Histori

Teodor Ruzvelt, një nga presidentët më popullorë të SHBA - Nga Albana Lifschin

Nga: Albana Lifschin

Nga paraqitja ishte një burrë i ngjeshur, me pamje babaxhani, me vetulla kaleshe mbi syzet, me mustaqe të varura, që e bënte shumë të lehtë punën e piktorëve humoristë. Ai ishte njeri me energji shpërthyese, vullkanike dhe në të njëjtën kohë karizmatik. Nuk e kishte lënë boksin, për të cilin qe dalluar në rini; lozte futboll në fushën përpara Shtëpisë së Bardhë dhe shkonte në Kolorado për gjueti. Fëmijët e tij rrëshqisnin mbi parmakët e shkallëve në Shtëpinë e Bardhë, luanin me kafshët, madje për ta sollën edhe një kalë. Amerikanëve u pelqente presidenti dhe familja e tij.

Si u bë president i SHBA, Ted Ruzvelti? Atij nuk iu desh të kalonte nëpërmjet procesit të lodhshëm të fushatës elektorale. Le të kalojmë shpejt nëpër vite…

Në moshë të re, kur ishte 23 vjeç, Ted Ruzvelti u zgjodh në Dhomën e ligjëvënësve të shtetit të Nju Jorkut. Këtu Ted Ruzvelti u shqua për sulmet e tij kundër korrupsionit, siç shprehej ai "kundër klasës së pasur kriminale", dmth atyre që përpiqeshin të korruptonin drejtësinë nëpërmjet dhënies se ryshfeteve. Për ndershmërinë e tij Ted Rusvelti bëri emër e fitoi popullaritet dhe madje edhe respektin e shumë kundërshtarëve të vet.

Kur plasi lufta me Spanjën në 1898 ai dha dorëheqjen për tu bërë kolonel regjimenti në front. Ruzvelti u kthye fitimtar nga lufta duke i siguruar vetes një reputacion të madh. Si hero i luftës, Ted Ruzvelti ishte kandidati më i mirë për Partinë Republikane për postin e guvernatorit të Nju Jorkut. Megjithatë, për arsye të taksave që u vuri bizneseve të mëdha, guvernatori shumë shpejt bëri armiq edhe brënda partisë se tij. Atë kohë duke folur për marrëdhëniet me politikanët, Ruzvelti krijoi një thënie që u bë e njohur "Fol butë dhe me vete mbaj një shkop të madh."

Brenda një viti anëtarët e partisë se tij u ngopën me Ted Ruzveltin. Ata gjetën një mënyrë origjinale për ta hequr qafe. E emëruan si kandidat të partisë së tyre për zëvëndëspresident të SHBA. Mirëpo ndodhi e paparashikuara. Brënda pak muajve presidenti i atëhershëm, McKinley, u vra nga një atentat dhe Ted Ruzvelt në 1901 u bë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte në moshën 43 vjeçare, dhe presidenti më i ri i vëndit deri atë kohë.

Ted Ruzvelti filloi luftën kundër trusteve të mëdha. Megjithë të mirat e tyre, presidenti shikonte se trustet kishin dalë jashtë kontrollit. Ai donte që ato të ishin më të përgjegjshme. Në vjeshtën e vitit 1912, punëtorët e minierave të qymyrit të Pensilvanisë u përfshinë në një grevë të madhe duke braktisur punën, gjë që solli pasoja për çdo familje amerikane. Dimri po afrohej dhe njerëzit i trëmbeshin mungesës së ngrohjes. Presidenti ndërhyri të zgjidhte problemin Ai i ftoi përfaqësuesit e të dy palëve për bisedime në Shtëpinë e Bardhë për të vendosur stabilitetin. Minatorët fituan shumicën e kërkesave të tyre, përfshirë këtu edhe rritjen e rrogës.

Gjatë presidencës së Ted Ruzveltit kongresi amerikan kaloi mjaft ligje kundër trusteve dhe ndaj atyre që thyen këto ligje u hapën procese gjyqsore. Një gazetë e kohë shkruante: "Madje as Morgani nuk e sundon më botën si më parë dhe puna bëhet edhe pa i marrë leje atij". Sidoqoftë, megjithë simpatinë ndaj lëvizjes punëtore, Ted Ruzvelti ishte kundër radikalizmit dhe dhunës së udhëheqësve të sindikatave punëtore.

Në politikën e jashtëme ai gjithashtu ishte njeri i aksionit. Kur u pa që ndërtimi i kanalit të Panamasë që lidhte Pacifikun me Atlantikun po vonohej, ai mbështeti revolucionin në Panama dhe qeveria e re ra dakort që kanali të ndërtohej nga Shtetet e Bashkuara.

Ted Ruzvelt u zgjodh lehtësisht president në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Një nga arritjet e tij më të shquara si president ishte vendosja e paqes midis Rusisë dhe Japonisë për të cilën ai mori Çmimin Nobel për Paqen.

Kuriozitet: Historia e kukullës së preferuar të fëmijëve amerikanë "Teddy Bear", mban emrin e presidentit. Si ndodhi që kjo kukull trashëgoi këtë emër? Pas një gjuetie ku president Ted kishte refuzuar të vriste një ari që çalonte, një piktor humorist e skicoi ngjarjen. Një manifakturist bëri disa kukulla arushka dhe i kërkoi leje presidentit tu vinte emrin e tij. Presidenti babaxhan ra dakort.

Presidenti Ted Ruzvelt vdiq fare papritur në 6 janar të vitit 1919 në moshën 60 vjeçare