Histori

25 Nëntor 1912, “Elbasani ka pranue indipendencën e Shqypniës” - Nga Lutfi Alia

Lutfi Alia

Kryengritja mbarëshqiptare e vitit 1912 për t’u çliruar nga zgjedha shumëshekullore e Perandorisë Osmane dhe për bashkimin në shtetin shqiptar të vilajeteve të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, u kurorëzua me vendimin e Kuvendit Kombëtar në Vlorë, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe formimin e qeverisë të kryesuar nga patrioti Ismail Qemali. Shpallja e Shqipërisë shtet më vehte, është një nga ngjarjet kulminante të historisë së popullit tonë, ështe akti i parë politik mbarëkombëtar, që shpalli krijimin e shtetit shqiptar.

Ky akt i rëndësishëm u parapri me shpalljen e pavarësisë në qytetet Elbasan (25 Nëntor), Peqin (26 Nëntor), Tiranë (27 Nëntor) etj. Shpallja e pavarësisë në qytete të tjera të cilët e paraprinë Kuvendin e Vlorës, lidhet me rrethanat politico-ushtarake të krijuara në muajt Gusht-Nëntor 1912. Vendimi për ndërmarrjen e akteve lokale të shpalljes së pavarësisë nga patriotët shqiptarë, ishte me rëndësi për faktin e vështirësive, që krijuan klanet fanatike filo-osmane të Shqipërisë së mesme, bejlerët dhe kleri mysliman i Durrësit, të cilët me sugjerimet e Esat Pashë Toptanit, nuk e lejuan Ismail Bej Vlorën të organizojë Kuvendin Kombëtar në Durrës. Në këto rrethana, më 14 nëntor Ismail Qemali kontaktoi telegrafikisht Aqif Pashë Biçakun, të cilin e lajmëroi të përgatiteshin për organizimin e Kuvendit në Elbasan, si e ka konfirmuar dhe Rudnay - nënkonsulli austriak në Durrës dhe Mit’hat Frashëri, i cili tregon se Elbasani e kishte marrë njoftimin dhe kishte filluar të lidhej me trevat e tjera, për të bashkërenduar aktivitetet e shpalljes së pavarësisë. U caktua Elbasani, sepse ky qytet me tradita patriotike kishte përvojë në organizimin e kuvendeve si ai i arsimit në vitin 1909.

Kur Kryengritja e pёrgjithёshme po konkretizohej drejt shpalljes së pavarёsisё së Shqipërisë, situata politike u ndërlikua nga ndërhyrjet brutale të ushtrive serbe, greke dhe malazeze, qё u vёrsulën tё pushtojnë trojet shqiptare. Ushtria serbe, pasi pushtoi Prizrenin dhe Shkupin, në Nëntor mori Manastirin, Ohrin e Strugën. Mё 24 Nёntor 1912, ushtria serbe arriti nё Qukёs dhe po marshonte kërcënuese drejt Elbasanit. Ushtria malazeze, mё 8 Tetor 1912 sulmoi Shkodrën dhe e mbante të rrethuar. Në Jug, grekёt morёn Janinёn e Kosturin dhe rrethuan Korçën.

Kjo rrethanë e detyroi Ismail Qemalin të ndërpresë përpjekjet per t’u mbledhur në Elbasan dhe shkoi në Vlorë. Në këto situata të ndërlikuara, shpallja e pavarësisë në Elbasan dhe në trevat e tjera shqiptare nga 25 deri 28 Nëntor 1912, ndonëse në përmasa lokale, përbente një akt të rëndësishëm patriotike për krijimin e një realiteti të ri polititk, që i kundërvihej hapur dhe guximshëm pushtetit të Perandorisë Otomane, por ishte dhe një mesazh ndaj shteteve ballkanike, që të njihnin pavarësinë e shtetit të ri shqiptar. (Kristo Frashëri, Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë: 28 nëntor 1912. Tiranë 2008).

