Histori

Risi rreth misionit historik të Fan Nolit për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

Nga: Intervistoi Rafaela Prifti

Bashkebisedim me studiuesen e komunikimit ndërkulturor, arkiviste e bibliotekës Fan S. Noli, në Boston, Neka Doko

Rafaela Prifti: Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920 është ngjarje e studiuar nga historianë e akademikë, të cilët e kanë vlerësuar figurën e Fan Nolit për aftësitë e dalluara diplomatike dhe oratorike. Por hulumtimi juaj sjell hollësi të reja me interes për misionin transatlantik të Peshkop Nolit i cili u dërgua si Përfaqësues nga ana e Federatës “Vatra” në Shqipëri në 1920. Për sa i takon mospranimit të hyrjes së Nolit në Shqipëri, Zogu, i cilësuar si “udhëheqësi virtual i vendit në atë kohë” nga një anë ia kishte frikën dhe nga ana tjetër donte të përfitonte nga ekspertiza diplomatike e tij. Cilat janë burimet tuaja dhe a mund t’i shtjelloni detajet e reja?

Neka Doko: Të dhënat dhe interpretimet nga një seri me studime mbi Fan Nolin në bibliotekën e tij së bashku me këndvështrimin tonë të gjërë për figurën dinamike ndërkulturore të Nolit botuar në “Dielli” që më 2015 (1) mendoj se ndriçojnë të dhëna ende të panjohura si edhe hapin dimensione të reja.  Kështu konteksti historik bëhet më i detajuar dhe i nuancuar duke u bazuar kësaj radhe në tre burime të reja. Sipas detajit të parë historik të qëmtuar në librin e 50 vjetorit, dëshmohet se Peshkop Noli niset nga Amerika për Shqipëri pas ikjes së Italisë, i shoqëruar nga Arkimandriti Vangjel Çamçe nga Xhejmstaun, Nju Jork, dhe At Vasil Marko, prej St Luis, Mizuri për të ofruar shërbime qeverisë shqiptare. Shpenzimet e udhëtimit u paguan nga Federata “Vatra”. Por ndërsa dy shoqëruesit mbrritën në Korçë, (2) Fan Noli nuk hyri në Shqipēri atë kohë. Bazuar në burimin e dytë të dëshmuar nga sekretari i përfaqësuesit të Shqipërisë në Washington, Konstantin À Çekrezi, “në korrik 1920 Fan Noli me dy priftërinj largohet për Shqipëri me pasaportë shqiptare të lëshuar falas nga Çekrezi. (3) Dëshmitari dhe shkruesi i artikullit të mëposhtëm kujton me kënaqësi momentin kur Nolit i jepet pasaporta në dorë, si i pari dokument i tillë lëshuar falas një qytetari shqiptar nga Amerika. Ja si e përshkruan se çfarë ndodhi më pas:

"Sa mbrriti në Itali peshkopi ndjeu mornica të ftohta kur mësoi që leja e hyrjes në vendin e adoptuar iu vonua nga Tirana. Autoritetet e larta atje po i trembeshin këtij profeti demokrat nga Amerika dhe kërkonin ndonjë pretekst për ta ndaluar të hynte në Shqipëri. Ahmet Zogu që ishte udhëheqësi virtual i vendit në atë kohë, si gjithmonë krijoi një strategji dhe ja sugjeroi kolegëve që peshkopi të dërgohej në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë si delegat nga Shqipëria duke besuar me të tjerë udhëheqës se Lidhja nuk do ta pranonte në atë kohë Shqipërinë, dhe kështu Nolin e dështuar në mision askush nuk do ta mirëpriste në Tiranë."(4)

Interesante këtu për të vënë në dukje lojën e dyfishtë të autoriteteve shqiptare me dërgimin e Nolit në krye të delegacionit në Gjenevë, një përzgjedhje që Noli e përligjte me faktin se "ishte zgjedhur për një mision diplomatik në Lidhjen e Kombeve sepse fliste rrjedhshëm të dy gjuhët zyrtare, Frëngjisht dhe Anglisht të domosdoshme për atë kohë e detyrë." (5)

Rafaela Prifti: Sipas të dhënave historike data 17 dhjetor shënon hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, të paktën në fjalë. Ku është autori i kësaj thënie? A mund të na e shpjegoni kuptimin e saj?

