Histori

Aleksandër Moisiu, njeriu që e merrte diellin kudo me vete - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi

Fjalët që shprehin koncepte të mëdha shpesh herë duken sikur vijnë nga një origjinë hyjnore, por në fakt ato reflektojnë një parim të njohur të semantikës, të identifikimit të koncepteve me sendet që i kanë përfaqësuar. Kështu p.sh pak kush mund t’i vejë mendja apo t’i kujtohet nëse ka lexuar diku se fjala tragjedi kaq e nevojshme për të kuptuar dhimbjen, vuajtjen dhe katarsisin njerëzor, të ketë në qendër të saj dhuratën që i jepej fituesit në lojrat e festimet të organizuara për nder të hyut Dionis. Kjo dhuratë që ishte cjapi shumë e denjë për vendet malore, ku konsiderohej një kafshë e shenjtë për të mbarështuar ekonominë e rrjedhimisht dhe për tu flijuar, duket sikur e plebetizon paksa aristokracinë e lartë të fjalëve që pasqyrohet në formën e tragjedisë, por në të vërtetë ata që i kanë dhënë jetë këtj lloji arti skenikë janë aktorët e mrekullueshëm tragjikë.

Etnosi dhe kombi ynë ka pasur fatin të lindë një të tillë të shenjuar në memorjen e kohës me emrin e një heroi të madh të antikitetit si Aleksandër dhe me mbiemrin e një profeti të madh të njerëzimit si Moisi. Aleksandër Moisiu ishte i fundit nga falanga e madhe e tragjedianëve që ilustruan skenat kryesore të Vjenës dhe të Berlinit si Sonnenthal, Matkovski, Leinz, Schildkraut, Albert Bassermann dhe Paul Wegener. Këta shtatë yje, kjo plejadë kanë ndriçuar harkadën e artit skenik gjerman, paralel me Salvini-n, Rossi-n, Eleonora Duse, Zacconi, Ermete Novelli, de Sanctis në Itali, me Mounet-Sully, Sarah Bernhardt, Coquelin, Lucien Guitry, Suzanne Despres, Eduard de Max në Francë.

Nuk e di se çfarë kombinimi më të mirë mund të gjente fjala tragjike sesa kombinimi i këtyre dy emrave në një person, pasi Aleksandri i Madh mbi të gjitha ishte një hero kulturor, njeriu që në çdo përparim të ushtrive të tij ndërtonte dhe institucione të rëndësishme kulturore që shpërhapnin qytetërim dhe Moisiu një profet që udhëhoqi popullin e vet drejt Tokës së premtuar dhe mori dhjetë Urdhëresat e Shenjta duke shpërhapur fjalën e Zotit. Këtë lloj kombinimi e mbivendosje kulturash mund ta gjesh vetëm në Gadishullin Ilirik prej nga ishte origjina e Aleksandër Moisiut, pasi ai ashtu si dhe Aleksandri i Madh është një hero kulturor.

Çfarë mund të ketë trashëguar Moisiu nga vendi i origjinës së vet, qytetet Durrësi e Kavaja ku kaloi disa vite jetës? Si mund të kenë ndikuar këto qytete në personalitetin e tij? Në vitin 1849 peisazhisti britanik Edward Lear shkruan për Durrësin se nga pamja kështjella duket ndërtesë e stilit norman, ndonëse me plot arna e meremetime. Fortifikimet e saj shtrihen tëposhtë faqes së kodrës, deri buzë ujit, ku bashkohen me muret e qytetit. Në disa pjesë të tyre vura re disa mburoja të parzmuara, me ca basoreliefe në formë bufash të gdhendur. Kombinimet e peisazheve përqark janë shumë elegante e të mrekullueshme nga çdo peisazh shqiptar që kam parë.

E mandej ai shkruan për bukurinë rurale të rrethinave të Kavajës që përbehet nga ullinj të mëdhenj që shtrijnë degët mbi shtigje e brigje të thyera, rrugica, ca xhami e një kullë e lartë sahati, figura gegësh të veshur me ngjyra të forta, të zeza, të kuqe, të bardha; varreza me varre xixëlluese; pastaj pemë kopshti që ngriheshin mbi çatitë e kuqërrema dhe oxhaqet e bardhë të lartë; valëzime ullishtash në ngjyrë të gjelbër në të kaltërt ; më tej livadhe të rrafshët e të pafund deri në det, me tufa të pafund bagëtish; ndërsa linjat e kodrave të ulëta e të zbehta në Jug-Perëndim, si dhe Adriatiku i kaltër me Durrësin në kepin e vet shkrihen ëmbël në horizont.

Ndoshta këto përthyerje të pafund peisazesh do reflektonin në zërin e tij magjik. Ndoshta diversiteti fetar e arkitekturor do ndikonte në temperamentin e tij gjithë jetë e pasion. Stefan Cvajg, do të shprehej për zërin e tij “Zëri përkëdhel vetveten, i rrëshqet mendimet e thurura poshtë e lart nëpër shkallë si macja lëmshin në oktava muzikore që ngrihen dhe ulen përgjatë tërë shkallës së instrumentit kumbues të fytit. Nganjëherë njeriu mbyll sytë vetëm për një hop për ta ndier ligjërimin e tij si muzikë…”.