Kryengritja e Përgjithëshme e vitit 1912, e gjeti Elbasanin vatër të ndezur të luftës antiosmane. Çetat e komitëve të lirisë të Martaneshit, të Shpatit, të Dumresë, të Byshekut dhe të Strugës, ishin më aktivet nё Vilajetin e Manastirit në luftën për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Patriotët elbasanas në muajin Gusht të vitit 1912 filluan organizimin e kryengritjes. Në kujtimet e tij, patrioti Foti Papajani, për këto ngjarje shkruan:

“Patriotët e Elbasanit … thirrën një mbledhje, e cila u mbajt në një vend të mëçefët pranë katundit Kryezjarrth. Këtu murën pjesë Ahmet Dakli, Ali Hysen Çaushi, Ali Çelirama, unë e të tjerë. Në mbledhje u diskutua për organizimin e nji kryengritje të armatosun në zonën e Elbasanit, në bashkëpunim edhe me kryengritësit e krahinave të tjera të Shqipënisë. Mbledhja vendosi të formohehin çeta në të gjitha anët e trevës së Elbasanit dhe për këtë punë të ngarkoheshin ata patriotë që njiheshin më mirë me katundarët e asaj ane dhe që kishin me ta miqësi familjare. Aty për aty i ndamë krahinat ku do të vepronim. Në Shpat dhe në Martanesh u caktua Ahmet Dakli, Ali Hysen Çaushi, Ali Çelirama, unë dhe të tjerë. Këta ishin bektashinj dhe më të shumtët e fshatarve të Martaneshit ishin të këtij tarikati. Teqja e Martaneshit ka pasur influencë të madhe në tërë krahinën. Mjerisht nuk e mbaj mend emrin e patriotit që u caktue të formoi çetën në fushë. Të gjitha këto çeta do të kishin një udhëheqie të vetme. Çetat e krijueme, para se me fillue luftën, u mblodhën në Kryezjarrth. Në mbledhje u spjegue qëllimi i kryengritjes së përgjithëshme”.

(Lufta pë çlirimin kombëtar në vitet 1878-1912. Kujtime veteranësh. Botim i Akademise së Shkencave, Instituti i Historisë. F. 465)

(Hilmi Dakli. Ahmet Dakli. Botim Onufri, 2017, f. 45-46).

Sipas shkrimeve të Hasan Prishtinës (udhëheqës i kryengritjes mbarëpopullore në vitet 1911-1912) dhe kujtimeve të Ismail Tatzati, rezulton se nё atmosferёn e lëvizjes mbarëkombёtare kundër Perandorisë Osmane, paritë e Matit dhe të  Dibrёs,  nuk e pranonin  pavarёsinë e Shqipёrisё, por donin vetёm autonomi nёn varёsinё e Perandorisё Osmane. Kundër pavarësisë ishte dhe Ahmet Zogu, i cili u bashkua me mikun e tij, gjeneralin turk Ibrahim Pasha, i dërguari i Portës së Lartë për të shtypur kryengritjen e popullit shqiptar.

(L. Alia. Çeta e lirisë e Martaneshit dhe pavarësia e Shqipërisë. Martaneshi në vite lufte 1939-1944. Tiranë 2018, faqe 113-120).

(Irfan Bej Ohri. Kujtime: Roli i parisë dhe i çetës së Martaneshit, në luftën për pavarësinë e kombit shqyptar. Tiranë, Janar 1913)

Qëndrimet filoturke të parisë së Matit dhe të Dibrës, rrezikonin të tërhiqnin pas vehtes dhe paritë e fushës së Tiranës, andaj pёr të parandaluar ndërlikimin e situatës, Aqif Pashë Biçaku dёrgoi në Martanesh Irfan Numan Beun, Ahmet Daklin, Ali Hysen Çaushin, Ali Çeliramën dhe Foti Papajanin, të cilët i kёrkuan parisё të kësaj treve patriote, tё ftonte parinё e Matit dhe tё Dibrёs, për t’i bindur tё bashkoheshin me kryengritjen e përgjithëshme pёr pavarësinë dhe shpalljen e Shqipërisë shtet më vehte. Takimi u zhvillua në Martanesh në Gusht 1912. Pas shumë debatesh, pjesa më e madhe e parisë së Dibrës, pranoi e u bashkua me kryengritjen e përgjithëshme për çlirimin e Shqipërisë nga robëria osmane, ndërsa paria e Matit me në krye Zogollët, që donin autonominë në varësi të Sulltanit, nuk pranuan të bashkohen me kryengritësit.

Çetat e lirisë të mbledhura në Byshek, nё shtator të vitit 1912.

(Fotografi e Foti Papajanit e ruajtur në koleksionin e Lef Nosit)

Hasan Prishtina, një ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes mbarëpopullore në vitet 1911-1912, në kujtimet e tij, ndërmjet shumë dokumentave përfshin dhe letrёn e nën-kolonel Ismail Haki Tatzati, i cili tregon pёr aktivitetin  patriotik të çetёs së Martaneshit.