Neka Doko: E konsideruar si përpjekja e parë diplomatike ndërkombëtare, që Fan Noli ndërmori për të përfaqësuar Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, me të mirën që kishte, misioni i Nolit në Gjenevë pati sukses. Jashtë parashikimeve, Shqipëria u pranua me unanimitet si anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 Dhjetor 1920. Ndërsa shprehja se pranimi u bë "me fjalë e jo me fakte," është përmendur nga një ish-delegat shoqërues i Nolit nga Shqipëria i cili sqaron si më poshtë:

"Javën e kaluar përfunduam me peshkop Nolin kthimin e tij në Tiranë pas misionit të suksesshëm për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në Dhjetor 1920, në fjalë nëse jo me fakte. E them këtë sepse fqinjët, përfaqësuesit e Greqisë dhe Jugosllavisë më shumë u zbavitën se sa u impresionuan me suksesin e Tij. Lidhja e diskutoi problemin e sulmeve të fqinjëve ndaj vendit të vogël duke e marrë vetë në dorë. (6)

Nga kërkimet e të dhënave në materialin e ditës së parë të diskutimeve në Lidhje, veçuam dy figura qendrore që kundërshtuan në front ankesat e grekëve dhe jugosllavëve gjatë diskutimit të parë për anëtarësinë e Shqipërise në Lidhjen e Kombeve. Jo europianë, dy përfaqesues përkatësisht nga Afrika e Jugut e India parashtruan vërejtjet e tyre pas prezantimit të parë të peshkop Nolit. "Ky triumf u arrit gjerësisht nga fushata solide nga ana e Lord-it Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, që organizoi lëvizjen për të mbështetur pranimin e Shqipërisë në Lidhje, praktikisht duke i detyruar të gjithë kundërshtarët ose të votonin pro ose të abstenonin. I dyti ishte Muhamet Ali, delegat nga India i cili tha: "Shqipëria meriton të anëtarësohet në Lidhjen e Kombeve sepse është i vetmi vend në botë ku muslimanë, katolikë dhe ortodoksë të krishterë bashkëpunojnë vllazërisht pavarësisht diferencave të tyre fetare." (7)

Rafaela Prifti: Anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920 ishte një hap i parë por me shumë rëndësi për kombin. Cila ishte rrjedha e ngjarjeve që pasuan prej këndej?

Neka Doko: Pa diskutim hapi i parë ishte vendimtar, hodhi themelet e anëtarësimit për t’u pranuar faktikisht nga të gjithë, edhe nga fqinjët vitin tjetër. Nga njëra anë, ashtu si akademiku kanadez Robbert Clegg Austin, thekson në tezën e tij të doktoraturës, "Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1920 pati rëndësi jetike për disa arsye: riafirmoi pavarësinë e Shqipërisë duke hedhur poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës. Për më tepër drejtoi zgjidhjen e problemit të kufijve të Shqipërisë." (8)  Do thoja se falë suksesit të Fan Nolit, hapi i dytë vazhdoi aty ku ishte lënë ai problem i vonuar nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Që këtej anëtarësia e Shqipërisë në Lidhje çoi direkt në temën kryesore të vitit 1921: për zgjidhjen e problemit të kufijve të Shqipërisë. “Në 1913 një komision ndërkombëtar i përbërë nga përfaqësues të 6 fuqive të mëdha të Europës aso kohe, u dërgua në Shqipëri që të caktonte në vend kufijtë e saj, që tashmë ishin caktuar paraprakisht në hartë nga Kongresi i Ambasadorëve në Londër. Komisioni mbaroi detyrën në Jug duke caktuar kufirin në vend nga deti Jon deri në liqenin e Ohrit, si kufiri i përcaktuar që ndan Shqipërinë nga Greqia. Por puna e komisionit u ndërpre nga Lufta e Parë Botërore, e duke qënë se delegatët përfaqësonin shtetet tashmë në luftë me njëra-tjetrin, nuk bëhej fjalë për asnjë bashkëpunim midis tyre. Gjë që i la kufijtë ndarës midis Shqipërisë e Jugosllavisë të papërcaktuar. Jugosllavët përfituan nga situata dhe u futën në Verilindjen e Shqipërisë si të ishte territori i tyre. Me justifikimin se nuk shkelën asnjë kufi, sepse nuk ekzistonte ndonjë kufi. Një vit pas futjes së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, u dërgua komisioni ndërkombëtar në Shqipëri dhe më në fund çështja e kufirit midis Shqipërisë e Jugosllavisë u zgjidh në vënd brënda vitit 1921” (9)

Rafaela Prifti: Duke u bazuar në hulumtimin tuaj, cfarë donte të arrinte Fan Noli si kryesues i delegacionit shqiptar në Gjenevë? Si shkoi pritja e tij atje?

