Histori

Ngadhnjimi mbi harresën - Nga Dorian Koçi

Nga: Dorian Koçi

Një nga aktet më burracakë dhe të frikshëm në të njëjten kohë të terrorit komunist përgjatë periudhës së diktaturës është pushkatimi i 22 intelektualëve në datën 26 Shkurt të vitit 1951, ndër të cilët edhe një grua, shkencëtarja 39 vjeçare Sabiha Kasimati. Akti ishte i frikshëm sepse tregonte përmasat e terrorit politik, tregonte se deri ku mund të shtrihej ai dhe burracak, sepse në vetvete ishte një dëshmi e servilizmit politik ndaj një Fuqie të Madhe dhe frikës se mos incidenti në Amabasadën Sovjetike sillte dhe rrëzimin nga pushteti të klikës që qeveriste vendin. Kjo frikë dhe servilizmi politik ishin pasqyruar edhe në marrëdhëniet me jashtë që kishte zhvilluar qeveria komuniste e Enver Hoxhës në vitet 1946-1951.

Nga shqyrtimi i dokumenteve të vendimeve politike të kohës, të marra kryesisht nga forumet partiake të P.K.SH. rezulton se në marrëdhëniet me Perëndimin përcaktues ishin faktorët ideologjikë, ndërsa interesi kombëtar dhe strategjik i Shqipërisë përmendej pak. Edhe kur përmenden këta faktorë, ata u nënshtrohen faktorëve ideologjikë duke kërkuar që marrëdhëniet e shtetit të ri shqiptar të kalojnë përmes këtij filtri. Ideologjia sunduese në Shqipëri ishte Stalinizmi dhe ai u aplikua në të gjitha format e hapura të tij. Një nga tiparet kryesore të tij ishte eliminimi i elitave përmes terrorit të kuq dhe zevëndësimi me elitat e formuara me karakter ideologjik komunist. Spastrimet ndaj inteligjencës shqiptare nuk u ndalën asnjëherë.

Në planin e brendshëm, regjimi komunist kishte arritur të sundonte me një dorë të fortë dhe falë ndihmës sovjetike dhe të vendeve të tjera të Europës Lindore, t’u mbijetonte shtrëngesave ekonomike të pasluftës. Duke ndërtuar një sistem që shtrihej në mënyrë kapilare në pothuajse të gjithë vendin nëpërmjet organizatave leva të P.P.SH., udhëheqja komuniste shqiptare zotëronte plotësisht kontrollin e territorit, çka ishte ndier dhe në përndjekjen e grupeve desante që parashutoheshin a futeshin nga kufijtë tokësorë me Shqipërinë.

Terrori dhe dhuna e ushtruar u demonstrua sidomos në një rast, siç ishte hedhja e një bombe në Ambasadën Sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951. Sipas raportimeve të Ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, në mbledhjen e Byrosë Politike një ditë më pas, rezultonte se "më 19 Shkurt në orën 7 e 47 nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, dritaret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë kanë vajtur forcat për ndjekje po nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje".[1]

Edhe pse sipas dokumenteve, Ministria e Brendshme dhe organet e Sigurimit nuk kishin të dhëna të sakta se kush ishin autorët në vend, u ndërmorën masa represive që mbollën terror gjithandej. Mehmet Shehu vazhdoi të argumentonte nevojën për terror në mbledhjen e Byrosë Politike dhe kërkoi një miratim të masave represive që do të ndërmerreshin nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. “Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, tek elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj, sonte t’i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera”.[2]

Për udhëheqjen komuniste shqiptare miqësia dhe patronazhi sovjetik ishin parësore; prandaj e panë këtë atentat me dyshim se mund të ishte pjesë e një plani ndoshta më të madh, për të destabilizuar pushtetin komunist në Shqipëri. Dyshimet më të mundshme ishin që ky atentat të ishte organizuar nga jugosllavët, të cilët e shikonin jo pa xhelozi afrimin sovjeto-shqiptar. Frika dhe paniku i qeverisë shqiptare se akti ndoshta mund të ndikonte në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike duket dhe në masat emergjente të ndërmarra dhe në rënien dakord të gjithë Byrosë Politike për këto masa.

Më tej, Mehmet Shehu që relatonte si Ministër i Brendshëm, vazhdoi duke sqaruar masat që do ndërmerreshin. “Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimin nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakord veprojmë që sonte”. [3]

Pavarësisht se pala shqiptare e trajtoi hedhjen e bombës si një rast që duhej të shërbente si një ndëshkim te të gjithë kundërshtarët të vet politikë, në dokumentacionin sovjetik ajo nuk ka lënë gjurmë të ndjeshme, sepse me sa duket, vetë shërbimet inteligjente sovjetike nuk e kanë parë si një ngjarje të përmasave që duhet të meritonte vëmendje të veçantë. Kjo ndjesi përforcohet edhe nga lirshmëria e sjelljeve të ambasadorit sovjetik në Tiranë, i cili ditën e hedhjes së bombës në ambasadën e tij, atë pasdite shëtiste lirshëm në bulevardin kryesor të Tiranës së martirizuar nga organet e Sigurimit të Shtetit, ndonëse ishte këshilluar që të mos dilte nga rezidenca e tij.[4]

