Histori

Në përkujtim të përvjetorit të lindjes së Profesorit Sejfulla Malëshova - Nga Naum Prifti

 Naum Prifti

Parashikim gjenial

Në Plenumin e Beratit në Tetor 1944, Sejfulla Malëshova e kritikoi ashpër Enver Hoxhën për lëkundje të vijës së partisë midis dy ekstremeve, oportunizëm dhe sektarizëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë nga njësitet guerile dhe nga atentatorët, në rrugë e nëpër lokale, të kryera me urdhër të Partisë, ai i cilësoi akte terroriste. Parulla e përdorur “në emër të popullit”, nuk kishte asnjë bazë ligjore. Malëshova paralajmëroi se po të vazhdohej në këtë rrugë, partia do të katandisej në një bandë me vrasës e kriminelë. Parashikimin e tij gjenial e vërtetoi koha. Profesor Malëshova bëri një gabim të pafalshëm taktik kur propozoi krijimin e postit të kryetarit të Partisë. Nuk kishte kandidat më të kualifikuar dhe me të gjitha premisat e mundshme veç Sejfullait. Bagazhi i tij përmbante aktivitet të gjatë patriotik me shumë figura kombëtare. Faik Konica dhe Fan Noli e konsideronin “poetin rebel” Lame Kodra si dishepullin e tyre dhe bashkëpunëtor të radhës së parë.

Në botimet shqiptare si edhe në ato të Federatës “Vatra” në Amerikë dëshmohet veprimtaria, inteligjenca dhe patriotizmi i Sejfulla Malëshovës. Shkrimet e tij publicistike ishin orientim për platformën kombëtare. Fan Noli, i cili ia njihte zotësitë intelektuale dhe atdhetare, e mori në kabinetin e tij qeveritar në 1924. Malëshova ishte një nga veprimtarët e KONARE-së (Komiteti i Çlirimit Nacional) krijuar në Vjenë nga emigrantët e majtë, Përveç studimeve filozofike e politike-ushtarake, Sejfulla Malëshova kishte mbrojtur disa grada shkencore dhe ishte njohës i disa gjuhëve. Si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Moskës, Sejfulla Malëshova në koordinim me shumë patriotë atdhedashës shqiptarë ishte në krye të lëvizjes për një Shqipëri të lirë. Ai ishte aktivist me përvojë revolucionare dhe konsiderohej prijës i përpjekjeve të emigracionit shqiptar për çlirimin e vendit. Duke i ditur zotësitë e tij, propozimi në Berat ishte sfidues për Enver Hoxhën sepse detyrimisht sekretari do të spostohej në plan të dytë, prandaj e hodhi poshtë si të panevojshëm dhe të parakohshëm.

Për politikën e Jashtme Sejfullai udhëzonte të mbahej distancë e njëjtë si ndaj Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe ndaj Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Vënia e Aleatëve në të njëjtin plan sfidonte Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, çka i dha rast Enver Hoxhës ta damkoste si oportunist. Në politikën e brendshme Malëshova kërkonte përkrahje për zhvillimin e tregut privat. Kjo qasje mjaftoi për ta etiketuar si liberal.

Të gjithë ata që guxuan ta kritikonin Enver Hoxhën në Plenumin e Beratit, më vonë e pësuan dhe u eliminuan njëri pas tjetrit nga mjeshtri i prapaskenave. I pari e pësoi intelektuali Sejfulla Malëshova. Për mënjanimin e Malëshovës, Enver Hoxha kërkoi mbështetjen e Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Tuk Jakovës, Kristo Themelkos, Gogo Nushit, Hysni Kapos. Të partishmit me arsim të kufizuar e hoqën qafe, me gëzim e lehtësim profesorin e nderuar, dijenitë dhe horizonti i të cilit i bezdiste. Kompleksi i inferioritetit të Enver Hoxhës mori shpërblimin e merituar me përjashtimin e Malëshovës.

