Histori

Kulti i individit tek Ahmet Zogu President

 Nga Armand Plaka

Edhe pse ka ulje-ngritjet, ngjyrimet apo karakteristikat e veta, më duket përpjekje e kotë të trajtosh temën “kulti i individit” vetëm tek Enver Hoxha, pasi nuk do përbënte ndonjë risi e as do ishte e vështirë të gjeje dëshmi e vepra që e mbulojnë këtë pretendim përgjatë gjithë “mbretërimit” të tij si kreu absolut i shtetit shqiptar për një periudhë 40 –vjeçare.

Po ashtu, mendoj se nuk do ishte e vështirë të shkruaje për këtë temë edhe për periudhën e Ahmet Zogut si monark i shqiptarëve (1928-1939), ku vjersha, këngë e madje marshe luftarake mund të gjendeshin lehtësisht, nëse do gërmoje sot në botimet e viteve ’30 të shekullit të shkuar.

Por ia vlen të ndalemi paksa në të njejtën temë, duke u zhvendosur pak vite më larg, pikërisht në kohën kur Ahmet Zogu ishte Kryetar i shtetit republikan shqiptar. Ajo çka konstatojmë, është fakti se kulti i individit kishte marrë udhë qysh në kohën kur Zogu po ushtronte funksionin e Presidentit të Republikës, ndërsa shohim në jo pak raste jo vetëm prezencën ekskluzive të tij në kartolina, pulla postare, karmonedha etj., por edhe njerëz që angazhoheshin të shkruanin vargje e të kompozonin muzikë për të ngritur në piedestal figurën e tij, duke e distancuar dukshëm nga shtetarët e tjerë të kohës.

Kështu, mund të hasësh edhe njërin syresh, në një botim të vitit 1927, ndërsa sheh vargje të rimuara, lehtësisht të kapshme e të memorizueshme për veshin e shqiptarit të thjeshtë, i cili duhet të nguliste në kokë se “Shpëtimtari i Atdheut“ tashmë ishte një dhe vetëm një dhe se ai ishte jo thjesht në mënyrë simbolike pra, trashëgimtar në AND i Skënderbeut.

Para tij, deri në atë kohë ishte parë ti shkruheshin vargje të atilla nga shqiptarët vetëm mbretit kohëshkurtër të emëruar nga fuqitë e mëdha për Shqipërinë, Princ Vidit, pas ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemalit, e në disa raste, sidomos në Shkodër, i thureshin vargje edhe Kajzerit austriak.

Pas një pauze relativisht të gjatë në kohë, tashmë ishte radha e Zogut President të dëgjonte t’i thureshin vargje e t’i këndoheshin këngë për së gjalli. Në një situatë normale, sikurse në ditët e sotme, pasi konsumohen vitet e mandatit ligjor kalohet në një tjetër emër, por asokohe duket se gjithçka tashmë kishte marrë udhë në tjetër drejtim dhe të tilla vargje, s’ishin gjë tjetër veçse çelja e rrugës për kalimin në fazën pasardhëse, dmth kurorëzimin e Zogut si “Mbret i Shqiptarëve”.

Në rrafshin shtetëror, duket se “kulti i individit”, i cili në mënyrë të çuditshme me kalimin e kohës sa vinte e do të shtohej derisa të binte diktatura, fillesën e vet reale, të mirëoraganizuar e me synime të qarta, e ka pasur pikërisht në këtë periudhë.

Më poshtë teksti i të ashtuquajturit “Marsh i Kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu”. Dihet emri i kompozitorit, Thoma Nasi, por jo i autorit të tekstit.

Si shkëndi që lëshohet prej Diellit

Edhe tym edhe mjegull shpërndan

Si rrufe që shkëputet prej Qiellit

E shkatrron edhe ndjek e përlan.

Si një Engjëll i naltë prej Zotit

Si nji hyllë që zbret befas mbi dhe

Ashtu zbriti n’Arbninë e Kastriotit,

Ashtu leu Ahmet Zogu për ne.

Rroftë Ahmet Zogu rroftë

Shpëtimtari i Atdheut

Bres pas brezit u kujtoftë

Nip-Stërnip i Skënderbeut.

Si nji shkabë e tmerruar mbi retë

Që gjarpërinjtë helmatues kërkon

Edhe turret mbi ta si shigjetë

E me thonj e me sqep e copton.

Si një shkëmb që qëndronj patundur

Dhe tallazë e valë shkatrron

Ahmet Zogu gjithmonë i pamundur

Nga rreziku Atdhen’ e shpëton.

Rroftë Ahmet Zogu rroftë

Shpëtimtari i Atdheut!