Neka Doko: Nga dosja bibliografike e Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve 1920-1924, shohim të dhëna më të plota rreth rritjes së tij profesionale si klerik me cilësi e aftësi drejtuese këtu në Boston dhe jashtë duke veshur disa herë borsalinën diplomatike në disa udhëtime për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë në kontinentin e vjetër. Pas Konferencës së Versajës, më shumë i shkundur se i shqetësuar nga qëndrimi i pandryshuar i Europës ndaj Shqipërisë, peshkop Noli kapi momentin më të mirë për tu angazhuar në planin e Lidhjes së Kombeve. Moment që kulminoi vite të një bashkëpunimi frutdhënës me zërin më të fuqishëm të kohës, pra mbështetjen direkte të presidentit amerikan Wilson, në çështjen shqiptare. Noli lidhi me mjeshtëri dy qëndrime - momentum të kundërta ndaj çështjes së sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë në konferencën e Versajës, atë europian dhe atë amerikan. E kush më mirë se Noli do shkonte në Gjenevë me kontekstin e kundërbalancave e pritshmërive në mëndje? Ndoshta i kishte ndarë tashmë në mëndje si dy grupe ndryshoresh oponente të ekuacionit për pranimin e Shqipërisë në Lidhje. Nga njëra anë si negative, ndryshoret pro greke e jugosllave të fuqive të mëdha europiane kundër çështjes shqiptare. Dhe nga ana tjetër si pozitive e të fuqishme, si mbështetës për anëtarësi të Shqipërisë në Lidhje nga përfaqësues botëror aty në Gjenevë, si amerikanë, jug-afrikanë e indianë. Dhe ashtu ndodhi, sepse këta të fundit luajtën rolin kryesor në favor të përpjekjeve të vazhdueshme e koherente të Nolit për të besuar në misionin e tij. "Noli kishte besim të jashtëzakonshëm në këtë organizatë si dhe në premtimin e saj për një rend botëror të ri. Kështu anëtarësia në Lidhje do të ishte jo vetëm një burim për ndihma financiare të nevojshme por edhe si premtim për një aksion ndërkombëtar për të mbrojtur integritetin e shteteve si ai shqiptar të kërcënuar vazhdimisht nga fqinjët." (10)
Në fakt parashikimi i pikës së dytë dha rezultat të menjëhershëm pas fjalës së Nolit dhe reagimeve pozitive të përfaqsuesve të botës në 20 Dhjetor. Duke iu referuar Robert Austin, "Lordi Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, arriti të kundërshtojë propozimin frëng për të shtyrë vendimin me argumentin se Shqipëria duhej pranuar për të gjitha kushtet e një kombi të përbërë në mënyrë të shkëlqyer." Dhe pikërisht "ndërsa në fakt vendimi ishte shtytur, Lidhja më së fundi e pranoi Shqipërinë më 17 dhjetor 1920 me 35 vota po dhe 7 vota abstenime." (11)

Rafaela Prifti: Si arriti Fan Noli të gjente balancën midis mbështetjes amerikane për Shqipërinë nga një krah dhe pretendimeve territoriale të fqinjvëve si Greqia dhe Jugoslavia nga krahu tjetër?