Po a e ndjente veten Moisiu shqiptar? Shumë më vonë, pas 30 vjetësh, në artikullin “Një endërr nga fëminia”, botuar në gazetën “Noje Fraje Prese”, Aleksandri shkruan: “Unë fillova të shkoja në shkollë në Durrës (ky është Durrakiumi i vjetër i romakëve në Shqipëri, në detin Adriatik). Atje mësova të këndoja e të shkruaja gjuhën shqipe dhe greqishten e re. Dhoma ime i kishte dritaret nga deti, unë i shikoja shpesh anijet kur vinin e largoheshin. Ato vinin nga Triestja e udhëtonin për në Korfuz. Triesten une e njihja, atje kisha lindur, kisha udhëtuar me karrocë e me tram-vaj. Atje unë pashë në stacionin jugor një monstrum (lokomotivë) duke ardhur me zhurmë dhe tym...”

Ja si shprehej ai në takimin e datës 29 qershorit 1920 në Vjenë me studentët shqiptarë, i prekur nga konsideratat dhe entuziasmi i tyre: “Miq të dashur, ju faleminderit shumë për nderimet që më rrëfeni. Jam ndodhur në shumë gostira, në shumë mbledhje, kam ndierë shumë gëzime, por ky i kësaj nate, është tjetër gëzim. Ju lutem të më besoni që asnjëherë gjer më sot nuk jam gëzuar si sonte. Nuk mund të ju tregoj dot kënaqësinë që ndiej kur dëgjoj prej jush kaq gjëra të bukura mbi përparimin e zhvillimin e popullit shqiptar...”

Në rastin më të vështirë të jetës së tij gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ra rob te francezët pasi ishte rekrutuar në ushtrinë gjermane, fati do i çonte pranë një bashkëpatriot të tij, Viktor Eftimiun, shkrimtarin dhe figurën e shquar të kulturës rumune nga Boboshtica e Korçës. Moisiun - shkruan Eftimiu - e kisha parë të luante para Luftës së Parë Botërore, por ende nuk e kisha njohur personalisht. Më 1915, duke u gjendur në Berlin, botova një artikull në gazetën “Berliner Tageblatt”. Flisja aty edhe për Moisiun në interpretimin e Hamletit. Ditën e dytë pas daljes së artikullit prita në vizitë aktoren Johanna Therwin, gruan e ardhshme të Moisiut, vejushën e tij të sotme. Më tha se Aleksandri ishte rob në Francë, ishte i sëmurë dhe nëse do qëndrojë akoma midis telave me gjëmba ka rrezik të vdesë. Për habinë time të madhe më tha se vetëm unë mund ta shpëtoj. Lufta ishte në kulmin e saj. Rumania ishte neutrale. Johanna Therwin më parashtroi një plan të cilin e ndoqa pa ndonjë besim të madh në sukses. Pasi u ktheva në Bukuresht ndërhyra pranë Ambasadës së Francës dhe në të vërtetë, ia arrita, aktori i madh u lirua duke u ndërruar me një gjeneral francez, i cili kishte qënë rob tek gjermanët.Veçse Moisiut nuk i lejohej të rikthehej në Gjermani. Deri në mbarim të luftës luajti në Zvicër.

Moisiu i dhuroi skenës temperamentin kolerik shqiptar, butësinë mesdhetare italiane dhe logjikën e ftohtë gjermane. “Shqiptar, italian, gjerman, europian, qytetar i botës” shkruan për të kritiku i teatrit Rudiger Schaper. Por mbi të gjitha tek Moisiu ringjallet tragjikja që mbizotëron mbi sublimen. “Askush nuk vdiq aq shpesh dhe aq mrekullisht bukur në skenë sa Moisiu. Vetëm tek “Kufoma e gjallë” e Tolstoit, gjatë viteve 1913-1935, ai ia veshi vetes me plumb mbi 1500 herë”, - thotë kritiku gjerman Schaper në biografinë për Aleksandër Moisiun.

Shumë e vështirë në fakt për t'i përmbledhur të katërta këto karaktere në një, dhe në kohën kur populli i tij përjetonte tragjedi përndekjeje duke hyrë e dalë nga skenat e historisë. Por Moisiu ishte gjeni, ndaj egzistencializmi në monologun e Hamletit “To be or not to be” merrte vrull dhe i ngjante një poeme kushtuar jetës. “Hamleti” ishte shkruar për Moisiun dhe Moisiu ishte lindur posaçërisht për të interpretuar princin e Danimarkës thotë Max Brod, miku dhe biografi i Franc Kafkës që sëbashku me Kafkën patën fatin ta ndiqnin Moisin gjatë vitit 1903 në Teatrin Gjerman të Pragës.

