Histori

Kujtojmë 7 prillin 1939  

Kujtojmë 7 prillin 1939

Duke gdhirë e premtja e 7 prillit të vitit 1939, pikërisht në orën 04:30 të mëngjesit, italianët zbarkuan në vendin tonë dhe brenda pak minutave kishte filluar lufta në Durrës, Vlorë, Shëngjin e Sarandë.

Pasi ushtarët italianë shkelën në port, forcat shqiptare hapën zjarr me mitralozë duke shkaktuar panik pasi nuk pritej rezistencë. Italianët u detyruan të kthehen në luftanije në largësi sigurie nga skela. Nga kodrat e Durrësit forcat tona goditën me topa me rreze të gjatë mbi varkat në kthim duke arritur të dëmtojnë rëndë dhe njërën nga luftanijet italiane.

Për 4 orë rresht luftë mes shqiptarëve dhe italianëve fashiste, ata arritën të pushtonin Shqipërinë në mënyrë të pabesë.  

Mujo Ulqinaku, u vra me anë të një goditje artilerie nga marina italiane që ndodhej në det. Ishin momente tmerri, revoltimi dhe zhgënjimi, gjithçka po ndodhte brenda një harku kohor të shkurtër, askush nuk e dinte se si do të përfundonte. Por, të gjithë ishin të vendosur të luftonin deri në fund.

Ahmet Zogu dhe Galeazzo Ciano

Pabesia e mbretit Zog dhe Italisë, i dha edhe më shumë forcë shqiptarëve për të vazhduar. Luftime u shënuan dhe në Lezhë e Shëngjin në pabarazi të thellë numerike dhe armatimi. 

Qyteti i Vlorës i lënë pa armë nga sabotimi, i pa shqiptarët të armatosen në çastet e fundit dhe të zënë pozicione në kodrat e Bestrovës bri detit. Italianët, duke mos hasur në asnjë qëndresë në qytet, vazhduan ecjen në drejtim të kodrave, ku me të hyrë në rreze zjarri u përshëndetën nga mitralozët. Në largësi sigurie nga luftanijet nisi goditja me artileri me rreze të gjatë i kodrave deri në neutralizim të grykave të zjarrit. 

I njëjti reagim emergjence u ndoq dhe në Sarandë ku burrat kishin zënë pozicion me pushkë dhe vetëm një mitraloz pas kodre duke i lënë italianët të zbarkonin të qetë. Kur armiku hyri në rreze zjarri u godit deri në mbarimin e fishekëve.

Italia e organizoi ndërhyrjen duke planifikuar mungesë rezistence për të cilën kishte punuar hollësisht që më parë. Në mëngjes herët, madje sipas planit, agjencia italiane “Stefani”, kishte dhënë botërisht lajmin se “trupat italiane kishin zbarkuar dhe ishin pritur pa asnjë incident, për më tepër në miqësi e me brohorima nga populli shqiptar”. 

Përgënjeshtrimi erdhi më vonë nga “Radio Tirana” që njoftonte botën se luftime të ashpra po zhvilloheshin mes trupave shqiptarë dhe ushtrisë pushtuese italiane që nga mëngjesi i 7 prillit 1939.

Burimi: Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë