Histori

Përplasja e Fuqive të Mëdha për territoret shqiptare dhe komploti i Beqir Grebenesë - Nga Klodi Stralla

Nga: Klodi Stralla

Në të gdhirë të 9 Janarit 1914 në skelën e Vlorës zbarkoi anija austriake "Moran" me 200 ushtarë në bord, të kamufluar si udhëtarë, e pajisur me armë e municione luftarake, me një mision të fshehtë. Pasi të pushtonin qytetin do të shpallnin Izet Pashën, një personalitet i njohur i Portës të Lartë, Mbret të Shqipërisë, duke e pozicionuar Shqipërinë, në aleancë me Turqinë dhe Bullgarinë, kundra Greqisë dhe Serbisë. Por serbët e “nuhatën” komplotin dhe konsulli serb në Vlorë, Gavriloviç, njoftoi urgjentisht Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) që t'i ndalonte forcërisht.

Kështu, ende pa zbarkuar nga anija, u arrestuan nga milicia holandeze që vepronte në Vlorë të 200 ushtarët, së bashku me komandantin, Beqir Grebeneja, si dhe u konfiskua armatimi i tyre. Urgjentisht, Gjykata Ushtarake e kryesuar nga gjenerali hollandez De Veer e dënoi Beqirin me vdekje, por ndërhyrja e autoriteteve turke bëri që në Gusht 1914 ai të lirohet. Më pas, ai u vra në Dhjetor 1914 në frontin e Kaukazit, në kuader të Luftës së Parë Botërore që posa kishte shpërthyer.

Nga kjo ngjarje, që njihet si komploti i Beqir Grebenesë, në 21 janar 1914, Ismail Qemali, i dyshuar se kish dijeni për komplotin, me kërkesën e KNK-së dha dorëheqjen si Kryeministër, duke i hapur rrugën gjermanit Vilhelm Wied të caktuar nga Fuqitë e Mëdha si Mbret i Shqipërisë.

Beqir Grebeneja (1882-1914) ishte një ushtarak karriere i Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare. Gjatë Luftës Ballanike i ati, e ëma dhe dy motrat e tij u vranë barbarisht nga grekët dhe kjo e pozicionoi drejt idesë që shqiptarët, bullgarët dhe turqit duhet të bashkëpunonin kundër armikut të tyre të përbashkët, grekëve dhe serbëve. Si emisar i Izet Pashës, që synonte të bëhej Mbret i Shqipërisë të posaformuar, thuhet se kontaktoi edhe me Ismail Qemalin për krijimin e një fronti të përbashkët turko-shqiptaro-bullgar ku Shqipërisë i premtoheshin rikthimi i Kosovës dhe Çamërisë që Konferenca e Londrës (1913) ua kish dhënë Serbisë dhe Greqisë.

Ndonëse Fuqitë e Mëdha e përcaktuan shtetin shqiptar si: - “Shqipëria formohet si një principatë kushtetuese, sovrane, e trashëgueshme dhe neutrale, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha” (neni 1 i Statutit), ky neutralitet dhe sovranitet nuk u respektua asnjëherë prej tyre. Qysh me komplotin e Beqir Grebenesë u pa qartë se interesat mbi këtë territor, ishin dhe vazhdojnë të jenë të papajtueshme. Këtu, mendoj unë, duhet kërkuar çelsi shpjegues i gjithë historisë tonë një shekullore, ku konfliktet e brendshme ndërshqiptare janë pasqyrim i konflikteve të më “Të Mëdhenjve” në territoret tona.