëtar aktiv i Legalitetit.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjen përsëri në Greqi. Aty rrëmbehet nga forcat komuniste dhe sillet përsëri në atdhe. Më 1 mars 1945 në Tiranë hapet Gjyqi special kundër 60 personave të cilësuar si “kriminelë lufte”, me akuzën se kanë përgatitur pushtimin fashist dhe kanë bashkëpunuar me pushtuesit për shtypjen e Lëvizjes Nacional Çlirimtare ku njeri prej tyre ishte edhe Koço Kotta.

Gjykata Speciale e Tiranës, me kryetar Koçi Xoxe, e dënon me burgim të përjetshëm. Vdes në burgun e Burelit në rrethana të dyshimta në vitin 1949.

Ndonëse kanë kaluar 29 vjet nga rënia e komunizmit, askush nuk di se ku janë eshtrat e tij. Një rast tjetër ky i një personaliteti të lartë shqiptar që nuk i dihet ende varri.