Pas përjashtimit nga Byroja Politike, filloi e tatëpjeta e pafund e profesor Malëshovës. E shkarkuan edhe nga posti i Ministrit të Arsimit, madje nuk e lanë as kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në gusht 1947 u provokua Konferenca III e Lidhjes së Shkrimtarëve. Doktor Dishnicës iu kërkua të bënte autokritikë për parathënien e tij në librin “Vjersha” të Sejfulla Malëshovës ku ai i jepte atribute të çmuara autorit si poet e mendimtar. Ndryshe nga ç’pritej, Dr. Ymer Dishnica deklaroi se nuk i hiqte asnjë presje parathënies që kishte shkruar. Kjo i zemëroi autoritetet dhe si pasojë Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja dhe u shkarkuan nga detyrat që kishin. Sejfulla Malëshovën e degdisën në Patos me detyrën e magazinierit të një depoje, Ministrin e Shëndetësisë Doktor Dishnicën e dërguan mjek të thjeshtë në Spitalin e Tiranës, pastaj e “transferuan” në Berat, ku punoi gjithë jetën, deri sa u shemb diktatura, ndërsa Luarasin e hoqën nga Drejtoria e Teksteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike.

Në vitin 1947 Sejfulla Malëshova u përjashtua nga Byroja Politike, i akuzuar si oportunist dhe properëndimor. Këto cilësime të PPSH-se do mjaftonin për ta ngritur figurën e tij në piedestalin e demokratëve.

Jam këtu

Një pasdite tek bisedonim me profesor Skënder Luarasin përpara Liceut Artistik në Tiranë pashë të kalonte te ana tjetër e trotuarit një burrë i moshuar, me ecje të qetë, paksa i ngadalshëm, por i përqendruar, pa shikuar as majtas as djathtas.

-E njeh atë burrë? - më pyeti profesor Luarasi që ndoqi shikimin tim.

-Më duket se jo, - i thashë.

-Profesor Sejfullai, - më tha ai.

E thërriti me emër dhe Sejfullai ktheu kokën e përshëndeti me dorë, buzëqeshi hijshëm me mirësjellje dhe vazhdoi rrugën e vet.

-Në Tiranë ai u mënjanohet takimeve se dyshon që e gjurmojnë. Tregohet i kujdesshëm, për të mos vënë asnjeri në pozitë të keqe, - më tha professor Luarasi.

Vetë Skënder Luarasi shquhej për guxim qytetar dhe nuk druhej ta takonte e të bisedonte me të internuarin Lame Kodra. Madje ngacmonte edhe kolegët e tij, që kalonin aty pranë dhe bënin sikur nuk i shihnin. “I dashur mik, a nuk po e njeh profesor Sejfulla Malëshovën?” Paksa të zënë ngushtë, kolegët kërkonin të falur, këmbenin dy fjalë formalisht dhe largoheshin shpejt nga frika se mos i shihte kush që po takoheshin me një të damkosur nga partia.

Nga mesi i viteve 1950 mësova nga kunati im Dhori Çaushi, i emëruar ndihmës dentist në Patos, se Sejfulla Malëshova punonte si magazinier në një nga depot e ndërmarrjes. Aty Sejfullai kryente dënimin si i internuar. Sipas rregullave ai duhet të flinte në një dhomë më vete, po për ngushticë strehimi, e kishin rrasur tok me 5-6 djem të rinj beqarë të flinin si në kushte konvikti, me shtrate druri ala-marinarçe. Dhori më tregonte se në netët e ftohta të dimrit, profesori mbështillej me batanije dhe kërrusur mbi shtrat lexonte ose shkruante.

Malëshova qëndroi i internuar disa vjet në Patos, përpara se të transferohej në Fier. Në periudhat e shkurtëra të zbutjes së luftës së klasave, Sejfullai erdhi disa herë në Tiranë për punë personale, sigurisht duke marrë leje nga Dega e Brendshme e Fierit. Zbutjet ishin si pranvera të parakohshme, të cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura.

