Histori

Epopeja e harruar e rrethimit dhe ngadhnjimit të Shkodrës - Nga Ardian Muhaj

Nga: Ardian Muhaj

Më 8 Tetor 1912 shteti i vockël i Malit të Zi, me një popullsi jo më shumë se 250 mijë banorë i shpallte luftë Perandorisë Osmane. Natyrisht projekti dhe synimi i Malit të Zi ishte jo lufta kundër kësaj perandorie por kundër territoreve shqiptare. Mali i Zi synonte që pas marrjes së shpejtë të Shkodrës të arrinte të pushtonte Prizrenin përpara se këtë ta bënte Serbia. Mirëpo punët nuk shkuan aspak sipas planeve shoviniste malazeze. Shkodra që pritej se do pushtohej shumë shpejt, e shumta një muaj, u bë pengesë e pakapërcyeshme për orekset e tyre shoviniste.

Sulmi i Malit të Zi mbi Shkodrën shënoi edhe nisjen e Luftës Ballkanike. Nga sulmi mbi Tuz më 9 Tetor, malazezët përparuan duke shkelur me zjarr e hekur, duke vrarë njerëz të paarmatosur dhe duke djegur shtëpi e deri edhe pemë e të korra. Më 11 Tetor ushtritë malazeze mbërritën deri në Zogaj në breg të Liqenit të Shkodrës mbasi u kishin vënë flakën fshtatrave njëri pas tjetrit. Menjëherë nisi kriza humanitare e refugjatëve dhe të zhvendosurve. Popullsia e kërcënuar e fshatrave u grumbullua në qytet ku fatmirësisht përveç forcave mbrojtëse nën komandën e valiut Hasan Riza Pasha, vetëm pak kohë më përpara më 3 Tetor kishin mbërritur edhe forcat vullnetare e rezerviste nën komandën e Esat Toptanit ose Esat Tiranës, prej rreth 6 mijë vetash nga Durrësi, Kavaja, Tirana, Kruja dhe Shijaku.

Këto forca ushtarake bashkë me luftëtarët e qytetit e të fshatrave u përgatitën për organizimin e mbrojtjes së qytetit dhe evitimin e masakrave malazeze. Kriza humanitare u shpalos me shpejtësi të madhe. Numri i popullsive të fshatrave që drejtoheshin drejt qytetit shtohej vazhdimisht ndërkohë që forcat malazeze përparonin duke masakruar popullsinë civile dhe duke djegur e shkrumbuar fshatrat shqiptare. Në fund të Tetorit malazezët tashmë e kishin rrethuar edhe qytetin duke u pozicionuar në fushën e Shtojit dhe madje kishin kaluar edhe lumin e Kirit dhe më 29 Tetor pozicionohen edhe në kodrat e Bardhajt. Shkodra ishte e rrethuar nga të gjitha anët tashmë. Ndërkohë numri i të vrarëve mbërriti shumë shpejt në mijëra dhe po ashtu me mijëra ishin të plagosurit. Këtyre u shtoheshin edhe tre mijë shqiptarë nga fshatrat e Shkodrës që mbaheshin robër në Podgoricë.

Mbas dështimit të përpjekjes së malazezëve në kodrat e Bardhajve, malazezët nisën bombardimin e qytetit me artileri të rëndë. Intensiteti i bombardimeve shtohej gjatë mbrëmjes, me synim jo vetëm për të masakruar popullsinë e Shkodrës por edhe për të terrorizuar njerëzit dhe dobësuar moralin e të rrethuarve. Njerëzit detyroheshin të kalonin natën jashtë nga frika e predhave.

