100 vjet më pare: Kostë Çekrezi dhe njohja e Shqipërisë nga SHBA - Nga Ilir Ikonomi
Ilir Ikonomi, SHBA
Në fillim të vitit 1920, Kostandin Çekrezi nga Ziçishti, njeri i shkolluar në Harvard, nuk linte rast pa ndërhyrë pranë Departamentit të Shtetit që Amerika ta njihte Shqipërinë.
Çekrezi ishte komisioner i Shqipërisë në Uashington dhe zelli i tij kishte rënë sy. Ai kishte patur një takim me Sekretarin e Shtetit, Bainbridge Colby, të cilit i kishte argumentuar se përse Amerika duhet ta njihte Shqipërinë.
Përgjigjja e Colby-t ishte se duhej pritur.
Deri në fund të vitit 1921, Shqipëria ishte njohur zyrtarisht nga pothuajse të gjitha vendet kryesorë evropianë si dhe nga fqinjët.
Çekrezi shkoi përsëri në DASH dhe takoi Ndihmës-sekretarin, Fred Dearing, të cilit i tha se qeveria amerikane duhet të bënte të njëjtën gjë.
Dearing ua komunikoi këtë me shkrim eprorëve me rekomandimin që SHBA ta njihte Shqipërinë.
“Shqiptarët, - shkruante ai, - kanë shfaqur një unitet, shkathtësi dhe energji që nuk pritej në politikën që kanë ndjekur ndaj tre shteteve të interesuar për të sabotuar interesat e tyre. Por këto rezultate janë më pak të habitshëm kur mendojmë se në të vërtetë Shqipëria nuk u nënshtrua kurrë nga turqit dhe se gjatë 400 vjetëve të fundit, shumë nga zyrtarët më të aftë të Perandorisë Osmane kanë qenë shqiptarë.”
Dearing fliste edhe për interesin ekonomik që do të kishte SHBA te Shqipëria, sidomos te nafta, për të cilën kishte shenja premtuese. Shoqëria amerikane Standard Oil kishte filluar në Shqipëri kërkimet për naftë, pas kompanive britanike dhe italiane.
Veç kësaj, - shkruante Dearing, - “elementi i konsiderueshëm shqiptar në SHBA si dhe besimi tek Amerika që ndihet kaq shumë, do të ishte një plus i madh për kultivimin e këtyre marrëdhënieve me Shqipërinë”.
Por çështja nuk po përparonte.
Në fillim të marsit 1922, Çekrezi pati disa biseda me këshilltarin për tregtinë e jashtme në DASH.
Në njërën prej tyre ai paraqiti një tabllo të zbukuruar të gjendjes në Shqipëri, duke i deklaruar këshilltarit se një gjeolog i huaj kishte zbuluar atje rezerva platini. Ai propozoi që Shqipërisë t’i jepej një kredi prej 10 milion dollarësh, me kolateral koncesionet e ndryshme, duke përfshirë atë të naftës.
Me gjithë përpjekjet e Çekrezit, në fillim të prillit 1922 qeveria shqiptare e informoi atë se e kishte shkarkuar nga detyra e komisionerit dhe se po e mbyllte zyrën në Uashington.
Çekrezi ua komunikoi lajmin zyrtarëve të DASH, të cilëve u tha se qeveria shqiptare mendonte se ai kishte dështuar në misionin për njohjen e Shqipërisë nga Amerika. Por një zyrtar i tha se njohja ose mosnjohja nuk kishte lidhje me Çekrezin si person.
Disa javë pas shkarkimit të Çekrezit, më 27 prill 1922, Sekretari i Shtetit, Hughes, njoftoi Konsullin e Përgjithshëm amerikan në Tanger, Maxwell Blake, se Departamenti i Shtetit po shihte mundësinë e njohjes.
Ai i kërkoi zotit Blake të shkonte në Shqipëri dhe t’i raportonte mbi gjendjen e vendit, mbi qëndrueshmërinë e qeverisë shqiptare dhe mbi interesat amerikanë.
Blake shkoi në Shqipëri në fillim të qershorit dhe përgatiti një raport mjaft pozitiv. Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj interesave amerikanë është veçanërisht i favorshëm, shkruante Blake, dhe i rekomandonte Departamentit të Shtetit njohjen e Shqipërisë.
Si argument të parë për rekomandimin e tij, Blake thoshte se “njohja do të ishte një nxitje morale për popullin shqiptar, i cili ndodhet në një fazë kritike të luftës së tij për pavarësi”.
Blake i rendiste faktorët materialë si arsye të dytë. Herët a vonë, njohja do të vijë, shkruante ai. Por do të ishte mirë nëse ajo bëhet menjëherë.
Nga fundi i korrikut 1922, Departamenti i Shtetit i dërgoi një telegram urgjent komisionerit të saj në Tiranë, Maxwell Blake, ku thuhej:
“Më 28 korrik, ju mund ta njoftoni me shkrim ministrin e Punëve të Jashtëme për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara… Fakti i njohjes do të jepet për botim në gazetat e mëngjesit të datës 28 korrik".
(Sipas dokumenteve nga arkivi i SHBA)