Histori

Shkolla Normale e Elbasanit, miti dhe e ardhmja - Nga Tomorr Plangarica

Rastet kur emri, jeta, veprimtaria, kontributet dhe vlera e një institucioni arsimor shndërrohen në ndërgjegjen e një komuniteti, një populli, një kombi në mite janë fatlume dhe kjo mënyrë e perceptimit të vlerave edhe në kohët moderne vetëm se ia shton ngarkesat pozitive dhe shkëlqimin historisë së institucionit përkatës, e bën atë veprues edhe në epoka ku shumëçka ka ndryshuar, por fryma për zhvillim, përshpejtimi i ritmeve për të arritur kuota sa më të larta të së ardhmes janë të pranishme në vazhdimësi.

“Mitet tona aktuale drejtojnë njerëzit për t’u përgatitur në një luftim...”  , - vëren G. Sorel-i. Si të tilla, mitet që mveshin me një aureolë shenjtërimi dhe sublimiteti institucionet, veçse na shtyjnë më tej drejt njohjes së tyre dhe mesazheve që ato emetojnë, për të na ndihmuar për të ardhmen.

Një ndër këto raste fatlume, ku vlerat e prodhuara nga një insitucion (bile edhe vlerat hipotetike që synohej të prodhonte ai institucion, qysh në lindje të tij) kanë mundësuar fillesat e mitit mbi të, është Shkolla Normale e Elbasanit, që i hapi dyert e saj më 1 dhjetor 1909.

Nëse për mitet nuk flitet për prejardhje, por për lindje, atëhere ky akt është sublim në fillesë dhe në ngjizje edhe kur brendia e tij do të përfshijë vlerat e një institucioni arsimor. Nga ana tjetër, ky akt është i vetëmjaftueshëm në rrethana të caktuara, të cilat i parakupton me të njëjtin sublimitet dhe ngjyresë. Ato ekzistojnë, gjithsesi, të fuqishme, duke përvijuar realitete konkrete që do të mundësojnë prodhimin e vlerave përkatëse.

Miti i Normales u përvijua si i tillë bashkë me jetën e institucionit, por, për shumë arsye e kushte tepër të veçanta të realitetit shqiptar të asaj epoke, vetë institucioni lindi së bashku me mitin e tij.

Në historinë e një kombi që vinte prej një terri shumëshekullor, që në dhjetëvjeçarët e fundit po përvijonte rilindje politike, ideologjike, por edhe shpirtërore e kulturore, lindja e një institucioni të tillë ishte si lindja e një dielli në sistemin e tij planetar të kulturës e interesave shpirtërore, ndryshe nga ndriçimi që mund të vinte i qartë ose jo, por gjithsesi i reflektuar, nga sisteme të tjera diellore kulture apo vlerash shpirtërore.

Planetet e kulturës, dijes, shpirtit, arsimit dhe zhvillimit, tashmë do të ngroheshin e gjëllinin falë edhe kësaj drite dhe ndriçimi. Realiteti kozmik i shpirtit të shqiptarit në atë fundshekull kërkonte dhe vlerësonte diejt dhe planetet që i mundësonin ekzistencë dhe zhvillim. Dhe është interesante të vërehet se mitizimi i institucionit qysh në lindje të tij perepetohet i tillë.

Po të mbështetemi në mendimet e teorikëve të kulturës dhe antropologëve, Malinovskit dhe Lévi- Strauss-it, si dhe të interpretuesit të shkëlqyeshëm të miteve, Mircea Eliade-s, se "miti e ka mbështetjen në realitet, në një fillim të caktuar", do të pohonim se vetë realiteti i asaj periudhe e parakuptonte dhe kultivonte këtë mit.