Neka Doko: Si u përmend më sipër, pas realizimit me sukses të aktit të parë të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli u fokusua tek hapi tjetër, tek mandati i ri i Lidhjes. "Noli ishte plotësisht në dijeni për rëndësinë e mbështetjes amerikane, dhe sidomos të qëndrimit të presidentit Wilson në mbrojtje të çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku me argumenta denoncoi politikën e Traktatit të Londrës që vazhdonte të ishte jokonsistente me parimin e vetvendosjes."(12) Nga ana tjetër, përfaqësuesit jo europianë, të Afrikës së Jugut dhe Indisë kur folën në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhje, kishin parasysh edhe rekordet e mbështetjes amerikane, dhe argumentimin bindës të përpjekjeve të Fan Nolit në emër të “Vatrës” dhe komunitetit shqiptar të Shën Gjergjit për vite me rradhë në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ndërgjegjësimi dhe përgjigja e shpejtë e Nolit ndaj problemit të aneksimit grek e jugosllav respektivisht ndaj kufijve Jugorë e Verilindorë të Shqipërisë ishin vendimtare në fushatën e Lidhjes për mbrojtjen e të drejtave të kombit tonë për vetvendosje. E mbështes këtë argument në studimin tonë ndërkulturor të botuar në “Dielli” 2015, mbi trashëgiminë mesdhetare dhe figurën non lineare të Fan Nolit. Nuk mund të kishte një njeri më të zgjedhur për këtë mision se sa ai "që i lindur në Turqinë Europiane, nga familje emigrantësh shqiptarë, i formuar herët me gjuhët e vjetra e klasike në djepin e kryqëzimit të kulturave, feve dhe mentaliteteve, kishte njohur Greqinë dhe politikat gjeopolitike të Balkanit, dhe ishte brumosur nën influencën e patriotëve shqiptarë intelektualë në Egjipt, që e mbështetën dhe e nisën me atë synim që të drejtonte lëvizjen për çështjen shqiptare n'Amerikë." (13) Nëpërmjet shkrimeve dhe përpjekjeve diplomatike hershëm në Europë Noli kishte zbuluar se megjithë qëllimet e politikës greke e jugosllave ndaj shkeljes së sovranitetit shqiptar, superfuqitë europiane ishin indiferente. Prandaj shpresën e vetme për të zgjidhur problemin, Noli e shihte te udhëheqësit përfaqsuesit të delegatëve botërorë në Lidhje. "Pikërisht mundësia e kërcënimeve për shkeljen e sovranitetit territorial të Shqipërisë nga fqinjët", do shkruante Noli, "ishte që në fillim arsyeja bazë e rëndësisë së veçantë nga ana e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve."(14) Parandalimi dhe zgjidhja e këtij problemi i takonte pjesës së dytë të misionit në Gjenevë, në 1921.

Rafaela Prifti: Çfarë zbulojnë apo nxjerrin në dritë burimet tuaja për udhëtimin e Nolit në Gjenevë dhe Shqipëri?

Neka Doko: Kjo është interesante! Gjithë puna e mbajtjes pezull të hyrjes së Nolit në Shqipëri ka mbetur ambivalente dhe e mbuluar nga ana e qeverisë së re shqiptare të kohës. Ne kemi pak burime për ta sqaruar e ndriçuar disi këtë pyetje. I pari vjen nga Prof. Nasho Jorgaqi, në librin biografik të jetës së Nolit, me një argument që e përmend edhe Robert Austin në tezën e tij të doktoraturës. "Gjithsesi kjo kishte të bënte më shumë me keqbesimin e disa patriotëve shqiptarë, midis të cilëvë Sotir Peci që kishte punuar me Nolin në Amerikë, për gjithshka tejet progresiste të peshkopit, të cilin për këtë arsye duhet ta mbanin sa më gjatë të ishte e mundur jashtë Shqipërisë."(15) Gjithashtu shtojmë këtu rekordet e ish-sekretarit të përfaqësuesit shqiptar në Washington, K. Çekrezit që flasin shumë për ndërhyrjen e Zogut dhe planin e tij për ta përdorur Gjenevën si justifikim për të shtyrë e mundësisht evituar hyrjen e Nolit në Shqipëri.

Rafaela Prifti: Të dhënat historike tregojnë se “Vatra” e financoi misionin dhe sponsoroi delegacionin e drejtuar nga Noli. Ç’mund të na thoni për këtë temë?

