Duel historik në kohë zgjedhjesh presidenciale - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin
11 Korriku i vitit 1804 kujtohet si një ditë tragjike për popullin amerikan, një nga faqet më të hidhura në historinë e SHBA. U vra në duel nga Aaron Burr (atë kohë zv. president) Aleksandër Hamiltoni, një nga figurat më të shquara të themelimit të SHBA, i cilësuar si “Babai i Kushtetutës Amerikane, “sekretari i parë dhe më i miri i Thesarit”, administratori “gjeni” i ekonomisë amerikane.
Aleksandër Hamiltoni ishte kundërshtar politik i Aaron Burr (Aron Bërr) prej një kohe të gjatë dhe nuk rreshtëte pa e demaskuar politikën e karakterin e tij. Veçanërisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 1800, roli i Aleksandër Hamiltonit u bë vendimtar. Dy kandidatët për presidentë ishin Tomas Xheferson dhe Aron Bërr, të cilët kishin fituar një numër votash pothuaj të barabarta. Aleksandër Hamiltoni i dha mbështetjen e tij Tomas Xhefersonit, gjë që vulosi përfundimisht fitoren e Xhefersonit dhe humbjen e Aron Bërrit.
Hamiltoni deklaroi se kishte mbështetur Tomas Xhefersonin në zgjedhje, pasi besonte që Aron Bërr ishte njëri i rrezikshëm për kombin. Deklaratat dhe sulmet e herë pas herëshme të Hamiltonit e zëmëruan shumë Aron Bërrin, i cili i kërkoi demaskuesit të tij t'i tërhiqte akuzat publike, ndryshe vendin e fjalëve do ta zinte dueli. Hamiltoni zgjodhi duelin. Sidoqë ende ishte në dhimbje për vrasjen e të birit (në duel, në po atë vend, duke mbrojtur nderin e te atit), ai nuk u tërhoq. Kështu ia donte nderi si njeri publik dhe personalitet politik.
Para duelit, Hamiltoni i shkroi një letër të shoqes, në të cilën në mes të tjerave i thoshte: ''Kjo letër do të të bjerë në dorë vetëm në rast se unë do ndërpres karrierën time në këtë botë. Shpresoj të takohemi në një botë më të mirë".
Dueli u zhvillua në Weehawken, Nju Xhërsi. Është interesant fakti (sipas dëshmitarëve në duel), se në momentet e fundit para se të shkrehte armën, Hamiltoni kuptoi që kjo çeshtje nuk duhej zgjidhur me duel. Ai kishte zgjidhur edhe raste të tjera për “çeshtje nderi” në rrugë paqësore. Hamiltoni shtiu në ajër. Nga Aron Bërr kjo u mor si dështim i Hamiltonit dhe e qëlloi kundërshtarin në stomak, për vdekje.
Duelet “për çeshtje nderi” në raste të ralla përfundonin me vdekje dhe vrasja e Aleksandër Hamiltonit krijoi shqetësim e zëmërim të madh popullor kundër Aron Bërrit. Parashikimet e Hamiltonit për të, si “njeri i rrezikshëm për kombin”, u vërtetuan një vit më pas. Aron Bërr u akuzua si tradhëtar për marrëdhëniet e fshehta që kishte me Anglinë, për të shkatërruar shtetin amerikan.
Dueli midis Hamiltonit dhe Bërr-it mbetet një nga faqet më të hidhura në historinë e Amerikës.











