Histori

Një fortifikatë mesjetare, pararojë e pasurive minerale të Trepçës - Nga Jahja Drançolli

Jahja Drançolli

Pranë Trepçës, në pjesën jugore të zonës së fshatit të sotëm Rashan, ruhen rrënojat e një kështjelle të quajtur “Gjytet” ose “Qytet”. Qyteti i Rashanit është një fortifikim i periudhës së hershme bizantine, i ndërtuar gjatë shekujve IV-VI, rreth 5 km larg nga Mitrovica, në dokumente si fortifikatë e Trepçës, e cila përmendet për herë të parë në vitin 1303.

Ka një pozitë të favorshme gjeografike dhe me një lartësi prej 851 m, ishte pararojë e burimeve minerale të Trepçës, si dhe kontrollonte rrugën kryesore, e cila shkonte nga Municipium DD për në Zveçan, Trepçë dhe Llap, si dhe rrugën tjetër Trepça-Vicianum-Novobërdë. Rrënojat e fortifikatës së quajtur nga vendorët “Gjyteti” ndodhen në një kodër të pjerrët, nga ku pamja përreth ka qenë gjithëpërfshirëse. Nga kalaja mund të shihni pothuajse të gjithë Rrafshin e Kosovës.

Në shek. XIX arkeologu britanik Arthur Evans përmend Municipium DD, si dhe një kështjellë me emrin e tregtarëve raguzanë, “Montagna dell Argento” (“Monte Argentaro”), ndërsa e ashtuquajtura “Tabula Peutingeriana” përmend me emër “Argentaria”. Bazuar në materialin e ndërtimit, kalaja i përket arkitekturës mesjetare, megjithëse objektet e luajtshme arkeologjike flasin për një vendbanim shumë-shtresor. Trashësia e murit rrethues të fortifikatës është rreth 2 m, ndërsa lartësia e mureve të ruajtura deri më sot është 2-3 m.

Fortifikata është e vendosur në majë të një shkëmbi, lartësia e të cilit është nga 80 deri në 100 m. Anët veriore dhe lindore të fortifikatës kishin mbrojtje natyrore, ndërsa anët perëndimore dhe jugore mbrohen me mure. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen këtu është ekzistenca e një strukture drejtkëndëshe që supozohet të jetë një cisternë. Cisternat, si strukturë kanë depozituar sasi të mëdha uji dhe e kanë furnizuar këtë vendbanim të madh dhe të rëndësishëm, i cili ndodhet larg rrjedhave ujore.

©Jahja Drançolli