Me një oratori dhe elokuencë që të kujtonte oratorët e Greqisë dhe Romës antike, humanistët dhe iluministët europianë, klasikët, por edhe modernët, Luigj Gurakuqi do ta përcaktonte mitin e institucionit që po themelohej përmes mitemave të njëpasnjëshme. Në konceptimin prej tij të vlerave hipotetike të Normales, do të ishin pranë e pranë universi tokësor dhe ai kozmik, antikja dhe modernia, materia dhe fryma, shpirti dhe ndërgjegjja, amaneti dhe profecia. Me frymën e atdhetarit, ai do të përcaktonte vlerën kombëtare të institucionit; me frymën e humanistit dhe iluministit, ai do të përvijonte hapësirat e gjera të dijeve e kulturës që do të pushtonte ky institucion, duke përvijuar, njëkohësisht, profecitë që dhjetëvjeçarët e ardhshëm do t’i vërtetonin; me konceptet e pedagogut, ai do të përcaktonte misionin arsimor të insititucionit. Në atë ditë solemne, L.Gurakuqi thekson:

“Dita e sotshme, kjo ditë e bardhë e plot hare, që gdhinë sot mbi qytetin tonë, do të mbetet si një ditë e madhe, si një ditë e shqueme e paharrueshme në histori të kombit tonë, do të qëndrojë si një kremte e shenjtë e përjeteshme, e cila do të lutet me nderime me brohorite, babë mbas babe e djalë mbas djali, ndër kohrat e panumëruar dhe që do të vijn e gjer në jetë të jetës... Me këtë shkollë të madhe për mësonjës, që ishte dëshira e shpresa e të parëve t’onë prej vjetësh kombi shqiptar po mbjell farën e ditunies, po hedh themelin e mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e te vullnetshëm që do të përhapin dritën ndër ato ma t'artat vise, do të dalin ato burra njeridashës, të cilët, si Orfeu e si Amfioni, me urterien e me ambëlsien e fjalëve e të këshillavet të veta do të zbutin egërsirat, do të tundin currat e shkambinjt, do të qytetërojnë e t'afrojnë njerëzit e t'i bajne që të duhen e të ndihmohen si vëllau me vëllanë.

I madh e i parrëfyeshëm asht pra sot gëzimi i jem, o zotërinj të ndershëm, që pata fatin e bardhë të ndodhem ndë mest t'uaj e të marr pjesë nde haren e madhe që sot ju ndien zembera, tepër i lartë asht nderi që më dhuroi i hyjmëshmi Perëndi, që të numurohem edhe unë një nga punëtorët e parë që do të përpiqen e do të derdhin djersën e vet për rreth kësaj ndërtese të madhe... E jo vetëm Shqypnia e gjallë, o zotnij të ndershëm, merr sot pjesë ndë gëzimin t’onë, po bashk me të lëkundet e brohoritë edhe Shqypnia e herëshme, edhe ata etnit t’anë që u përkujdesnë aqë fort për gjuhë e për kombësi, edhe ata po gëzojnë sot e kënaqen për një herit me ne; e brenda varreve t'errta e të ftohta eshtnat e kocinjtë e tyne sot tunden e djersijnë, e një gjamë e lehtë e ndëpër dhe e përshkon ant e kant viset t’ona, zgjon nga gjumi i thellë të vdekurit t’anë e u rrëfen me gëzim ndodhjen e madhe...’

Shfaqet para nesh një univers i tërë që lëviz, që kërkon dhe do të gjejë dritë, ndriçim, diell, një univers i tërë midis reales dhe mitit.

"Miti është në fillim një ndërtesë me shumë kate në të cilën të gjithë ato kate riprodhojnë të njëjtën skemë, por në nivele abstraksioni në rritje", - thekson Michel Turnier. -Në një nivel më të lartë është një teori e njohjes, në një kat më të ngritur akoma, kjo e bën morale brendinë e tij, pastaj metafizike, pastaj antologji etj., pa pushuar së qeni e njëjta histori.”