Shkodër, me 15. 6. 1921

Fort të ndertit Zotni

Zot. Hasan Beg Prishtinës Deputet i Dibrës në Shkodër.

Kam marrë vesht, se Zotëria e Juej jeni tue gatue nji broshurë mbi ndodhinat e kryengritjes shqyptare në vjetin 1912.

Ju lutem të keni mirësin m’e pranue edhe ket pjesën teme e m’e shti në broshurën e siperthanun; mbasi ka të bajë me kryengritjen qi bahet fjalë.

Në vjetin 1912, me qëllim për m’u bashkue me kryengritjen e Kosovës, kjemë nisë prej Elbasanit: Ymer Bej Ohri, unë (atë herë ishe kapitan), Ahmed Dakli e shumë atdhetarë të tjerë e të gjithë së bashkut u bamë kund 40 vetë qi patëm formue nji komitë dhe kjemë mbledhë në katundin Martanesh; vend i përmetueshëm për të sjellun të komitës. Këtu kje bashkue me ne edhe Zoti Ismail Haki Libohova, kapiten, i cili kishte ikë prej Dibre. Çeta e jonë mbet në Martanesh nja dy javë e në këtë kohë pat ardh deri në kufi të Martaneshit nënprefekti i Matit, kapiten Esadi me një batalion ushtarë e dy topa për gjurmimin e kësaj çete, por kjo u ndalue prej saj. Tue qenë se prapë në këtë ditë patën ardhun në Martanesh katër batalione ushtri të rregullshme, të ardhur prej Dibre, çeta u detyrue me u largue në një mal të fortë të Martaneshit, ku filloi me ba gatitjet e nevojshme, për të mos lanë në qetësi ushtrinë e ardhur... edhe çeta e jonë qi kje ba prej 80 vetësh shkoi në Dumre e Shpat të Elbasanit. Këtu u bashku me ne dhe kapiten Tajar Begu me shumë oficerë te tjerë…Tue qenë në Dumre e Shpat, patën ardhë dhe shumë atdhetarë të tjerë e qe ba forca e jonë afër 800 vetë. Kjo çetë u mashtronte prej Aqif Pashë Elbasanit dhe shumë atdhetarëve të tjerë”.

(Hasan Prishtina. Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare tё vjetit 1912. Shkoder. Shtypshkronja Françeskane, 1921, f. 5-23)

Grumbullimi i patriotëve elbasanas, bashkimi i tyre me çetën e Martaneshit dhe qёndrimi i parisё sё Martaneshit, i shqetёsoi komandat turke të kazave tё Matit dhe tё Dibrёs, të cilat reaguan me urgjencë, duke dërguar ushtrinë kundër çetës së lirisë dhe popullit të Martaneshit.

Javёn e parё tё Shtatorit 1912, nënprefekti i Matit, kapiteni Esad Beu, me njё batalion ushtarësh turq dhe dy topa fushorë, marshoi drejt Martaneshit, por çeta e komitёve e komanduar nga Murat Zhaboli dhe Ahmet Dakli, iu doli para dhe i thyen forcat turke në livadhet e Skënderit. Edhe nënprefekti i Dibrës dёrgoi katër batalione ushtarësh turq, tё cilët ndeshёn nё rezistencёn e çetёs të Martaneshit. Në betejën e zhvilluar në livadhet e Luçanës, ushtria turke u shpartallua dhe u kthye nё Peshkopi, ndërsa komandanti i tyre kapiten Ismail Haki Libohova, u bashkua me kryengritësit. Pas kёtyre dy betejave, çeta e Martaneshit u ngjit në Ballejë.

Të nesërmen, arriti mesazhi i Aqif Pashës, i cili i urdhëronte të zbrisnin sa më shpejt në Elbasan, ku do te mblidheshin tё gjitha çetat e komitёve tё Sanxhakut tё Elbasanit.

