Histori

Një histori me Mona Lisa - Nga Artan Gjyzel Hasani

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Përse Mona Lisa konsiderohet piktura më e famshme në botë?

Për shkak të buzëqeshjes së saj enigmatike?

Për misterin që e rrethon?

Ngaqë kishte për autor Leonardo Da Vinçin?

Përgjigja është: Jo!

Sigurisht, ajo është një kryevepër. Por në fillim të viteve 1900 ajo nuk ishte e famshme. U bë e tillë falë një hajduti që e vodhi atë në 21 Gusht të vitit 1911.

Vincenzo Peruggia ishte një emigrant italian që punonte në Muzeun e Luvrit në Francë. Një ditë e ngarkuan të bënte një kornizë qelqi për pikturën. Atë pasdite pasi e mbaroi kornizën, ai nuk u largua nga galeria. E kaloi natën i fshehur diku brenda saj. Të nesërmen në mëngjes kur u hap galeria Peruggia ishte larguar me pikturën e Mona Lisa-s të mbështjellë si tub dhe të fshehur nën xhaketë.

Ditën e parë askush nuk e vuri re mungesën e pikturës. Punonjësit e galerisë kishin menduar se Mona Lisa ishte në proçes riparimi në laboratorin e Muzeut. Mona Lisa nuk ishte e njohur në atë kohë e prandaj nuk i kushtohej ndonje mbrojtje dhe vëmendje e madhe nga rojet e galerisë.

Aq e parëndësishme ishte si pikturë, saqë nuk e kishin varur as në mur, por e ekspozonin të mbështetur pas murit mbi dy kolltuqe të vegjël.

Por dy ditë më vonë, në galeri u shfaq një vizitor i cili kishte ardhur për të riprodhuar me laps portretin e Mona Lisa-s nga origjinali, një proçedurë rutinë e lejuar e asaj kohe dhe ky ishte momenti kur u kuptua që piktura ishte vjedhur.

Lajmi u shkruajt edhe në gazetat e mëdha të botës me imazhin e pikturës në faqen e parë.

Luvri u bë edhe më i famshëm. Njerëzit tashmë shkonin në Luvër për të vizituar vendin bosh të pikturës së vjedhur.

Policia ishte e paaftë të gjente ndonjë gjurmë të saj. Mes të dyshuarve për këtë vjedhje ishte edhe Pablo Pikaso.

Hajduti Peruggia ishte zhdukur pa nam e nishan e kështu, në dy vitet në vazhdim kjo histori u harrua.

Në vitin 1913 Alfredo Geri, një sekser veprash arti, mori një letër të çuditshme. Autori i letrës pretendonte se kishte vjedhur dhe kishte në zotërim Mona Lisa-n origjinale dhe ia ofronte për shitje. U takuan të dy në Firence. Geri u bind menjëherë që ajo, Mona Lisa e njeriut të panjohur, ishte vërtet origjinali i vjedhur dy vjet më parë, të cilin Peruggia e kishte mbajtur të fshehur në bodrumin e vet gjatë gjithë asaj kohe.

Peruggia u arrestua menjëherë nga policia. Kur e pyetën në gjyq se pse e kishte kryer atë akt, ai tha që kishtë rënë në dashuri me Mona Lisa-n. Gjithashtu Peruggia nënvizoi faktin që piktura i përkiste Italisë përderisa autori i saj Leonardo ishte italian, e prandaj ai kishte dashur ta rikthente pikturën në atdheun e vet.

Por Peruggia gabohej. Leonardo i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në Francë dhe ia pati shitur Mona Lisa-n mbretit të Francës, Fransua I.

Kështu, falë avokatit të vet që e paraqiti vjedhjen si gjest patriotic, Peruggia u dënua veç me një vit burg, ndërsa Mona Lisa u rikthye në Luvër, këtë herë e famshme, më e famshme se çdo pikturë tjetër e botës.

Në vitin 1947 një person me emrin Vincenzo Peruggia vdiq në Haute-Savoie. Gazetarët kujtuan se bëhej fjalë për hajdutin e famshëm te Mona Lisa-s dhe nxituan të mbushnin faqet e gazetave dhe minutazhet e radiove me lajmin e vdekjes së tij.

Por të nesërmen u mesua që Peruggia i vërtetë kishte vdekur në harresë të plotë 22 vjet më parë, në vitin 1925, në moshën 44 vjeçare, në qytetin francez Saint-Maur-des-Fossés, ku kishte punuar si mirëmbajtës veprash arti.