Edhe miti për Normalen, duke nisur ndoshta qysh në atë çast të “fillimkremtimit” të saj, u kultivua dhe u përvijua në vijimësi. Në këto raste mitet përvijohen, kur realitetet, si pasojë e energjive gjeneruese të institucionit, prodhojnë kontribute në sferat e drejtpërdrejta të interesimeve dhe funksionit të institucionit, por, sidomos, edhe jashtë tyre.

Miti për Normalen ishte rrjedhojë jo vetëm e receptimeve të vlerave që lidheshin me funksionet arsimore e edukative të institucionit, por sidomos e receptimit të intensitetit dhe përmasave të vlerave që i tejkalojnë së tepërmi ato funksione. Pikërisht zgjerimi i përmasave dhe thellimi i funksioneve mundëson mitin.

Pergjithësisht shkollat normale në Europë, por edhe në SHBA, kanë lindur si shkolla publike, popullore, me një funksion të përcaktuar, rrjedhojë të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe si insitucione që do të kryenin një funksion tepër human: “të restauronin mendjen njerëzore". 

Duke qenë edhe ky një funksion i shenjtë e fisnik, shkollat e kësaj natyre përvijuan historinë e tyre, duke lënë gjurmë në zhvillimin e sistemeve arsimore të vendeve përkatëse, duke ndikuar dhe duke u ndikuar reciprokisht edhe nga njëra-tjetra, nga njëri vend te tjetri, nga njëra hapësirë në tjetrën.

Normalja e Elbasanit, si shkollë e atij tipi, i synoi ata parametra të  shkollave europiane e ballkanike, por qysh në fillesë ishte krijuar me një gamë shumë më të gjerë funksionesh dhe synimesh. Mjedisi shqiptar, realiteti shqiptar i gjysmës së parë të shekullit tonë ndikuan që ky institucion të ishte akoma më polivalent, më i shumëvlershëm: do të ishte njëkohësisht shkollë popullore dhe elitare; do të ishte njëkohësisht mundësi shkollimi për nivele të caktuara moshore, por edhe akademi, institut pedagogjik apo universitet për atë kohë; do të ishte institucion mësimor, por edhe instituti kërkimor në fushën e psiko-pedagogjisë dhe shkencave të zbatuara; do të zbatonte teoritë psiko-pedagogjike dhe njohuritë e disiplinave të shkencave të ndryshme, por do të kërkonte e ndërmerrte edhe studime në këto fusha në terrenin shqiptar; do të sillte mendimin shkencor botëror te nxënësit a studentët, por do të përvijonte edhe stilin shkencor dhe terminologjinë shkencore të shqipes në ato fusha, duke bërë që autorët më në zë botërorë të flisnin edhe shqip; do të nxiste aftësitë krijuese e kërkimore shkencore të nxënësve a studentëve, por do t’u jepte atyre edhe tribunën ku ata do të përfaqësoheshin, revistën e tyre; do t'i formonte studentët e vet me dije shkencore, por edhe do t'i tërhiqte pandërprerë pranë kësaj vatre, edhe pse ata shkëlqyen në institutet a universitetet e Europës dhe iu kërkua të punonin dhe lektoronin atje; do të mëkonte patriotizmin, ndjenjën e atdhedashurisë e lirisë dhe do të sillte kontribut konkret më shumë se çdo institucion tjetër arsimor në ndihmë të kombit; do të synonte restaurimin e mendjeve të njerëzve dhe do të formonte konkretisht elementet e organizimit dhe funksionimit të institucioneve apo strukturave të shoqërise civile (shoqatat e ndryshme); do t'i krijonte hapësirat më të mëdha mësimit të kulturës dhe qytetërimit shqiptar, por do t'i jepte vendin e duhur edhe mësimit të kulturës dhe gjuhëve të vendeve prej të cilave kishin ç'të mësonin; do të synonte formimin sa më të plotë teorik të studentëve, por, në të njëjtën kohë, e njëjta rëndësi do t'i kushtohej mësimdhënies si art, aktivitetit praktik dhe didaktikës së çdo lënde; do të hartonte planet dhe programet mësimore, të cilat ishin të krahasueshme me ato ballkanike, por edhe europiane dhe, njëkohësisht, në të shumtën e lëndëve dhe disiplinave do të hartoheshin dhe tekstet përkatëse; do të theksohej rëndësia e eksperimentimit pedagogjik dhe, njëkohësisht, do të hapej dhe funksiononte duke prodhuar vlera edhe shkolla ushtrimore pranë Normales.

