Roli dhe prania e luftëtarëve shqiptarë në Europën Veriore në shekullin XVI - Pjesa e dytë
- Nga: Ardian Muhaj

Një kronikë e luftrave të stratiotëve shqiptarë në fushatën e vitit 1545 në Skoci u shkrua nga Nikandër Nukis nga Korfuzi i cili shoqëroi në pozicion joushtarak fushatën angleze. Forcat stratiote në këtë fushatë udhëhiqeshin nga Tomas Bua, apo Toma nga Argosi. Nukis i shoqëroi Tomas dhe ushtrinë angleze deri në lumin Tweed që ndan Anglinë dhe Skocinë ku kalorësia e lehtë stratiote kreu inkursione kundër skocezëve. Kjo fushatë në jug të Skocisë edhe pse nuk zgjati shumë ishte e përgjakshme. Gjenerali Hertford me forcat e tija angleze e të huaja mbasi kaloi kufirin në fillim të shtatorit përparoi drejt Roxburgh në zonën e Kelso.
Në ditët në vazhdim Melrose, Dryburgh, megjithë abacitë e tyre dhe një numër fshatrash më të vogla u dogjën. Nga mesi i shtatorit ndërkohë që Hertfordi ndëshkonte me zjarr e hekur këtë qytet me rrethina, rreth 1500 kalorësi e lehtë mes të cilëve edhe një numër stratiotësh shqiptarë e vazhduan bastisjen edhe më thellë në territorin skocez. Pastaj u kthyen drejt Northumberland, duke djegur e pjekur përmes zonës së Merse deri sa mbërritën në Norham më 23 shtator. Emrat e një numri të madh mercenarësh që ndodheshin në Angli dalin në llogaritë financiare të Sir Thomas Chaloner, punonjës i Privy Council, i ngarkuar në verën e vitit 1545 si dërgues fondesh trupat e huaja, që ndodheshin në fushatën e komandantit Hertford në veri.
Thomas Chaloner
Gjatë maj-qershorit. ai dërgoi fonde e rroga për afërsisht 10 njësi të tilla, shqiptarësh, gjermanësh, italianësh dhe spanjollësh. Të dhënat e regjistruara nga Chaloner zbulojnë në njëfarë mase mënyrën e organizimit të stratiotëve. Në dy skuadrat e shqiptarëve të paguara prej tij për periudhën deri më 30 maj mund të zbulohet zinxhiri i hierarkisë stratiote, ngjashëm me atë që ekzistonte në kompanitë angleze. Tre oficerë përmenden: një kapiten, asistenti i tij, një nën-kapiten ose lejtnant dhe një ndihmës.
Trupat e komanduara nga Hertfordi mbas “paqëtimit” të skocezëve, rreth 5 apo 6 mijë, duke përfshirë edhe reth 2600 të huaj kaluan La Manshin në fund të Marsit. Atje ai u bashkua me pjesën më të madhe të mercenarëve që e kishin shoqëruar në fushatën e Skocisë. Dy komandantë shqiptarë Antonio Stesino dhe Nicholas Cresia mbas fushatës skoceze ishin pranuar në janar secili në krye të 50 kalorësve nën komandën e Buas në Boulogne. Numri total i forcave nën Hertfordin në Francë mbërriti në 30 mijë mes të cilëve edhe mjaft shqiptarë. Detyra e tyre ishte të ndihmonin Herftordin në ndërtimin e një fortese të re në Ambleteuse rreth 10 km në veri të Boulogne-s.
Pjesa tjetër e ushtrisë nën Lord William Grey në përbërje të së cilës ishin gjermanë, dhe 40 kalorës shqiptarë të skuadrës së Buas i bëri një pritë kalorësisë së Vendôme. Nga ana angleze mbetën të vrarë vetëm dy këmbësorë, rreth apo 50 kalorës francezë u zunë rob dhe rreth 100 ushtarë e kalorës u vranë. Henri VIII shprehu ngazëllimin për këtë fitore në një letër drejtuar komandantit Hertford në 26 maj. Si pasojë një armëpushim u nënshkrua në Camp, ndërmjet Guines dhe Ardres, më 7 qershor.
Mbas fushatës kundër Skocisë më 1546 edhe Thomasi me stratiotët e tij u dërgua nga Henry VIII në Francën veriore në betëjën e Boulogne-s si komandant i një batalioni prej 550 vetash dhe madje u plagos në betejë. Mbreti anglez e shprehu publikisht vlerësimin e tij për guximin dhe aftësitë drejtuese të Tomasit në këtë betejë duke e shpërblyer me një shumë të mirë parash. Kronisti nga Korfuzi përshkruan një përballje mes njësisë së Tomasit prej 550 vetash dhe një njësie franceze më të madhe rreth një mijë vetash gjatë rrethimit të Boulogne-s. Ai përshkruan taktikat e padëgjura më parë të stratiotëve kundër kalorësisë së rëndë franceze. Stratiotët u zunë pritë francezëve që po vinin nga Boulogne në të dalë të dritës dhe me manovrime të shpejta i bënë të tërhiqen duke lënë 360 francezë të vrarë përkundrejt vetëm 35 stratiotëve të mbetur në betejë. Megjithatë fati i tij mbas kësaj fushate duket se ishte tragjik, mbasi mendohet se u u kap nga francezët dhe u ekzekutua në Torino më 1546.