Kafkës i bëjnë përshtypje sytë e Moisiut. Ai e vendos atë në një sfond mitik të Egjiptit të Lashtë. Moisu - shprehet Kafka është një artist të cilit i rrjedhin vargjet nga koka e tij… (goja me zërin e mrekullueshëm, sytë që flisnin). Duket sikur në thellësinë e syve të tij lëvizin arkiva fotosh bardhë e zi me lëvizje të ngadaltë fantazmash… Mumjet egjiptiane 2000 vjeçare kanë sy të tillë… të fiksuar e të thellë, pa shprehje, të trishtuar, por të paankesë, të rezervuar por prezent… vetëm në pikturat e Lorenzo Lottos mund të gjesh sy të tillë melankolikë mesdhetarë… Moisiu i rrëmben menjëherë njerëzit me sytë e tij, me zërin e tij…

Si mund të ketë ndikuar zëri i tij melodioz në krijimin e imazheve egzistencialiste te Kafka? A mund të kenë qenë hapërderdhjet e Mosiut në skenë për të ilustruar gjoja çmendurinë e Hamletit, fillesat e Metamorfozës? Këtë gjë nuk mund ta dimë por njeriu kulturor gjermanik Moisi nuk mund të qendronte indiferent ndaj ndryshimeve të mëdha që prekën kontinentin. Pastaj-shkruan Eftimiu - shkoi në Rusinë revolucionare. Ashtu si pjesa më e madhe e intelektualëve gjermanë, aktori i madh i pranonte idetë marksiste. Në Rusinë sovjetike, ai dha një sërë shfaqjesh triumfuese. Ishte i pari aktor perëndimor i cili vizitonte vendin e Leninit. Prej atje më solli një siluetë të tij, të gdhendur në dru dhe të ngjyrosur nga një artist sovjetik, e cila e paraqiste në rolin e endacakut nga “Kreu i të këqijave”, një pjesë me një akt të Tolstoit “Ai e ka fajin për gjithçka”… Ky endacak është pritur si mik nga disa njerëz të mirë i është dhënë për të ngrënë dhe për të pirë, por ai kur u largua vodhi një objekt nga shtëpia. E bëri këtë veprim nën mbretërinë e alkolit, i cili është fajtor për gjithçka, kreu i të këqijave. Moisiu ma solli këtë statujë të vogël në Bukuresht, më 1920.

Por ç’përmbante kaq sharm zëri i Moisut dhe loja e tij teatrale? Përse vendet e ftohta, si vende ngjarjesh të tragjedive të mëdha e pëlqenin kaq shumë aktrimin e tij?  Përgjigjen na e jep një personalitet tjetër i madh i kulturës gjermanike, Stefan Cvajg, kur shkruante se “njeriu i Jugut, mbetet gjithnjë njeriu i Jugut. Në mënyrë që të mos ngrijë ai merr me vete diellin e vendit të tij kudo ku shkon”. Cvajg si gjithë të tjerët që jetonin në në Perandoritë e Mëdha, ka shumë mundësi të mos e dinte origjinën e saktë të Moisiut, ose ta identifikonte atë si italian, por përkufizimi i tij mbetet në fakt proverbial. Ndërsa shkrimtari i madh rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu ashtu si dhe Cvajg do t’ia atribuonte vendlindjes së Aleksandër Moisiut muzikalitetin e veçantë të zërit të tij. Aleksandër Moisiu i kishte sytë të mëdhenj, të zinj, magjikë dhe një zë të ngrohtë e të harmonishëm, nga magjia e të cilit pushtoheshin të gjithë dëgjuesit… Ai i jepte gjuhës gjermane një tingëllim dhe një muzikalitet mesdhetar, të cilin e sillte nga brigjet plot me diell të Adriatikut. Secili artist bart në vete dhe reflekton nostalgjinë e atdheut.

Shqiptarët janë vërtetë njerëz të komunikueshëm dhe në të njëjtën kohë gjithë pasione, pra nëse ndonjëherë do na ndërrohej mendja për të mos u quajtur më bij shqiponjash, në ndihmë do të na vinte Moisiu, për të na thirrur si “njerëz që marrim me vete diellin kudo që shkojmë”. Kjo mund të shndrrohet dalë nga dalë në një dilemë kulturore, e gjithmonë aty nëse do duam të respektojmë më tepër fjalën do na vijë në ndihmë Aleksandër Moisiu, Hamleti dyshues i botës shqiptare.

Burimet:

1) Edward Lear në Shqipëri. Plejad, Tiranë, 2008.

2) “Një ëndërr nga fëminia”, Noje Fraje Prese.

3) Pjetër Logoreci. “Aleksandër Moisiu, burri me kombësi të përbotshme”. Kultplus 23 Mars, 2018.

4) Viktor Eftimiu. “Aleksandër Moisiu: Erdha në Rumani të falenderoj Viktor Eftimiun se më shpëtoi nga kampi i robërve”. Gazeta Exlibris, 29 Shtator 2020. 

©Dorian Koçi