Nё Shtator 1912, me iniciativёn e Aqif Pashёs, në Byshek të Elbasanit u mblodhën mbi 2000 komitë të çetave të lirisë, që vepronin në Sanxhakun e Elbasanit, si Çeta e Martaneshit me komandant Murat Zhabolin, Çeta e Byshekut me komandant Ahmet Daklin, Çeta e Shpatit me komandant Sif Nosin, Çeta e Dumresë me komandant Irfan Numan Beun etj. Qëllimi i këtij tubimi ishte të bashkoheshin të gjitha çetat, nё njё njësi të vetme luftarake, për të sulmuar garnizonin turk, institucionet e administratës turke të kazasë dhe të Sanxhakut të Elbasanit. Këto çeta të bashkuara, Aqif Pashë Elbasani, i pagëzoi me emёrin Çeta e Martaneshit. Komandant u caktua Sheh Hysen Sulova.

Vendimin, që kjo forcë e bashkuar komitësh, të quhej çeta e Martaneshit, Aqif Pashë Biçakçiu e bazoi në faktin, se çeta e Martaneshit ishte më e vjetra jo vetëm e Sanxhakut të Elbasanit, por dhe e Vilajetit të Manastirit dhe ishte çeta më e shquar në luftimet kundër pushtuesve osmanë. Më 24 Nëntor 1912, Çeta e Martaneshit, rrethoi garnizonin turk tё Elbasanit. Komanda dhe ushtria turke të bllokuara brenda gazermës, ishin të pafuqishëm të reagonin kundër komitëve të bashkuar. Të nesërmen me 25 Nëntor 1912, komitët e çetave të lirise, me flamurin e kuq me shqipen dykrenёshe në krye, hynё triumfues në qytetin e Elbasanit, kaluan para ushtrisë dhe autoriteteve turke të Sanxhakut. Me këtë akt trimërie, luftëtarët e lirisë e ngritën lart moralin politik dhe ndërgjegjen kombëtare të popullit të Elbasanit.

Mё 25 Nëntor 1912, Aqif Pasha, çeta e lirisë e Martaneshit dhe populli i Elbasanit kryen një akt të lartë patriotik dhe atdhedashurie. Si qyteti i parë që shpalli pavarësinë, shprehu dhe kapacitetin politiko-juridik të patriotëve elbasanas, të cilët në rrethanat e ndërlikuara të Nëntorit 1912, bënë një zgjidhje të guximshme, të drejtë dhe të domosdoshme.

Kjo ngjarje patriotike, është pasqyruar në historinë dhe në kulturën qytetare elbasanase, kështu shume gra e qendisnin flamurin e kuq me shqiponjën dykrenëshe me datën e shpalljes së pavarësisë 25 Nëntor 1912, si rasti i flamurit të qendisur në jastek nga Marie Buda, vajzë 19 vjeçare vitin kur u shpall pavarësia në Elbasan. Ky flamur ruhet dhe është dëshmi me vlera të mëdha historike. 

Mё 25 Nёntor 1912, Aqif Pasha, ngriti flamurin e kuq me shkabёn dykrerёshe nё Elbasan dhe njoftoi Ismail Qemalin, me telegramin e firmosur nga 35 patriotёt, pёrfaqёsuesit e popullit tё Elbasanit, tё cilёt deklaruan se “kanë pranue indipendencën e Shqypniës”.

Nr. 12050 - fjalë 100 - O. T

Elbasan 12 Vjesht e Tretë 1328 (25 Nëntor 1912)

  1. 25 ora e natës

Shk. Tija Ismail Qemal Beut

Vlonë

Gjithë popylli ynë, mysliman e të krishtenë, me nji za kanë pranue indipendencën e Shqypniës. N’emën të të gjithë popullit të Prefekturës s’Elbasanit

Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, Zav. i Mitrop. Papa Dhimitër Dhimitruka, Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçaku, Abdulla Bej Tirana, Fuat Bej Biçaku, Kahreman Beu, Servet Zylfi, Ismail Bej Xhelaydini, Ali Agjah Bej, Adil Beu, Maliq Riza Beu, Demir Bej Sulçebeu, Refik Myftiu, Sheh Mahmut Guma, Sheh Xhafer Pasmaqi, Sheh Hysen Sulova, Kryetari i Bashkisë Ruzhdi Alush Saraçi, Papa Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikolla Jorgaqi, Mihal Profti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiadem Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf Bej Taushani, Hasan Çifte, Ymer Peni, Hysein Hastopalli, Demir Zenel Hoxha.

