Ditët kur lindi Liceu Kombëtar - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
Në 22 janar 1917 koloneli Descoins, komandanti ushtarak francez i territorit të Korçës, i nxitur nga patriotët korçarë arësimdashës, i dërgon këtë letër Komandës të Armatës së Lindjes në Selanik:
“Qënia e një Liceu francez në Korçë kontribuon për të mbajtur gjallë kujtimet e bukura dhe të mira për Republikën Franceze. Shqipëria është vërtet një fëmijë i vogël që nuk di kurgjë, por kërkon të mësojë. Franca është nëna e saj dhe roli qytetërues i saj njihet prej të gjithëve edhe në Shqipëri. Shqiptarët shprehin dëshirën e madhe për të patur një Lice të ngjashëm me tanët, ku të mësojnë fëmijët e tyre. Në Shqipëri Franca mund të bëjë ç’të dojë, vetëm nëse dëshëron ta bëjë”.
Nuk vonoi dhe në 15 mars 1917 vjen përgjigja e Komandës të Lartë:
- Komandës ushtarake të territorit të Korçës.
- Kolonelit Descoins - Komandant ushtarak
- Zotërinjve anëtarë të Këshillit Vetqeverisës të Kazasë së Korçës.
“Nuk mund veçse të aprovoj vendimin tuaj, për të krijuar shkollën kombëtare shqiptare, duke marrë për bazë të mësimit studimin e gjuhës së të parëve. Në të vërtetë, nëpërmes shkollës kombëtare fitohen virtutet atdhetare, që zhvillojnë tek fëmija cilësitë, që më vonë do ta bëjnë një qytetar të vërtetë. Duke ju përgëzuar për masën e shkëlqyer që keni marrë, e ndjej gjithashtu se duhet T’ju falenderoj, në emër të Francës, për dëshirën tuaj, që në shkollë të mësohet gjuha frënge krahas gjuhës amtare. Do të isha i lumtur të shihja Komisionin e emëruar nga Ju, të ndërmerrte punët e tij sa më shpejt dhe të urdhëroj që nëntogeri Siegfrid, përfaqësuesi im pranë jush, të marrë pjesë në mbledhjet tuaja si i deleguari im”.
Gjeneral H. Salle.
Kështu, në 25 tetor 1917, u çel në Korçë Liceu Kombëtar, me drejtor francezin Vital Gerson, i sapoardhur nga Misioni Laik i Selanikut për të organizuar shkollën. Atij iu bashkëngjitën vullnetarisht shqiptarët Mihal Ballkameni, Vasil Qirko, Dhimitër Gjeorgjiadhi, Kostandin Xega, Nikuca Ballamaçi, Sejfulla Ibrahimi dhe Dhosi Havjari.
P.S. Në foto majtas Themistokli Gërmenji dhe djathtas koloneli Descoins.
©Klodi Stralla