Nëse individët, mësuesit, kërkuesit e shkencëtarët përfaqësojnë edhe komunitetin ku punojnë e eksperimentojnë, atëherë, me gjuhën e fakteve mund të pohojmë se ky institucion ka vënë gurë themeltarë në disa fusha të mendimit shkencor shqiptar në ato fillime të vështira të tij, si në fushën e psiko-pedagogjisë, gjuhësisë së zbatuar, gjeografisë, historisë, mësimdhënies së matematikës, fizikës, gjuhëve të huaja, leximit letrar, lëndëve të edukimit fizik e artistik etj.

E pra, në këto kushte, prandaj pohojmë se ky institucion nuk ishte vetëm një shkollë e mesme, por njëkohësisht një akademi, një institut, një universitet, një editor, një komunitet atdhetar e patriotik... një vlerë e paçmuar kombëtare. Ishte ky koncept që mbizotëroi qysh në kohën kur ai u themelua, ndaj, krahas me themelimin e institucionit, pati fillesat edhe miti për të.

Por miti për Normalen në rrjedhë të viteve shfaq edhe një veçanti tjetër, të kushtëzuar nga rrethana politike, ideologjike. Nëse deri në vitet ’40, me jetën e vlerat e saj Normalja perceptohej edhe përmes pikëvështrimesh mitizuese, perceptimi i vlerave në vitet e pas-Luftës së Dytë Botërore do t'i nënshtrohej një sistemi rivlerësimi, rikonsiderimi, rindërtimi. Në planin teorik kjo është e shpjegueshme, pasi mitet jetojnë në histori si kategori që i nënshtrohen receptuesve të tyre, gjithnjë e në ndryshim e evoluim.

Në këtë proces evoluimi, procesi i mitizimit në hapësirën paradigmatike të vlerave të Normales, përzgjedh dhe fokuson dukuri të tjera, duke çmitizuar e mitizuar sërish. Tashmë mitizohet ngjarja, pa aktorë, mitizohet vlera, pa prodhuesit e saj, mitizohet institucioni, pa brendinë, pa kahjet dhe synimet, bile mitizohet institucioni edhe pa historinë e tij.

Në kohët moderne mitet bashkëshoqërojnë kulturën dhe moralin, por si shtysa për të krijuar realitete funksionale. Në këtë shekull, ku dukuria e mitizimit dhe çmitizimit na bashkëshoqëron edhe për arsye ekstrakulturore dhe esktraetike, do të ishte e logjikshme që miti mbi Normalen të na shërbente si shtysë për të ndërtuar dhe përvijuar realitete të reja. Nga ky këndvështrim mitet ofrojnë vlera, kur ndihmojnë për realitete të reja. Por, padyshim, ato ofrojnë frymë dhe jo gjedhe të gatshme, ofrojnë vlera morale, por jo dije dhe njohuri të zbatueshme, ofrojnë edhe përvojë, por jo klishe dhe shabllone që mund të përdoren drejtpërdrejt.

Pikërisht nga ky këndvështrim miti i Normales ka ekzistuar dhe ekziston si i tillë edhe në ndërgjegjen intelektuale të aktorëve të sotëm elbasanas, kujtoj, të cilët priren të kapin dhe përvijojnë frymën e vazhdimësisë.

