Historia e Spitalit të Tiranës - Nga Saimir Kadiu
Saimir Kadiu
90 vjet me pare, kur inagurohej spitali i Tiranës, “Zogu I”, sot “Nënë Tereza”, (1 Shtator 1932), fjalen e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari. Drejtori i pare i këtij spitali (asokohe me 200 shtretër) ishte Dr. Osman Jonuzi.
Pas caktimit kryeqytet nga Kongresi i Lushnjës më 1920, qyteti i Tiranës u përball me një nga detyrat e para të caktuara prej Kongresit, krijimin e një Spitali Publik. Me ardhjen e Kryqit të Kuq Amerikan në vitin 1919 në Shqipëri dhe Tiranë, erdhi dhe hapja e një spitali me 20 shtretër në një shtëpi tiranase. Në atë qendër janë kryer operacione kirurgjikale nga amerikania Buck që ishte dhe drejtoreshë e spitalit, por aty punonte kryesisht si kirurg doktori Osman Jonuzi.
Duke qenë se kushtet u përgatitën për formimin e një spitali publik në 1920 u themelua spitali i parë publik në kryeqytetin e ri, drejtor i të cilit u caktua Dr. Osman Jonuzi. Spitali prej 50 shtretërish pranë Sahatit të Tiranës organizohej në disa reparte: kirurgjia, Dr. Osman Jonuzi, Patologjia, Dr. Syrja Pojani dhe Dr. Ruzhdi Bobrati (kirurg dhe patolog). Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100-200 operacione të ndryshme nga Dr. Jonuzi dhe Dr. Bobrati.
Më tej qendra u pasurua me shërbimin e mjekëve të specializuar rishtazi jashtë vendit si Dr. Sabri Tefiku dhe Janko Theodhosi (patholog), Dr. Ismail Tartari si Radiolog (themelues i radiologjisë shqiptare) gjithashtu edhe mjekët e specialiteteve të ndryshme si Kristo Kristidhi, okulist, Besim Zyma, otorino-laringolog, Jorgo Jorgoni, pediatër, Vasil Laboviti kirurg ndihmës, etj. Me këmbënguljen dhe kontributin e Dr. Jonuzit, të kryetarit të bashkisë Avokat Ali Begeja dhe të prefektit Abedin Nepravishta në 1928 nisi projekti i ndërtimit të Spitalit Zogu I, që sot njihet si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Për realizimin e projektit ndihmuan gjithashtu Giulio Perte dhe pasi Qeveria e kohës bëri pagesën e të gjithë pronarëve në vlerën 10.000$, firma Ragazzi nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej ndër spitalet më të mirë në Ballkan, me një sërë repartesh dhe kapacitet prej 200 shtretër. Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932 dhe fjalën e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari, i cili u caktua njëkohësisht dhe Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Drejtor i këtij spitali vazhdoi të ishte Dr. Osman Jonuzi i cili njëkohësisht u caktua dhe drejtor i përgjithshëm i Shëndetësisë Shqiptare.
Në vitet 1932-1945 në Spitalin e Tiranës kishte reparte të shumta të disiplinave mjekësore, duke shtuar këtu edhe pavionin antituberkular dhe repartin e lindjeve të ngritur prej Dr. Sabri Tefikut në 1937, me përgjegjës Kirurgun-Obstetër Spiro Treska. Më pas ekipi i mjekëve u rrit me ardhjen e mjekëve Dr. Frederik Shiroka, Dr. Mukini, Stefan Pano, dermatolog, Xhanfize Basha, Remzi Fico etj. Gjithashtu në spital kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të huaj të ardhur nga Europa si Dr. Questler, Dr. Demner, Dr. Schlesinger, Dr. Lehman, Dr. Kalmar etj.
Deri në 1945 ky spital kishte një organizim të përafërt me atë të këtyre ditëve, si një njësi që funksionon me reparte të veçanta. Pas vitit 1945 spitali u organizua dhe u nda në 5 spitale, përkatësisht me nr. 1, 2, 3, 4 dhe 5, të cilët vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, por të grupuar në një kampus me administrim të përgjithshëm të përbashkët.
Siç njihet dhe funksionon sot, QSUT u krijua në vitin 1993 dhe me VKM Nr. 352, datë 09/09/1997, pika 5 është emëruar “Nënë Tereza”.
©Saimir Kadiu