Henri VIII
Mbështetja e anglezëve në forcat e huaja vazhdoi edhe mbas vdekjes së Henrit VIII, edhe pse në përmasa më të vogla. Në fushatën kundër Skocisë në shtator 1547 ushtria angleze përfshinte sërish një numër të lartë mercenarësh. Me këtë rast ushtria skoceze u thye keqas në Pinkie Cleugh dhe Leith, porti i Edinburgut, u dogj. Por në mbretërimin e Edwardit trupat e huaja filluan të përdoren për të mbajtur rendin brenda vetë Anglisë. Roli i tyre qe i rëndësishëm në shtypjen e dy rebelimeve që vunë në rrezik kurorën angleze në 1549. Mijëra mercenarë shumica e të cilëve veteranë të fushatave skoceze u përdorën. Emrat e një numri të madh të tyre janë ruajtur në dokumente, ku dalin veçanërisht shumë italianë, gjermanë, spanjollë dhe shqiptarë. Nënshkrimi i paqes me Francën solli si rrjedhojë zvogëlimin e dukshëm të pranisë ushtarake të huaj.
Padyshim që angazhimi në kontingjentet stratiote kishte rreziqe të mëdha. Në një dokument të marsit 1589 nga Dieppe, mësojmë se 400 kalorës “Albanoys”, ishin thyer në Flandër gjatë rrugës për t’iu bashkuar gjeneralit de Maine.
Shpesh ecejaket e tyre nëpër Europë i çonin në skajet më të largëta të kontinentit. Në qershor të viti 1593 nga Kalais, njoftohej se kapidan Giergio Cresis që kishte udhëhequr një kompani kalorësish në Belgjikë i dërgonte një letër Lord Willoughby, ku i kërkonte një lejekalimi për veten dhe disa njerëz të tij për të kaluar përmes detit në Spanjë me qëllim që të kërkonte shpërblim për shërbimet nga mbreti i Spanjës, dhe më pas do kalonte nga Spanja në Itali për t’i shërbyer Dukës së Toskanës.
Mërkur Bua
Kalorësia e lehtë shqiptare si fenomen kulturologjik
Veprimtaria e stratiotëve është pasqyruar në veprët e shumë kronistëve dhe autorëve që nga shekulli XV, si Charles Oman, Marino Sanuto, Philip de Comines, Konstantinos Sathas, John Hale, e M. E. Mallett, etj.
Kalorësia e lehtë Angleze e quajtur Kalorësia e Veriut ose e Kufirit ishte e njohur në sulme të befasishme dhe prita. Mirëpo interesant është fakti se kur flitej për vlerat dhe aftësinë e kësaj kalorësie anglo-skoceze, si model krahasimi përdorej kalorësia e lehtë shqiptare. Kështu në tetor 1553, Sir John Wallop i pohonte perandorit Karlit V, se Kalorësia e Veriut mund t’ua kalonte deri edhe stratiotëve shqiptarë në aftësitë luftarake. Megjithatë kur perandori i pa kalorësit e veriut në betejë kundër francezëve, ai i krahasoi ata me kalorësinë e lehtë magrebine. Në të vërtetë kishte një ngjashmëri ndërmjet taktikave dhe armatimit të Kalorësisë së lehtë angleze me llojet e tjera bashkekohëse të kalorësisë së lehtë, por secila kishte edhe veçoritë e veta.
Arsyeja e këtij krahasimi vinte ngaqë perandori nuk i kishte me sa duket njohuritë për të krahasuar kalorësinë angleze me atë shqiptare, prandaj i krahason ata me një shembull të cilin ai e njihte më mirë, atë të kalorësve magrebinë. Në trajtesën e Fernández de Andrade, rreth kalorësive të lehta, edhe kur ai lëvdon stratiotët shqiptarë, nuk e lë pa përshkruar edhe përdorimin nga ana e tyre të veshjeve karakteristike dalluese, siç janë kapelet shqiptare (“bonnets albanaises”). Sipas Irigoyen-García, ka një lidhje të qartë dialektike ndërmjet stileve kalorësiake të Spanjës dhe Shqipërisë gjatë shekullit XVI që nuk është studiuar si duhet.
Në perceptimin e kohës stratiotët shqiptarë shpesh përshkruhen si “turq” për shkak të mënyrës dhe taktikës së luftimit, por edhe për shkak të veshjes së tyre, megjithatë duhet pasur parasysh se ky identifikim mbështetej më tepër në mosinformimin e vëzhguesve apo përshkruesve në fjalë. Siç e përmendëm më lart, nga mosnjohja edhe perandori spanjoll Karli V një veshjet të tillë orientale u jepte edhe kalorësve të veriut të Anglisë. Pra, ky perceptim i “orientalizuar” i mënyrës së luftimit stratiot ishte më i theksuar në dëshmitarët nga vendet e Europës Veriore, për të cilët edhe kalorësia e lehtë spanjolle e kohës, “jinetas”, perceptohej si maure apo magrebine. Madje për autorin francez Philippe de Comines, stratiotët shqiptarë dhe “jinetas” spanjollë ishin pak a shumë e njëjta gjë.
Nga ana tjetër, vëzhgues më të afërt me realitetin mesdhetar, siç është rasti i spanjollit Fernandez de Andrade, kishin një perceptim më të saktë, duke e përshkruar kalorësinë e lehtë spanjolle e shqiptare, apo jinetas e stratiotë, jo si magrebinë e turq, por si tradita kalorsiake të dy popujve europianë nga dy skajet e Mesdheut, të cilët për shkak të sinkretizmit kulturor që pasqyrojnë, perceptoheshin si orientalë nga vëzhguesit e largët.
Burimi: Studime Historike 2016, Vol. 70 1/2, f. 81-97.











