Histori

4 Korrik 1776, shpallja e Pavarësisë se Amerikës - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Në skenën e historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjë ngjarje nuk ka patur atë rëndësi aq të madhe sa Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë. Në 7 qershor 1776 Riçard Henri Li, delegat nga Virgjinia, i ofroi Kongresit të dytë kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se "kolonitë e bashkuara, janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike."

Por përderisa ende shumë delegatë nuk ishin gati për një hap kaq drastik siç ishtë ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe tre jave të tjera duke u dhënë kohë të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës se Indipendences, midis të cilëve Tomas Xhefersonin (me i riu) e bashkë me të Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston.

Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA. Kur shkroi Deklaratën e Pavarësisë, si anëtar i kongresit të dytë Kontinental, delegate i Virxhinias, Xhefersoni, ishte vetëm 32 vjeç. Ai donte që deklarata të shkruhej nga avokati Xhon Adams, por Xhon Adamsi insistoi që deklarata të shkruhej nga Xhefersoni dhe madje i dha Xhefersonit këto arsye: "E para, se ti je nga Virxhinia, (Xhorxh Washingtoni, Xhejms Madison e Patrik Henri ishin gjithashtu nga Virxhinia) Arsyeja e dytë: Ti je më pëlqyeshëm se unë. Arsyeja e tretë: Ti shkruan 10 herë më mirë së unë (Xhon Adams qe avokat i njohur).

Deklarata e Pavarsisë e shkruar prej Xhefersonit është dokumenti historik që shkëputi Amerikën nga Britania e madhe, ishte akti i çlirimit të saj dhe hedhja e themeleve të një shteti të ri.

Në deklaratë Tomas Xhefersoni pasi bënte analizën e pakënaqësisë së kolonive ndaj Britanisë së madhe rendiste arsyet që justifikonin shkëputjen e kolonive amerikane prej saj.

Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej: "qeveria egziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon në drejtimin e popullit e humbet autoritetin e saj; atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij".

Ideja themelore "Të gjithë njerëzit janë të barabartë" ishte një ide revolucionare në atë kohë kur bota perëndimore jetonte nën sundimin e familjeve mbretërore që gëzonin pasuri e privilegje që i veçonin shumë nga njerëzit e tjerë të zakonshëm.

Kjo ide ishte revolucionare edhe për vetë Amerikën, ku në atë kohë, një e pesta e popullsisë ishin skllevër (ata e fituan lirine e tyre pas Luftes Civile 1861 -1865).

Aprovimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk u bë në mënyrë të menjëhershme, pa debate. Ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për t'u hedhur.

Në mëngjesin e 1 Korrikut mocioni i Riçard Henri Li u lexua përsëri e u hodh për aprovim. Debate të zjarrta u bënë në datën 1 dhe 2 Korrik. Delegatët e Pensilvanisë dhe të Nju Jorkut nuk donin të nxitoheshin në marrjen e vendimit. Të tjerë mendonin se ishte koha që duhej vendosur pasi kolonitë aktualisht po luftonin.

Në mbyllje të datës 2 Korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të rezolutës së Riçard Henrit për shkëputje të kolonive nga Anglia. Atëherë deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë nga ai dhe u analizua me kujdes pjesë pjesë. Me pak ndryshime të vogla deklarata u aprovua ashtu siç e kishte shkruar ai.

Deklarata shpallte se " të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe nga Krijuesi u janë dhënë të drejta të pamohueshme si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë." Këto ishin të drejta themelore të cilat nuk mund t’ua merrte askush.

Pastaj Xhefersoni vazhdoi: "Ndaj që të sigurohen këto të drejta, ngrihen qeveritë me pushtet të dhënë nga pëlqimi i të qeverisurve." Kjo do të thoshte që qeveritë duhet të gëzojnë pëlqimin, aprovimin e popullit.

Kështu pas debateve, Kongresi Kontinental, në mbrëmjen e 4 Korrikut 1776, aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë, kur përfaqësuesve të tij u erdhën udhëzimet.

Erdhi momenti i firmosjes. Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre.

Thomas Jefferson

I pari që hodhi firmen ishte Xhon Henkoku (John Hancock) përfaqsuesi i Masaçusets. Ishte një firmë e madhe. "Në këtë mënyrë, mbreti s'do këtë nevojë të vërë syzet për ta parë", u shpreh ai pasi la penën.

Me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga përfaqësuesit e kolonive, më 4 Korrik 1776, një shtet i ri e i pavarur u lind. Të trembëdhjetë kolonitë angleze krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesit e popullit, sipas fjalëve të Tomas Xhefersonit betoheshin se do ta mbronin pavarësinë me jetën e nderin e tyre.

Kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u nisën menjëherë për tu shpërndarë në të 13 kolonitë. Në datën 9 Korrik, Deklarata e Pavarësisë mbërriti në Nju Jork. Ajo iu lexua trupave të gjeneral Uashingtonit dhe ushtarët duke thirrur "Urra" hodhën kapelet në erë.

Kuriozitete nga Dita e Pavarësisë

"4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi"

Në 4 Korrik 1776, kur Këmbana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës se Pavarësisë së 13 kolonive amerikane nga Perandoria Britanike, për ironi të fatit mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij: 4 Korrik 1776. Asgjë me rëndësi per t’u shenuar".

Këtë lajm shumë të rëndësishëm, që përbënte një pikë kthese jo vetëm në historinë e marrëdhënieve të Britanisë së Madhe me Amerikën por edhe në historinë botërore, mbreti do ta merrte vesh dy muaj më vonë.

Këmbana e Lirisë

Kush ka patur rastin të vizitojë qytetin historik të Filadefias ka parë edhe këmbanën e madhe që lajmëroi Shpalljen e Pavarësisë nga Anglia. Këmbana e famshme mori emrin Këmbana e Lirisë.

Kjo këmbanë qe bërë vite më parë që në 1751, në kujtim të lirisë që themeluesi i Pensilvanisë, Uilliam Peni i dha kolonisë. Madje mbi këmbanë ka një mbishkrim: ''Shpall lirinë e gjithë vëndit dhe banorëve të saj."

Këmbana është riparuar dy herë që nga ajo kohë. Ajo ka rënë në të gjitha rastet e ngjarjeve të rëndësishme.

Sot këtë këmbanë të vendosur në Hollin e Pavarësisë së Filadelfias si simbol i lirisë amerikane, e vizitojnë më shumë se 1 milion njerëz në vit.