Histori

Problemi me të cilin jetojmë të gjithë - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Toronto

Gjashtëdhjetë e një vjet më parë, në 14 Nëntor 1960, një vajzë gjashtë vjeçare e quajtur Ruby Bridges shoqëruar nga e ëma dhe katër marshallë federalë kalonte përmes një turme të acaruar protestuesish drejt shkollës fillore William Frantz në New Orleans, që në atë kohë kishte vetëm nxënës të bardhë.

Ditën e parë të shkollës ajo e kaloi në zyrën e drejtorit, ndërkohë që shumë prindër filluan t’i tërhiqnin fëmijët nga shkolla. Për pjesën tjetër të vitit shkollor Ruby ndoqi mësimet në një klasë më vete nën kujdesin e mësueses Barbara Henry. Hante bukë vetëm dhe shkonte në banjë e shoqëruar nga marshallët federalë.

Pavarësisht nga presioni i protestuesve, Ruby nuk mungoi asnjë ditë në shkollë. Marshalli Federal Chares Burks kujton se Ruby-t nuk i bënte syri tërr nga zhurmat e protestuesve rreth saj. “Ajo ecte drejt përpara si një ushtare në marshim.” Nga fundi i vitit protestat u shuan dhe nuk ishte më e nevojshme që të shoqërohej nga marshallët.

Në vitin 1963 piktori i famshëm amerikan Norman Rockwell krijoji një pikturë për nder të Ruby-t, të cilën e titulloi: Problemi me të cilin jetojmë të gjithë. Në 2011 Museumi Norman Rockwell ia dha pikturën hua Shtëpisë së Bardhë për ta ekspozuar për një farë kohe në Kahun Perëndimor. Përpara shtatë vjetëve, në 14 Nëntor 2014, në oborrin e shkollës fillore William Frantz u përurua një statujë e Ruby Bridges.

Ruby Bridges vazhdon veprimtarinë në mbështetje të tolerancës dhe integrimit përmes Fondacionit Ruby Bridges të krijuar në vitin 1999. “Mos ndiqni rrugë të shkelura,” thotë ajo. “Ecni atje ku s’ka kaluar njeri dhe hapni shtigje të reja. Kur nisni një shteg të ri të pajisur me kurajo, forcë dhe bindje, e vetmja gjë që mund t’iu ndalë eshtë vetvetja.”