Histori

Si u sollën eshtrat e Ismail Qemalit në Vlorë - Nga Kastriot Dervishi

Kastriot Dervishi

Ismail Qemal Vlora (1844-1919), ndërroi jetë në Itali më 24 Janar 1919. Trupi pa jetë i tij iu soll në Vlorë, ndërsa ceremonia e varrimit u zhvillua më 12 Shkurt 1919. U varros në Kaninë, pranë eshtrave të Ferit Pashë Vlorës.

Vite më vonë, çështja e mirëmbajtjes së varrit të tij dhe kthimit në një vend pelegrinazhi u shtrua në Parlament. Në mbledhjen e datës 11 Dhjetor 1931, deputeti Petro Poga tha se vizitoi sëbashku me kolegun e tij Ibrahim Xhindi, varrin e Ismail Qemalit në Kaninë dhe se ishin befasuar nga gjendja jo e mirë që kishin parë. Pasi u bisedua për rregullimin e varrit, sjelljen e eshtrave të tij në Vlorë si dhe ngritjen e një monumenti aty, deputeti Abdurrahman Salihu deklaroi se për një qëllim të tillë, Mbreti Zog kishte paguar shumën e 1 mijë frangave ar.

Më 22 Nëntor 1932 Parlamenti nisi punimet në sesionin e parë të tij pas zgjedhjeve të reja. Përpara se të zgjidhte kryesinë e tij, zgjodhi përfaqësuesit e vet që do merrnin pjesë në ceremoninë e rivarrosjes së Ismail Qemal Vlorës, deputetët Eshref Frashëri dhe Zoi Xoxa. Përveç tyre në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësuesi i Mbretit Zog, gjenerali Leon de Gilhardi si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, Milto Tutulani dhe Hilë Mosi.

Ceremonia u zhvillua në Vlorë më 28 Dhjetor 1932. Et’hem Vlora i dorëzoi prefektit Abedin Nepravishta, flamurin e 28 Nëntorit 1912. Prefekti ia përcolli ministrit të Arsimit, Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar. Pas zhvarrimit në Kaninë, u zhvillua ceremonia në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Këtu varri i ri ishte bërë prej mermeri, i punuar nga skulptori i talentuar Odise Paskali, përfshi përmendoren e rojës së përhershme.

Gjeneral Leon de Gilhardi, në emër të Mbretit Zog zbuloi pllakën e monumentit dhe mbajti fjalën e rastit. Pas tij, ministri i Arsimit, Hilë Mosi ka thënë midis të tjerash: “I dashtuni Mbreti ynë, Zog I, i frymëzuem nga ndjenja e nderimit për hartonjësin plak të indipendencës sonë, desh që eshtnat e këtij veterani të prehen në një varr madhështor në një shesh të dukshëm historik të qytetit të tij lindor, për t’i simbolizuar brezave të sotëm e të ardhshëm, bindjen e dashuninë që duhet të kenë rrënjosur ndër zemrat e tyne për atdhe e për flamur”.

*Në foto ceremonia e vitit 1932, çasti sapo janë rivarrosur eshtrat e Ismail Qemal Vlorës.