Malazezët kishin shpresuar se Shkodra e rrethuar nuk do t’i bënte ballë shtetit të tyre dhe Fuqitë e Mëdha duke parë këmbënguljen e malazezëve për të marrë Shkodrën, ishin tashmë të bindura se Shkodra duhej t’i jepej Malit të Zi. Megjithatë qëndresa epike e të rrethuarve, nën udhëheqjen e Hasan Riza Pashës dhe Esat Pashë Toptanit, solli ndryshimin e kahut të historisë dhe njëkohësisht edhe ndryshimin e vendimit të Fuqive të Mëdha.[1]

Kaq lehtë ishte shpresuar të pushtohej Shkodra sa që në fillim të Nëntorit malazezët po bënin përgatitjet e fundit për ceremoninë e hyrjes triumfale në qytet. Ishin përgatitur uniformat festive, banderolat e flamujt, madje edhe banda muzikore kishte nisur provat. Por kjo do të ndodhte muaj më vonë dhe kur përpjekja epike e banorëve të Shkodrës me rrethina, e forcave ushtarake osmane dhe e forcave vullnetare nga zonat e tjera të Shqipërisë do të ndryshonin gjithçka, duke i detyruar Fuqitë e Mëdha që të pranojnë verdiktin e shkruar me gjak e vuajtje dhe Shkodra do t’i mbetej shtetit të cunguar shqiptar. Nga fundi i Dhjetorit një raport nga ambasadori austriak në Cetinë, pohonte se “qëndresa e paepur për mbrojtjen e Shkodrës ishte jo vetëm rezultat i armëve turke, por edhe një shembull i vendosmërisë me të cilën luftojnë shqiptarët për të mos e dhënë këtë qytet”.[2]

Ndërkohë që Shkodra nuk jepte shenja dobësie, të gjitha qytetet e tjera shqiptare kishin rënë apo binin njëri pas tjetrit në duart e forcave pushtuese ballkanike. Për shkak se malazezët ishin ndalur nga Shkodra, serbët kishin përparuar me shpejtësi të pandalshme në Kosovë, dhe mbasi kishin marrë Gjakovën e Prizrenin, të cilin e synonin malazezët, kishin zbritur me shpejtësi drejt Lezhës e Shëngjinit. Lezha e Shëngjini u sulmuan dhe mbas një lufte të ashpër, u morën një ditë më pas më 19 Nëntor. Forcat serbe vazhduan drejt Durrësit të cilin gjithashtu e pushtuan me shpejtësi disa ditë më vonë. Shkodra tashmë ndodhej e rrethuar nga të gjitha anët, pa asnjë mundësi komunikimi me zonat e tjera dhe nën zjarrin e kombinuar të malazezëve dhe serbëve.

Ky izolim total i qytetit u jepte forcave pushtuese një aleat shumë të rëndësishëm që ishte mungesa e ushqimeve dhe ilaçeve për të kuruar të plagosurit dhe të sëmurët. Nga fundi i Janarit u mbyllën edhe dyqanet e fundit ushqimore dhe filloi një periudhë zie buke e padëgjuar.

Me 30 Janar 1913 si pasojë e një atentati vdes Hasan Riza Pasha. Ata që e vranë, bashkë me planin për vrasjen kishin përgatitë edhe alibinë për të fshehur fajtorët dhe për të shumëfishuar efektet e vrasjes përmes nxitjes së përçarjes mes shqiptarëve, që vazhdon edhe sot. Çudia më e madhe, është se përgjatë gati një shekulli, janë përfolur shumë teori e alibi për vrasësit dhe arsyet e vrasjes, por askush nuk ka fajësuar malazezët që bombardonin ditë e natë me artileri të rëndë Shkodrën dhe që kishin masakruar fshatrat e krejt zonës së Shkodrës.

(Shkodër- Janar 1913. Gra e femijë të uritur duke pritur tek dera e Konsullatës Italiane për ndonjë racion buke. Rrethimi do zgjaste edhe katër muaj dhe ende nuk kishin nisur vdekjet nga uria, që nga fillimi i Marsit bëhen të zakonshme. Nga veshjet e grave shihet qartë se janë nga popullata e zhvendosur nga zonat jashtë qytetit dhe që kishin gjetur strehim në qytet nga masakrat malazeze e serbe.)

Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës nga dora malazeze, nga ata që kishin kërkuar dorëzimin e qytetit tek Mali i Zi akoma pa filluar rrethimi, drejtimin e qytetit të rrethuar e mori Esat Toptani ose Esat Pashë Tirana. Malazezët kishin shpresuar se mbasi arritën të vrasin Hasan Rizain, do të vrisnin edhe qëndresën e të rrethuarve, por ndodhi e kundërta. Pa kaluar disa ditë filloi periudha më e vështirë e rrethimit dhe lufta më e përgjakshme e përballjes. Më 5 Shkurt Esat Toptani u kishte thënë jo propozimeve malazeze për dorëzimin e qytetit. Më 7 Shkurt malazezët filluan mësymjen e përgjithshme. Bombardimet e pandërprera për orë të tëra të artilerisë u pasuan me sulmin e forcave ushtarake në llogoret e fushës së Shtojit, ku qëndresa ishte aq e fuqishme sa që për një gjysmë ore pushtuesit malazezë humbën 400 ushtarë.

Në anën tjetër 10 mijë forca ushtarake pushtuese sulmuan llogoret e linjës së mbrojtjes në Bardhaj. Në anën perëndimore të qytetit ra në duart e armikut Shiroka. Në fund të asaj dite të paharrueshme, por të harruar, në të gjitha frontet që u sulmuan, shqiptarët ia dolën t’u shkaktojnë humbje të padëgjuara forcave pushtuese. Ushtria shqiptare dhe osmane nën komandën e Esat Toptanit pati 700 të vrarë dhe njëmijë e shtatëqind të plagosur. Malazezët kishin humbur shumë më tepër ushtarë sepse luftonin në terren të zbuluar dhe nuk ia dolën të merrnin asnjë pikë strategjike.

Akoma më të ashpra luftimet u zhvilluan në ditët në vijim. Më 8 Shkurt artileria e rëndë e bombardoi pa pushim qytetin dhe malazezët ia dolën të marrin linjën e jashtme të llogoreve të Bardhajve, duke e paguar shumë shtrenjtë. Qindra të vrarë e të plagosur për një avancim minimal në vijën e frontit. Më datën 9 Shkurt ishte radha e forcave serbe të pozicionuara në jug të qytetit për ta provuar dështimin e merituar. Mësymja e forcave serbe kundër forcave të rrethuara rezultoi në një nga humbjet më të mëdha të ushtrisë serbe në Luftën Ballkanike. Njëmijë e tetëqind ushtarë serbë që tentuan të hynin në qytet për të mbjellë vdekjen, u vranë nga forcat shqiptare e turke dhe shumë të tjerë u zunë rob. Serbia shpalli tri ditë zie kombëtare për atë humbje poshtëruese përballë Shkodrës.

Në qytetin e rrethuar zija e bukës ndërkohë kishte filluar të korrte viktimat e para dhe deri ditën e fundit të rrethimit çdo ditë kishte vdekje nga uria. Qëndresa heroike dhe e papritur e Shkodrës tashmë e kishte kthyer përfundimisht qëndrimin e Fuqive të Mëdha,[3] sidomos të austriakëve të cilët megjithëse e dëshironin Shkodrën në kufijtë e Shqipërisë, kishin pranuar fillimisht që ajo t’i jepej Malit të Zi, duke e konsideruar pushtimin e qytetit nga malazezët një fakt të kryer. Nga mesi i muajit mars, shumica e popullsisë së rrethuar nuk kishte me se të ushqehej përveçse me “barishte, mëllaga, farë lini, kërmij, bretkosa, hithra e rrënjë barishtesh”, siç dëshmon një dëshmitar shqiptar i rrethimit.[4] Ndërsa një gazetar italian, dëshmitar po ashtu, pohon se mijëra njerëz, shohin bukë me sy vetëm një herë në pesë apo gjashtë ditë. Vetëm më 11 Prill ai numëroi 13 vetë të vdekur nga uria.[5]

