Histori

Hora e Arbëreshëve - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi

Hora e Arbëreshëve (“Piana degli Albanesi”) afër Palermos në Siçili, është themeluar më 30 gusht të vitit 1488. Më mirë se çdo vendbanim arbëresh, Hora ruan me shumë dashuri e fanatizëm gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare.

Hora me mbi 6.500 banorë, shquhet edhe si kryeqytet i arbëreshëve, që dha figura të famshme që nga periudha e Letërsisë së vjetër shqipe, siç ishte prifti dhe gjuhëtari Lekë Matranga e deri te periudha e Rilindjes Kombëtare, siç ishte poeti Zef Skiroi.

Ashtu siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, përpjekjet identitare të elitës arbëreshe zgjuan tek vetë popullsia arbëreshe, imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë.

Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik, për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturor të teorisë së nacionalizmit.

©Dorian Koçi