(Marrë nga dokumentet historike të Lef Nosit, botim Viti I-1924, Nr. 2, faqe 38)

(Arkivi Digjital i Elbasanit: 20.11. 2020)

(Hyqmet Kotherja. Pavarësia e Elbasanit 1912 (35 firmetarët). Tiranë 2012, f. 3 – 114)

Ahmet Dakli (majtas), komandanti i çetës së Byshekut dhe kapedani Murat Zhaboli, komandanti i çetës së Martaneshit

Në pasditen e 25 Nëntorit 1912, krijohet Qeveria e Përkohëshme Lokale e Elbasanit dhe në ditët e më pasme u organizua milicia, për ruajtjen e rendit publik. Aqif Pashë Biçaku është Prefekti i parë i Elbasanit të çliruar nga zgjedha osmane dhe i pari prefekt në historinë e administratës vendore kombëtare shqiptare.

Më 25 Nëntor, çetat e komitëve dhe populli u mblodhën në sheshin qendror të qytetit, në një manifestim të përgjithshëm për të shprehur gëzimin për lirinë e fituar dhe shpalljen e pavarësisë. Dokumenti i shpalljes se pavarësisë në prefekturën e Elbasanit i firmosur nga 35 patriotët dhe përfaqësuesit e të gjitha shtresave shoqërore dhe të besimeve fetare, me pas u shoqërua me një deklaratë, të cilën me shumë të drejtë Mësuesi i Merituar Rudolf Deliana e quan “Karta e lirisë e Elbasanit”, të cilën po e prezantojmë në vazhdim:

Vjesht’ e 3-të 1912 Shpallje për vetëqeverimin e Shqipëniës

25-XI-1912

Na gjindja e Elbasanit, pa ndonjë shtërngim së jashtëmi ose së brendëshmi, po nga dëshiri’i ynë i lirë bashkë me të gjitha qytetet e Shqipëniës po bajmë të ditunë gjithë botës së qytetëruarë se sot shpallim vehten tonë fare të shkëputun nga mbretënija Otomane tue numëruar si nje komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjithë kombevet edhe me mprojtjen e qeverive të Europës, shpëreh se do të qeverisë me nderë, drejtësi, dhe me një panësi të plotë pa vënë re ndryshim feje ose dogme. Ç’do shqiptar ose i huaj, ndën këtë qeveri shqipëtare, do të mundi të rroi lirisht, dyke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore.

E na kemi ndërmend të rrojmë vëllazërisht edhe me qeveritë fqinje, pa dashtun t’u bajmë as të paktin damë, po duke iu lutun të na ndihmojnë në vetëqeverimin tonë, sikur na ndihnë edhe në rrëzimin e qeverisë Ottomane.

Rroftë Shqipënia e lirë

Kështu e baftë Zoti!

Na përfaqësuesit e Elbasanit vërtetojmë të sipërmen dyke vumë ndënshkrimin tonë.

(Rudolf Deliana. Arkivi Digjital i Elbasanit; 04. 01. 2018) 

Pёr tё pёrballuar sulmin e serbëve kundër Elbasanit, Aqif Pasha u detyrua ta anullojë udhëtimin për nё Vlorё, nuk shkoi dhe nuk mori pjesë nё Kuvendin Kombёtar tё shpalljes sё Pavarёsisё. Në kuvendin e Vlorës, Elbasani u përfaqësua me delegatët Lef Nosi, Shefqet Daiu (avokat, sekretar i Kuvendit), Qemal Bej Karaosmani dhe Dervish Bej Biçaku, të cilët janë firmëtarët e aktit histroik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Aqif Pashë Biçaku qendroi në Elbasan dhe së bashku me Sheh Hysen Sulovën, Ahmet Daklin, Irfan Ohrin, Murat Zhabolin, Sif Nosin, organizoi çetat e komitёve dhe vullnetarëve, pёr mbrojtjen e Elbasanit nga sulmet e ushtrisë serbe, qё po cёnonte mëvehtёsinё e Shqipёrisё tё saposhpallur vend sovran dhe i pavarur. 

Viti 1913: Komitët e çetave të Martaneshit, të Byshekut dhe të Malësisë së Madhe në luftën e Shkodrës, kundër malazezëve

Ndërsa në Vlorë po beheshin pergatitjet për ngritjen e flamurit dhe organizimin e Kuvendit Kombëtar per shpalljen e Shqipërisë shtet i pavarur, disa pjesë të Shqipërisё sё brishtё dhe tё porsalindur, u pushtuan nga ushtritё greke, serbe dhe malazeze.