Duke ndjerë në nënvetëdijë, por edhe vetëdijë këtë frymë, do të mendoja se e ardhmja do të duhet të na gjejë të pranishëm në realitetetë reja në koncepte, strukturë dhe vlera në Universitetin e Elbasanit, si vazhdues i drejtpërdrejtë i Normales.

Ky shekull ka nevojë për guxim intelektual, hapësira të reja intelektuale e veprimi, individë të formuar që i përballojnë sfidat, sepse për to investon shoqëria përmes arsimimit të vërtetë; ka nevojë, gjithashtu, për shoqërinë e emancipuar, që shkon pëpara sepse për të investojnë individë të arsimuar.

Shkolla Normale dhe miti për të na sjellin mesazhin se patriotët, mendimtarët, intelektualët e fillimshekullit XX, duke themeluar në Elbasan një institucion të tipit "shkollë normale", ditën të kapin mesazhet dhe të kuptojnë "lajmëtarët" e së ardhmes dhe të përdorin traditën në funksion të së ardhmes. Koha që po jetojmë nuk do të ketë nevojë për flijime intelektuale, shpirtërore a shkencore, por do të ketë nevojë për universitarizimin real të arsimit lë lartë.

Nëse miti për Normalen gjëllin duke u shfaqur e rishfaqur, duke u përtërirë e ripërtërirë në këtë truall që e lindi së bashku me vetë institucionin, kjo do të thotë se ky truall vijon të jetë kontekst i atyre vlerave dhe kontributeve që lindin e zhvillohen për qëllime e funksione sublime, siç është arsimimi, prirja drejt zhvillimit, kultivimit të ndjenjës kombëtare, si dhe universalizmit. Për më tepër, kjo do të thotë se ky kontekst dhe ky realitet parakuptojnë dhe kërkojnë vlera dhe realitete të reja në fushën e arsimimit, përvijimi i të cilave do të na bënte fatlumë, nëse brezat e ardhshëm do t’i perceptonin me aureolën metaforike të mitit.

Hera-herës epokat kërkojnë çmitizimin a shenjtërimin e mitit, por herë të tjera edhe riaktualizimin e tij. Riaktualizimi i mitit të Normales përbën vlerë, pasi edhe një herë na kujton të receptojmë me kujdes lajmëtarët e së ardhmes, fillesat e mitit për Normalen.

Por, nëse çdo kohë ka të përvijuar realitetet konkrete dhe prirjen drejt së ardhmes, lajmëtaret që vijnë prej së ardhmes dhe duhen perceptuar si të tillë, padyshim që janë jo të njëjtë. Suksesi në këtë përzgjedhje dhe perceptim mund të jetë fillesë e aureolës së mitit në përhershmëri.

Ndaj nga ky këndvështrim na duket e rëndësishme të shihet me guxim përpara, për krijimin e një statusi real universitar të UE "A.Xhuvani", si vazhdues i drejtpërdrejtë i Normales.

Prej kohësh kemi krijuar bindjen se një ndër modelet që mund të studiohen dhe aplikohen, për t’i mundësuar UE “A.Xhuvanit” hapësirat e nevojshme për zhvillime komplekse, për përgatitjen e mësuesve, por domosdoshmërisht edhe të specialistëve në fushat përkatëse humanitare, është modeli francez i arsimimit dhe përgatitjes së mësuesve, por edhe specialistëve në Universitete dhe Institutet Universitare të Formimit të Mësuesve (IUFM).

Përvetësimi i filozofisë së strukturimit e funksionimit të tyre dhe përshtatja me treguesit aktualë të zhvillimit tek ne janë të mundshme, e për më tepër, me koeficientë të lartë të suksesit të garantuar.

Duke mos mohuar edhe modele të tjera europiane, që mund të jenë gjithashtu të efektshme, e rëndësishme është të lëvizim, të mendojmë, të veprojmë me guxim.

E ardhmja nuk fal, justifikimet janë vetëm motivime banale të së tashmes, por jo të së ardhmes.

Burimi: Arkivi Digjital Elbasan