Në kushtet e një rrethimi të tillë, të një izolimi disamujor, ndërkohë që të rrethuarve nuk u mbërrinte asnjë ndihmë nga askush, pushtuesit kishin ndihma të panumërta. Kur vdekjet nga uria nisën të tejkalojnë vdekjet nga armët e betejës, komanda ushtarake e përbërë nga oficerë shqiptarë dhe osmanë nën drejtimin e Esat Toptanit, pas shumë diskutimesh e konsultimesh vendosi dorëzimin e qytetit jo si të humbur në luftë por për shkak të urisë. Shqetësimi kryesor i komandës ushtarake shqiptaro-osmane ishte evakuimi në siguri të plotë i forcave ushtarake mbrojtëse, përfshirë edhe vullnetarët e redifët (rezervistët) bashkë me armatimet e lehta e të rënda, dhe garantimi i jetës së popullsisë së krishterë dhe myslimane të qytetit e të rrethinave si edhe garantimi i paprekshmërisë së riteve fetare dhe zakoneve kombëtare. Mbasi i pranuan këto kushte e garanci, mbas 6 muajsh rrethimi dhe qëndrese heroike, më 25 Prill malazezët hynë në qytetin e ëndërruar. Megjithatë mbas tre javësh, më 14 Maj, pikërisht për shkak të qëndresës heroike të forcave dhe popullsisë së rrethuar, ata u detyruan ta lëshonin Shkodrën përgjithmonë. [6]

Për këtë luftë epike, një nga betejat më të mëdha dhe më tragjike, por njëkohësisht fatlume që është zhvilluar në historinë tonë, edhe sot mbas një shekulli nuk kemi ngritur asnjë monument përkujtimi. Nga ata mijëra dëshmorë të asaj lufte heroike për shqiptari e liri, nga ata dhjetëra mijëra luftëtarë dhe të rrethuar që e ndërruan kahun e historisë, nuk përkujtohet askush, nuk është zhvilluar asnjë ceremoni dhe as një nderim në këto 100 vjet shtet shqiptar. Jo vetëm kaq, por mbrojtësit heroikë të saj, historianë mendjelehtë i kanë shpallur tradhëtarë dhe mini-monumentin e Hasan Riza Pashës njerëz po aq mendjelehtë e kanë përdhosur

Lavdi të përjetshme shehidëve, ushtarëve dhe komandantëve që luftuan heroikisht dhe të gjithë të rrethuarve që qëndruan të paepur përballë shovinizmit të verbër!/

Burimi: kulturatv.com

________________________________________

[1] Deri edhe austriakët ishin të bindur se Shkodra do të binte pa filluar dimri dhe kishin pranuar mundësinë e kalimit të qytetit në favor të Malit të Zi. Ernst Christian Helmreich, The Diplomacy of the Balkan Wars (1912-1913), New York: Russell, 1969, f. 196.

[2] Cituar edhe nga Ilir Ikonomi, Esat Pashë Toptani. Njeriu, lufta, pushteti. UET Press, Tiranë, 2016, f. 52.

[3] Helmreich, The Diplomacy of the Balkan Wars, f. 196.

[4] Anonim, “Ditar, i rrethimit të Shkodrës”, Kumtari, nr. 7, f. 213. [5] Gino Berri, L’assedio di Scutari: sei mesi dentro la cittá accerchiata. Diario di un corrispondente di guerra. Milano, Treves, 1913, f. 231.

[6] Një dokument që mban datën 13 Maj dëshmon se malazezët të dëshpëruar nga hidhërimi i humbjes, ditët e fundit përpara datës së vendosur nga fuqitë e mëdha për largimin e forcave malazeze nga Shkodra, 350 dyqane i plaçkitën dhe më pas u vunë flakën. Jo vetëm kaq, por edhe ashtu siç ishin kujdesur që të shpallnin mbrojtësit e qytetit martir tradhtarë dhe mbasi kishin vrarë mijëra shqiptarë e shkatërruar qytetin më të lulëzuar të Shqipërisë së copëtuar, arrestonin disa shqiptarë duke i akuzuar gjoja për djegien e dyqaneve që i kishin plaçkitur e djegur vetë. The National Archives, (TNA), Foreign Office, 22061/24. Telegram i kont De Salis për Sir Edward Grey. Cetinë 13 maj 1913.