Në këto rrethana të ndërlikuara, Aqif Pasha urdhëroi një pjesë të çetёs sё Martaneshit, e komanduar nga Man Bala dhe çeta e Shpatit e komanduar nga Sif Nosi, të shkonin në Labinot, për të ndaluar marshimin e ushtrisë serbe drejt Elbasanit. Njëkohësisht, më 29 Nëntor 1912 qeveria e Vlorës i dërgoi Aqif Pashë Biçakut, tekstin e dokumentit, për t’ia dorëzuar komandantit të ushtrisë serbe, që po marshonte në trojet e shtetit shqiptar të sapo shpallur i pavarur. Më 29 Nëntor, Komisioni i Elbasanit u takua në Qukës dhe i dorëzoi dokumentin, komandantit të ushtrisë serbe.

Në fund të vitit 1912 dhe fillimet e vitit 1913, Shqipëria e porsaçliruar nga zgjedha shumëshekullore e Perandorisë Osmane, u ballafaqua me ngjarje të ndërlikuara politike. Ushtria e Mali të Zi nga 8 Tetori 1912 kishte rrethuar Shkodrën. Në këto rrethana Aqif Pashë Biçakçiu, çetën e Byshekut të komanduar nga Ahmet Dakli dhe një pjesë të çetës së Martaneshit të komanduar nga Murat Zhaboli, i dёrgoi nё Shkodёr, ku ato u bashkuan me forcat e tjera, qё po luftonin kundёr ushtrisë malazeze, e cila kishte hyrë në trojet shqiptare. Populli i Shkodrës, rezervistёt shqiptarё, çetat e lirisë dhe forcat vullnetare, i rezistuan gjatë sulmeve të ushtrisë malazeze, nga Zogaj në Tarabosh, nga Kraja deri në Bushat, nga Hani i Hotit në fushat e Shtojit, nga Shengjini në Lezhë.

(Fatos Baxhaku. 1912 -1913, Rrethimi i fundit i Shkodrës. Gazeta Shqip. Gusht 2012).  

Gjatë udhëtimit për në Shkodër, kur arritën në Lezhë, çetat e Elbasanit u ndeshën me forcat malazeze, të cilat kishin pushtuar Shëngjinin dhe kishin depërtuar deri te ura e Drinit në Lezhë. Pas luftimesh të ashpra, forcat malazeze u thyen dhe u tërhoqën në Shëngjin, ndërsa komitët elbasanas vazhduan marshimin për në Shkodër. Në mbrojtjen e Shkodrës, u zhvilluan luftime të ashpëra. Sa arritën, komitët e ardhur nga Elbasani i dërguan në frontin e malit Tarabosh, ku hynë në luftime që ditën e parë dhe u takoi të pёrballen me sulmet mё tё egra tё ushtrisë malazeze.

Në frontin e Taraboshit, komitët e Çetës së Byshekut dhe të Martaneshit, sëbashku me çetën e Malësisë së Madhe, zhvilluan luftime të ashpra deri përleshje trup me trup, duke u rezistuar heroikisht sulmeve të ushtrisë malazeze, që u detyrua të tërhiqej me humbje. Trimёria e martaneshasve bёri jehonё nё popull dhe në shtypin e kohёs. Të gjithë ndiqnin me preokupim luftimet për mbrojtjen e qytetit të Shkodres. Aqif Pasha i dёrgoi telegram Esat Pashё Toptanit, aso kohe zv-komandanti i forcave që mbronin Shkodrёn, të cilit i kёrkoi ta informonte urgjent me telegram, pёr shendetin e Ahmet Daklit, të Murat Zhabolit dhe gjëndjen e luftëtarёve martaneshas.

Mbrojtja e Shkodrës, bëri jehonë në vendet perëndimore. Giulio Barella, korespondenti i gazetës italiane “Corriere della sera”, i cili ndiqte luftimet nga fronti i malazezëve dhe gazetari anglez Henry Nevinson, korespondenti i gazetës “Times”, në frontin shqiptar, kanë botuar artikuj me lajme nga lufta e Shkodrës dhe shpesh kanë treguar trimëritë e komitëve të Martaneshit, të Byshekut dhe të Malësisë së Madhe.

(Giulio Barella. La guerra turca-balcanica. Vista e vissuta agli avamposti dei montenegrini. Diario di G. Barella, corrispondente di guerra in Montenegro. Ribotim: Roma 2013).

 ©Lutfi Alia