Dy herë ditën, në mëngjes e mbrëmje, Malëshova duhej të paraqitej në Degë për të vërtetuar që ishte aty. Vendasit e kureshtarët e shihnin profesorin të kalonte para sportelit të dezhurnit të Degës së Brendshme, duke ngritur dorën lart, si t’i thoshte: “Jam këtu!” Ky ritual i pandryshueshëm vazhdoi derisa vdiq më 1971.

Përkthyesi i talentuar

Lame Kodra (pseudonimi letrar i Sejfulla Malëshovës) është përkthyesi i shumë poezive të zgjedhura dhe veprave nga një sërë autorësh me famë botërore, midis tyre hyjnë: “Ançari” i Pushkinit, “Punëtorët e Avlemendit” i Heinrik Haines, “Mbreti i Tulës” nga Gëte, cikël me poezi nga Nekrasovi, prozë nga Bokaçio dhe F. Argondica, “Kopshti i qershive” i Çehovit, prozat poetike të periudhës romantike të Gorkit “Zgalemi” dhe “Stuhija”. Stili i prozës së tij poetike është i dallueshëm për lirizëm të thellë dhe forma sintaksore si “mbi të thinjin shesh” ose “si e zezë vetëtimë” me të cilat ai ruante kadencën dhe ritmin e origjinalit, pa krijuar kurrfarë dizonance. Ja një fragment i paharrueshëm nga “Zgalemi”:

“Mbi të thinjin shesh të detit, era fryn dhe mblidhen retë. Midis detit edhe reve, kryelartë shkon Zgalemi si e zezë vetëtimë. Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngritët reve, dhe këthet dhe retë gjegjin gazin-kthimë të asaj shprese.”

Në periudhën e zbutjes së tensionit politik, në kohën e Hrushovit, Malëshovës iu lutën të përkthente nga origjinali dramën e Çehovit “Kopshti i qershive”. Ai e përktheu, por u zhgënjye kur nuk e pa emrin e përkthyesit në frontespic. Protestoi te drejtoria e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” se e kishin mashtruar, se nuk ishte e drejtë të mos figuronte emri i tij, por ankesa nuk u përfill. Duket se urdhri për t’ia fshirë emrin kishte ardhur nga lart. Shtëpia Botuese iu lut të përkthente edhe vepra të tjera, me kusht që të mos i vihej emri, por Lame Kodra, edhe pse kishte nevoja të ngushtshme të kompensonte rrogën e tij qesharake si magazinier, nuk pranoi. Për të, dinjiteti personal kishte më shumë vlerë se shpërblimi material.

Si e dua Shqipërinë

Poezinë “Si e dua Shqipërinë” e lexova për herë të parë në Antologjinë e klasës I të shkollës unike. I magjepsur prej bukurisë së saj e mësova menjëherë përmendësh dhe nuk e harrova kurrë. Më kujtohet se në shtypin letrar shqiptar të viteve ’60-’70 u ndez një diskutim interesant midis estetëve dhe kritikëve për fillesat e Realizmit socialist në Shqipëri, dhe kujt i takonte të ishte nismëtari. Mendimi se themelet i vuri Migjeni u kundërshtua me argumentin se krijimtaria e tij artistike i përkiste suazave të Realizmit kritik ku temat e mjerimit dhe protestat sociale ishin rryma e viteve ‘30. Kryeveprat e Fan Nolit “Anës lumenjve”, “Marshi i Barrabait” nuk u përshtateshin kallëpeve të Realizmit socialist. As autorë si Qemal Stafa e Veli Stafa, këngë të luftës, poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Shevqet Musarait, nuk i përmbanin elementet e Realizmit socialist. Bartësin e vërtetë të kësaj metode të re letrare, Sejfulla Malëshovën, nuk guxoi ta përkrahte askush. Poezitë e tij të shkruara në prag dhe gjatë viteve të luftës, të mbledhura në vëllimin “Vjersha” më 1945, çelën shtegun drejt metodës së Realizmit socialist, pavarësisht se më vonë kjo metodë u bë gangrena e letërsisë. Poezitë e Malëshovës “Si e dua Shqipërinë” janë modele të shkëlqyera me një konceptim të ri për artin nga këndvështrimi proletar.

