Histori

2 Prilli 1991 dhe disa të dhëna dokumentare - Nga Kastriot Dervishi

Kastriot Dervishi

Më 2 Prill 1991 u bë demonstrimi i rreth 20 mijë vetave (sipas burimeve dokumentare) përpara Komitetit të PPSH-së në Shkodër. Në informacionin e parë të drejtuar në Tiranë, thuhej se “grupe vandalistësh, të organizuar, kanë bërë miting të kundërligjshëm në qytetin e Shkodrës”, duke thirrur “Poshtë Partia e Punës”, “Enver-Hitler”, etj.

Ky informacion është interesant pasi thotë shprehimisht “në përpjekje me forcat e rendit” ishin vrarë 3 persona dhe plagosur 11 të tjerë”, ndërsa nga forcat e Degës ishte plagosur shefi i Policisë, zëvendësshefi i Policisë, dhe komandanti i repartit të Policisë, etj, si dhe plagosur e rrahur sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit.

Teksti që është i datës 2 prill 1991 nuk justifikon asnjë vrasje të ndodhur, por i pranon si veprime normale të ndodhura në atë situatë. Në një raport të mëvonshëm personat e vrarë renditen kështu: Arben Broci, inxhinier në Fabrikën e cigareve, anëtar i PD, 24 vjeç; Besnik Ceka, 29 vjeç, punëtor në NSHRAK; Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD. Më 4.04.1991 vdiq nga plagët e marra në spitalin e Tiranës edhe Nazmi Kryeziu rreth 45 vjeç.

Me çeljen e sesionit të ri të Kuvendit Popullor, më 17.4.1991, Partia e Punës nuk pranoi të mbajë zi për ata që u vranë në 2 Prill 1991.

***

Pas ngjarjes u fol për arratisjen në Greqi të 5 policëve që kishin kryer shërbimin atë ditë. Duke i bërë një analizë të shkurtër atyre, rezulton se sikundër shefat e tyre, ishin shumë të indoktrinuar politikisht. Një karakteristikë e shkurtër e 5 policëve jepet më poshtë:

1- Lekë P., nënoficer, nga Mnellë e vogël, vitlindja 1969. Polic nga data 16.7.1990. Me arsim 2-vjeçar policor. Kishte në fis anëtarë të PPSH. Sipas një pohimi “i ka marrë automatikun me dy këmbë një shoku tonë dhe ka qëlluar deri sa arma iu bllokua”. Sipas një deklarate tjetër kishte thënë: “Kam qenë me shërbim te Komiteti i Partisë dhe kam qëlluar me armë në drejtim të demonstruesve dhe kam vrarë”.

2- Pal V., nënoficer, nga Boga, vitlindja 1969. Polic nga data 16.8.1988. Me arsim 2-vjeçar policor. Sipas informacioneve të grumbulluara, pas ngjarjes ishte mbyllur në fshat dhe duke u mburrur deklaronte: “Kam marrë pjesë në biseda me forcat e rendit për të shpërndarë demonstruesit. Kam qëlluar me armë në drejtim të tyre. Jam plagosur në dorë dhe fytyrë nga gurët që hidhte turma”. Në origjinë kish pasur gjyshin partizan. Ishte bir anëtari partie dhe brigadieri kooperative.

3- Fahri R., nënoficer, nga Grizha e Shkodrës, vitlindja 1969. Polic nga data 1.1.1991. Kishte një dajë Hero të Punës Socialiste, një tjetër anëtar të PPSH. Një vëlla kandidat i PPSH-së. Ky ishte trembur sepse një anëtar i Partisë Demokratike e kishte trembur me një foto të 2 Prillit 1991. Nga kjo kohë nuk donte më të bënte shërbim në Shkodër.

4- Përparim O., nënoficer, nga Gruemira e Shkodrës, vitlindja 1969. Kishte qenë 2 vjet ushtar dhe fill më pas polic nga data 16.10.1990. Shkruante se shtëpia e tij kish qenë “bazë e luftës nacionalçlirimtare”, ndërsa vëllai dhe dy xhaxhallarë ishin anëtarë të PPSH.

5- Nik P., nënoficer, nga Klosi i Mirditës, vitlindja 1967. Polic nga data 1.9.1987. Me arsim 2-vjeçar policor. Shkruante se gjyshi i tij kishte ndihmuar gjatë luftës partizanët, ndërsa në fis kishte 6 anëtarë partie.

Për dy të fundit, nuk disponoheshin të dhëna, por dihej që më 2 Prill 1991 ishin me shërbim në Komitetin e PPSH-së në Shkodër.