47 vjet nga Kushtetuta e vitit 1974 - Nga Jusuf Buxhovi
Përkujtesë historike
Në historikun e shtetndërtimit të Kosovës, kushtetuta që Kuvendi i KSA të Kosovës miratoi më 28 Shkurt 1974, shënon gurëthemelin e saj institucional. Me këtë dokument politik-juridik, Kosova barazohej me njësitë e tjera të Federatës Jugosllave, ndonëse ruante gjendjen duale në raport me Serbinë (në kuadër të saj), por si subjekt konstituiv i federalizmit jugosllav. Kjo pasqyrohej në nenin 1 të Kushtetutës federative në paragrafin e parë kur ajo radhitej bashkë me gjashtë republikat e tjera, ndërsa paragrafi i dytë theksonte (përbërjen) në kuadër të RS të Serbisë.
Kryetar i Komisionit që kishte përgatitur debatin publik ishte Fadil Hoxha. Ndërsa në punën e Komisionit Federativ për hartimin e Kushtetutës ishte përfshirë edhe dr. Gazmend Zajmi.
Siç dihet, pozita kushtetuese e KS të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e vitit 1974, u rrënua dhunshëm, me ndërhyrjen e Serbisë, më 23 Mars 1989. Ishte ky një puç ndaj Kushtetutës federative dhe ndaj rendit kushtetues të vendit, që i hapi rrugën shpërbërjes së Federatës Jugosllave në Gusht të vitit 1991 pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni.
Ndaj këtij veprimi, intelektualët e Kosovës reaguan me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 Dhjetor 1989, koncepti i së cilës për barazi u formulua në kërkesën për avancimin e pozitës së saj kushtetuese në federatë, kërkesë kjo që politikisht evoluoi nga barazia tek pavarësia pas vendimeve të Konferencës së Hagës të Gushtit të vitit 1991, kur u pranua shpërbërja e Federatës Jugosllave, me ç’rast edhe Kosova, Komisionit të Badinterit, ia paraqiti kërkesën për njohjen e shkëputjes nga kjo federatë në përputhje me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, vendimin e Kuvendit të Kaçanikut të 7 Shtator 1990 si dhe Referendumin për Pavarësi të Shtatorit 1991.
Ndonëse Komisioni i Badinterit nuk e shqyrtoi kërkesën e Kosovës, megjithatë nuk e refuzoi, pikërisht duke u mbështetur mbi paragrafin e parë të nenit 1 të Kushtetutës Federative të vitit 1974 ku edhe dy krahinat (ajo e Kosovës dhe e Vojvodinës), bashkë me gjashtë republikat, theksoheshin pjesë e konstitucionalizmit federativ. Madje, edhe GJND e Hagës, në vitin 2010, të drejtën e Kosovës për shpalljen e pavarësisë, që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, pos të tjerash, do ta arsyetonte edhe mbi këtë fakt.
©Jusuf Buxhovi