“S’kam çiflig e s’kam pallate,

S’kam dyqan me katër kate,

Po e dua Shqipërinë,

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarpë e për një gur,

Për kasollen mi Selishte,

Për dy ara në Zallishte,

-------------------------------

Unë e dua Shqipërinë,

Për tërfilin mi lëndinë,

Për një vajzë gjeraqinë.

Dhe për ujët që buron

Nga një shkëmb e gurgullon

Nëpër lisat gjethe-shumë,

Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë

Për një lule trëndelinë.

--------------------------------

Ku hamalli nëpër skela,

Ngarkon hekur e varela,

Këmbëzbathur bythëçjerrë

Punon vetëm për të tjerë.”

Portretin e dokerit Malëshova e jep me vërtetësi dhe mjeshtëri. Si vargjet “me mesazh” ashtu edhe poezitë me motive shoqërore shquhen për muzikalitet me bukuri të jashtëzakonshme. Për këtë arsye ato mbaheshin mend me lehtësi dhe recitoheshin nga njerëz që mund t’i takoje në çdo kënd. Kështu ngjau që gjatë një stërvitje ushtarake në vitet ’70 dëgjova një oficer të recitonte vargjet:

“Këmbëkryq përmbi selishte

Po nis këngën pleqërishte,

Ndez çibukun dhe kujtoj

Djalërinë që më shkoj.”

I nxitur nga kureshtje e pyeta oficerin nëse e dinte se të kujt ishin vargjet.

-Nuk e di, - më tha, - por më pëlqejnë.

Nuk ia zbulova autorin, se mbase oficeri do skandalizohej, por u gëzova që poezia e Sejfullait ishte jetësuar në formën e vargjeve popullore, si krijime anonime, që përcillen brez pas brezi.

Paradoksi i demokratit të anatemuar

E kam dëgjuar shpesh pyetjen: Si shpëtoi Sejfullai? Si ngjau që Enver Hoxha nuk e pushkatoi apo nuk e burgosi atë ndërsa figura të tjera më pak të njohura dhe me më pak peshë i capërleu? Enver Hoxha nuk shihte kurrfarë rreziku prej tij, as imediat, as potencial, mbasi Sejfullai ishte tip meditativ, i mbyllur në vetvete, njeri i letrave, pa shokë, pa shoqëri, i vetmuar si asket. Partia e eliminoi Sejfulla Malëshovën duke e dënuar me vdekje civile të ngadaltë, të mënjanuar, i lënë për t’u harruar. Për mua, ironia dhe paradoksi manifestoheshin para ekraneve atëherë kur në mbyllje të çdo kongresi të PPSH-së, Byroja Politike edhe delegatët këndonin bashkarisht “Internacionalen” e poetit francez Eugjen Potje, përkthyer shqip nga “liberal-oportunisti” Sejfulla Malëshova. “Internacionalja” tingëllonte paradoksale në gojën e komunistëve superdogmatikë shqiptarë, që të vetizoluar nga gjithë bota bërtisnin “për bllokadë e rrethim të egër imperialisto-revizionist”, ndërsa refuzonin ndihmat e ofruara nga shumë shtete perëndimore, sepse “vinin nga armiq të betuar të vendit të vetëm socialit”.

Sejfulla Malëshova ishte vizionar atdhedashës dhe për artin - Lame Kodra - me mendimet e tij demokratike, me krijimtarinë letrare, me përkthimet e shkëlqyera ishte prurësi i një bote të re në letërsinë dhe kulturën shqipe.

©Naum Prifti