Histori

Beteja e dytë Kosovës, 16 Tetor 1448 - Nga Jahja Drançolli

Në ditën e sotme, më 16 tetor 1448 është zhvilluar Beteja e Kosovës, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Europës Mesjetare.

Derisa, për Betejën e Kosovës të vitit 1389, historiografia e sotme ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitizuar, në anë tjetër Beteja e Kosovës e vitit 1448, sipas burimeve historike të kohës, konsiderohet si njëra ndër betejat më të njohura të ndodhura në Europën Mesjetare. Së këtejmi, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e inspiruesve të luftërave kundërosmane në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeun. Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë mejdan midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Huniadi dhe ushtrisë osmane me në sulltan Muratin II. Arbërit me në krye Skënderbeun qenë në anën e aleancës europiane.

Në verë të vitit 1448, pasi kishte tubuar reparte hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Huniadi kishte kaluar Danubin dhe doli në Krushevac. Që këtej, arriti në Kosovë. Në anën tjetër, Murati II, pasi ishte informuar nga despoti Brankoviç, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe në Sofje kishte tubuar rreth vetes të gjitha repartet, të cilat numëronin 50.000-60.000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri i tyre del i trefishuar. Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrinin 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta treditëshe mbaroi me disfatën e ushtrisë së aleancës.

Premtimet që i kishte dhënë Skënderbeu për tu angazhuar në anën e aleancës së krishterë, e kishin trimëruar Huniadin, që të nxitonte për tu ndeshur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për ketë përplasje provohet sipas burimeve zyrtare dhe tregimtare. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut si dhe rrjedhave e pasojave të betejës, burimet e kohës, ofrojnë hollësi për vonimin e arbërve për tu bashkuar me trupat hungareze. Shkak kryesor i vonimit të Skënderbeut ishin pengesat e despotit Brankoviç, aleat i dhëndrit Murati II, që ia mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte.

Pjesa e madhe e burimeve, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave për epilogun, janë ruajtur hollësi dhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi kishte marrë rrugë për në jug jo larg Fushë-Kosovës, u ndesh më Skënderbeun, që ishte nisur ti bëhej shok lufte Huniadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vushtrrisë, u përpoq me duk Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit. Tërheqin vëmendjen sidomos burimet që dolën pas betejës, të cilat sëbashku me epikën popullore kanë ngatërruar personazhet e Betejës së Parë me ato të Betejës së Dytë të Kosovës. Si shembull, këtu, duhet shikuar vepra me përmasa evropiane e humanistit raguzan, Mauro Orbini (1601), e ndonjë tjetër pas tij...