Neka Doko: Në fakt, nga të dhënat e evidentuara në librin e 50 vjetorit të Kishës shqiptare n'Amerikë, dhe në disa nga artikujt serial në “Dielli” për këtë temë, konfirmohet se të gjitha shpenzimet e udhëtimeve të Fan Nolit në Europë para e pas misionit të Gjenevës në Shqipëri pa përjashtim janë mbuluar nga fushatat e organizuara nga “Vatra” për çështjen shqiptare. Nga ana tjetër, është interesante se si vetë personaliteti dhe integriteti i peshkopit në menaxhimin e të ardhurave gjatë misionit në Gjenevë vihet në dukje si dëshmi e gjallë nga një prej shoqëruesve të Nolit, dhe sekretar i delegacionit shqiptar në Lidhje.
"Shkëlqesia e tij është një shëmbull integriteti. Me tu kthyer nga Tirana, pas misionit në Lidhjen e Kombeve, u paraqit në autoritetet zyrtare të organizatës e raportoi me llogari të plotë e në detaje të gjitha shpenzimet e bëra në periudhën e largimit. Zyrtari të cilit i raportoi, mbeti i impresionuar."(16)

Rafaela Prifti: Në periudhën 1920 -1922, thuajse një dhjetëvjeçar pas shpalljes së pavarësisë, Shqipërisë nuk i njihej shtetësia siç dëshmojnë disa shkrimeve të kohës. Ju keni referenca nga autorë si J. Swire i cili citon Fischer që sjellin të dhëna se “Shqipëria ekzistonte vetëm si emër". A nuk e thekson kjo edhe më fort rëndësinë e misionit të Nolit?

Neka Doko: Po, mendoj se rëndësinë e këtij misioni e përligj sidomos konteksti. Me të vërtetë pas Luftës së Parë Botërore situata e Shqipërisë ishte kritike, prandaj mbivlerësimi i anëtarësimit të vëndit në Lidhje nga ana e Nolit nuk duhet paragjykuar. Ndryshe nga mjaft bashkatdhetarë në vend, Fan Noli dhe “Vatra” sëbashku mirënjohën e vlerësuan rolin e Lidhjes pikërisht në momentet më kritike që po jetonte pavarësia, kufijtë dhe vetë egzistenca e Shqipërisë. Dhe kishin të drejtë se ata e nisën dhe e çuan deri në fund atë mision historik edhe pas 1920-ës. Gjithsesi të dhëna të tjera nga kërkime të mëtejshme në këtë kontekst do të ndihmonin për të ndriçuar pluset e minuset e një misioni tepër delikat të drejtuar nga peshkop Noli në Gjenevë, në shtrirjen e tij nga 1920-1924. Diçka që vlen të nënvizohet këtu. Ne sapo nisëm të kujtojmë 100 vjetorin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve duke punuar për të kërkuar ende dritë mbi të panjohurat e saj. Përkujtimi i ngjarjes dhe rivlerësimi i saj historik e ndërkulturor do vazhdojnë në këtë rrugë. Prandaj dhe hija skeptike e vjetër a më e re nga shqiptarë në vënd a diasporë për këtë temë të mos konsiderohet si e fituar.

Rafaela Prifti: Atëherë biseda jonë për këtë temë dhe të tjera mbetet e hapur.  Ju falenderoj për kohën dhe përkushtimin tuaj.

Neka Doko: Patjetër, me kënaqësi dhe gëzuar 100 vjetorin!

 

Referenca:

1- Dielli, December 2015, N. Doko, "Fan S. Noli: The Unmatched Cross-cultural and Interpersonal Communicator- Part I"

2- The Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox Church in America 1908-1958, Boston, 1960, p.117

3- Metropolitan Fan S Noli: A Seer and a Poet 1882- 1965, In Dielli, April 25- May 16, 1962, (In Dielli, May 9, 1962)

4- Idem

5- The 50th Anniversary Book, p.117-8

6- MAKERS MODERN ALBANIA: Dielli, May 9, 1962

7- The 50th Anniversary book, p.118

8- Robert Clegg Austin 1998, Thesis of PhD, Department of History, University of Toronto, Canada, p. 40- 42

9- Idem, p. 40

10-Idem, p.41

11- Idem p. 42

12- The 50th anniversary book, p. 118

13- Idem

14- Robert Clegg Austin 1998, Thesis of PhD, Department of History, University of Toronto, Canada, p. 40- 42

15- In Dielli May 9, 1962

16- Idem

Notes:

1- The Fan Noli photo in the League of Nations, Geneva, in 1920 in Studenti, Published Quarterly, September 1921, p. 15