Histori

Zbulimi i floririt në Kaliforni - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Kjo ngjarje ka ndodhur në Kaliforni në mesin e shekullit të 19-të.

Në luginën e lumit Sakramento, një fermer i ardhur nga Zvicra kishte ndërtuar një shtëpi të bukur. Ai quhej Xhon Satter (John Sutter). Fermeri ishte punëtor i madh dhe rreth e qark ndërtoi dyqane e punësoi njerëz. Ndër të tjera Xhoni mendoi të ndërtonte edhe një mulli. Ai punësoi për këtë një djale të ri të quajtur Xhejms Marshall.

Ishte Janari i vitit 1848. Një ditë prej ditësh Xhejmsi duke punuar buzë lumit vuri re në ujë disa copëza të vogla metali të shëndritshëm. Ai zhyti dorën i mori ato prej andej dhe ia tregoi ndihmësit të tij. Ditën tjetër ndodhi e njejta gjë. Atëherë ai i mblodhi copëzat e ndritshme dhe shkoi tek zotëria i tij, Xhoni.

John Sutter

Të dy burrat vështruan me kujdes dhe e testuan metalin e ndritshëm e arritën në përfundimin që ishte flori. Vendosën ta mbanin të fshehur këtë sekret derisa të përfundonte ndërtimi i mullirit. Por merret me mend që një sekret i tillë ishte vështirë të mbahej.

Një ditë në rrugët e San Franciskos u duk një burrë që mbante në dorë një shishkë të vogël. Duke e tundur dorën lart ai thërriste: Flori! Flori nga lumi Amerikan! Kur njerëzit dëgjuan atë thirrje u turrën drejt luginës së Sakramentos. Tregëtarët mbyllën dyqanet. Detarët me t’iu afruar Kalifornisë braktisnin anijet. Fermerët harruan fermat.

Gazetat e San Francikos s'u shtypën se u ikën punëtorët. Ferma e Xhon Satter në luginën e lumit Sakramento u shkatërrua. Njerëzit kthyen përmbys gjithë bregun e lumit duke gërmuar për të gjetur flori. Jo vetëm kaq, por ata rrëmbyen çdo gjë që mundën nga prona e Xhon Satter e nuk pyetën fare për të drejtat e tij.

Brënda pak muajve lajmi i gjetjes së floririt në lumin e Sakramentos u shpërnda në të tërë shtetet e Amerikës. Në vitin 1849 vërshimi i njerëzve për atje ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit që niseshin për të kërkuar floririn u quajtën 49-shat.

Kishte tri rrugë nëpërmjet të cilave mund të arrihej në luginën e lumit. E para qe me anije. Ky ishte një udhëtim i gjatë dhe i vështirë. Më e shpejta anije mund të mbërrinte në San Francisko nga Nju Jorku për 90 ditë. Disa të tjerë merrnin nga Panamaja në Pacifik. Njerëzit që udhëtonin me kuaj, shpesh binin në pritat e indianëve e vriteshin. Shumë vdisnin nga etja. Por madje as frika nga vdekja nuk i bëri 49-shat të zmbrapseshin.

Për të porsaardhurit ngriheshin tenda. Popullsia në Kaliforni vetëm atë vit u rrit nga 6 mijë banorë në 85 mijë. Numri i ardhurve u shtua kaq shumë sa që ishte e mjaftueshme për të formuar një shtet. Qytetarët e Kalifornisë mbajtën një mbledhje në Monterey në 1849 dhe shkruan kushtetutën e tyre ku deklaruan se në shtetin e Kalifornise skllavëria ishte e paligjshme.

Edhe një here amerikanët treguan se ishin të aftë për vetqeverisje. Kalifornia kërkoi të hynte në Union (t’i bashkohej SHBA). Pas një debate në Kongresin Amerikan Kalifornia hyri në union si shtet i lirë, pa skllevër.

Jeta në Kaliforni u bë interesante. Çmimet u rritën në qiell. Të pirët e kumari u bënë të zakonshëm. Policia nuk ishte në gjëndje të ushtronte detyrën. Së fundi vetë qytetarët e morën në dorë situatën duke krijuar disa komitete që u quajtën "Komitete të Vigjilencës."

Me kalimin e viteve Kalifornia u bë një shtet në lulëzim.