Udhëheqja shqiptare nxitoi që t’i dërgonte një letër J. V. Stalinit, në të cilën betohej për besnikëri të përhershme dhe njoftonte për masat e marra për forcimin e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Të bien në sy frazat bombastike dhe emocionale të Enver Hoxhës, që shprehin sa qëndrimin e tij të fortë ndaj çështjes, po aq edhe panikun për këtë incident. Mes të tjerash, Enver Hoxha shkruante:

“... ky akt politik terrorist i armikut, na ka prekur jashtëzakonisht, pse ai u drejtua karshi çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit t’onë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne, që pa atë s’kish dhe s’mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë t’onë. Shoku Stalin, ne s’kemi qenë vigjilentë sa duhet, pse mund t’a kishim evituar këtë gjë të tmerrshme që na ngjau ne. Këtë mungesë vigjilence, që ne e konsiderojmë një nga gabimet më të rënda t’onat, s’duhet të na i fali lehtë populli dhe Partija jonë.

Ne shoku Stalin ju zotohemi dhe ju betohemi, Juve dhe Partisë Bolshevike të Lavdishme, se do t’ja lajmë Partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që ju shkaktua nga mungesa e vigjilencës s’onë. Ky akt i poshtër i armikut, na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën t’onë karshi imperialistëve gjakatarë luftënxitës amerikano-inglezë, karshi tradhtarëve fashista të Beogradit, të Athinës dhe të Romës dhe të reaksionit të brendshëm vegël e tyre.

Shoku Stalin, Partija e jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik, të popullit t’onë dhe të paqes. Partija jonë si kurdoherë, do të verë të gjitha forcat e saj për të çelikosur dashurinë e popullit tonë karshi shpëtimtarëve të tij, Bashkimit Sovjetik, Partisë Bolshevike dhe juve shoku Stalin. Armiqt e brendshëm dhe të jashtëm, kurrë nuk do të harrinë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e pakufishme që ka populli jonë për ju dhe Bashkimin Sovjetik.

Shoku Stalin, në emër të gjithë shokëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të mbledhur në Plenum, ju kërkojmë ndjesë, Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi se do t’a lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne, ne do të jemi të pamëshirshëm, do t’a forcojmë dhe çelikosim partinë t’onë, do t’a bolshevizojmë atë dhe do të forcojmë çdo ditë e më shumë mbrojtjen e vendit t’onë. Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjti i joni, pranoni të falat t’ona revolucionare”.[5]

Fraza në letër e Enver Hoxhës dërguar Stalinit se “ky akt i poshtër i armikut, na ka egërsuar pa masë” u konkretizua në arrestimet e shumta dhe ushtrimin e drejtpërdrejtë të terrorit.  Një gjyq i shpejtë dhe jashtë të gjitha normave të së drejtës dënoi me vdekje 22 nga të arrestuarit, të gjithë të pafajshëm dhe pas asnjë lidhje me incidentin. Ishin këto masa që kishin forcuar dhe i jepnin Enver Hoxhës dhe regjimit të tij të shkruante në letër dërguar Molotovit se situata brenda vendit paraqitej e sigurt.

Deri më tani nuk kemi një histori politike të Stalinizmit shqiptar, çka bën të vështirë identifikimin e pasojave të tij në shoqërinë shqiptare. Procesi i destalinizimit të vendit filloi me ndrojtje në fillim të vitit 1990 por ai u zgjat vetëm në anën administrative si në depolitizmin dhe heqjen e mekanizmit të dhunës pas vitit 1990, por nuk pati një destalinizim të infrastrukturës shoqërore. Për këtë arsye traumat që la komunizmi vazhdojnë të jenë dhe të ndihen dhe sot.

Përkujtimi i datës 26 Shkurt të vitit 1951 duhet të jetë një nga mekanizmat e shumtë të ndërtimit të memories kolektive përsa i përket të shkuarës komuniste. Ndarja bardh e zi dhe gjuha e urrejtjes që haset shpesh në diskursin publik shqiptar janë shenja që gjurmët e së shkuarës ende ravgojnë mes nesh. Sfida më e madhe e memories kolektive mbetet në evidentimin e arsyeve se përse komunizmi shkatërroi infrastrukturën shpirtërore të shqiptarëve që funksiononte me kode e institucione të ndërtuara që nga Rilindja Kombëtare e në vazhdimësi, për ti zevendësuar me kode e etikë të huazuar që rezultuan shterpë  e lanë pas një djerrinë morale.

 

[1] A.Q. Sh. F. 14/APOU, V. 1951, D. 1, fl. 228-228/1

[2] A.Q. Sh. F. 14/APOU, V. 1951, D. 1, fl. 228-228/1

[3] A.Q. Sh. F. 14/APOU, V. 1951, D. 1, fl. 228-228/1

[4] D. S. Çuvahin, Shërbimi im diplomatik në Shqipëri, Tiranë: Almera, 2002, f. 109.

[5] A. Q. Sh. F. 14/AP MPKBS, V. 1951, D. 2, fl. 1-2.

Burimi: doriankoci.blogspot.com