Histori

Në Rambujé nuk kishte marrëveshje, pos nje Casus Belli - Nga Jusuf Buxhovi

Jusuf Buxhovi

Konferenca e Rambujesë, që i filloi punimet më 6 Shkurt të vitit 1999 dhe i përfundoi më 18 mars, u inicua nga Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA, Boris Majorski, Rusi dhe Wolfgang Petrick nga BE. Konferenca ndërkombëtare kishte për qëllim ndërprerjen e luftës si dhe një zgjidhje të përkohshme politike për Kosovën.

Delegacioni i shqiptarëve përbëhej prej gjashtëmbëdhjetë vetësh nga tri grupime: Lidhja Demokratike e Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dërgoi pesë përfaqësues me në krye Hashim Thaçi dhe katër pjesëtarë të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike si dhe dy "të pavarur" (Veton Surroi dhe Blerim Shala).

Ndonëse bisedimet përfunduan pa sukses, delegacioni kosovar kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte pranuar në parim projekt-marrëveshjen politike për vetëqeverisjen në Kosovë.

Nga aspekti diplomatik, edhe pse u quajtën marrëveshje, ato nuk ishin të tilla, meqë u mungonte nënshkrimi i përbashkët i palëve, i domosdoshëm për ratifikime të ndërsjellta parlamentare, që u jep validitet shtetëror dhe ndërkombëtar. Si të tilla, ato paraqesin letra zotuese (diktate të panegociueshne) me nënshkrime të njëanshme, pa kredibilitet diplomatik, por me fuqi politike.

Nga këndvështrimi historik, nënshkrimet e palës shqiptare në marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë (pa atë rus), si dhe refuzimi nga ana e Millosheviçit, krijuan atë që quhet Casus Belli, ngaqë NATO-s ia  plotësuan kushtin kryesor për fushatën ajrore ultima ratio ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe  caqeve të tjera ushtarake në Serbi nga 24 Marsi deri më 10 Qershor 1999.

Fushata përfundoi me Marrëveshjen ushtarake të Kumanovës, më 10 Qershor midis NATO-s dhe Armatës Jugosllave, marrëveshje që ia hapi rrugën Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vënien e Kosovës nën administrim ndërkombëtar. Kështu, Rezoluta 1244 i ktheu në maklaturë gjithë ato letra që prodhoi konferenca e Rambujesë. Ndërsa në Kosovë krijoi realitete politike që më 17 Shkurt 2008 përfunduan me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

©Jusuf Buxhovi