Disa paralelizma biblike të Kanunit - Nga Ndriçim Kulla
(Pjesë nga libri “Shqipëria - Histori e Mentalitetit Juridik”)
“Shqiptarit, sidomos të Veriut, nëse lexon një përshkrim të pritjes së mikut, nuk do t’i duket një punë ndoshta aq e rëndësishme, meqenëse është i mësuar qysh në vogëli, t’i bëjë të gjitha rregullat e nderit mikut që mësyn shtëpinë. Mirëpo, kushdo tjetër që rrëmon punët e historisë dhe të etnografisë, mbetet i shtangur, kur gjen ndër shqiptarë doke e zakone që popujt e sotëm e të qytetëruar i mbajnë si shenja të kohëve kreshnike të njerëzimit, tashmë të perënduara. Duke i vërejtur këto doke, njeriut i duket sikur po jeton në kohën fatlume të Patriarkëve të Biblës, të klasikut Homer dhe të Romakëve të moçëm”. Kështu do të shkruante Zef Valentini për zakonin proverbial të mikëpritjes shqiptare. Dhe një pohim i tillë është gjithçka tjetër përveçse romantik e nostalgjik.
Popujt e moçëm, në dallim, i jepnin pritjes së mikut një rëndësi fort më të madhe se popujt e qytetëruar të sotshëm. Diçka e tillë është e kuptueshme, përderisa udhëtarët asokohe e kishin shumë të vështirë të gjenin hane apo përbujtore, ku të mund të strehoheshin e rehatoheshin përgjatë rrugës. Një udhëtar i huaj, që shfaqej në derën e shtëpisë të ndonjë katundi, ishte për atë shtëpi një send i rrallë dhe i jashtëzakonshëm; prandaj e gjithë shtëpia “luhej për së gjallit me i bâ nder mikut qi për ta ishte si nji gjâ e pikun prej qiellit”.
Njihet se normat morale, rregullat e ndërtimit të jetesës së përbashkët, në popuj të ndryshëm, sipas përkatësisë së tyre fetare, janë identifikuar shpesh me përcaktimet e librave të shenjtë. Te shqiptarët nuk vihet re një gjë e tillë. Kategori të tilla themelore të etikës popullore, si nderi, dinjiteti, respekti, mirësjellja, mikpritja etj. ndër shqiptarët janë përcaktuar nga “nomet e të pareve”. Kulti i mikut, i shprehur edhe në formulime të tilla, si: “shtëpia e shqiptarit - e mikut dhe e shtegtarit”, “dera e shpisë i hapet kujdo qi ia msyen, me kenë edhe përdersi” (lypsi), përmban një mendësi të lashtë, parakristiane, judaike, biblike, që vjen prej kohërave kur profetët mund të shfaqeshin në dyer besimtarësh me rrobën e një shtegtari të mjerë.
“Jo vetëm Shkrimi i Shenjtë, por edhe historítë e moçme, librat e Budistëve, ndodhitë kreshnike të Homerit e të Hesiodit na paraqesin disa herë të fshehur nën pamjen e një shtegtari të panjohur, që i troket derës bujare, ndonjërin prej fatosave më në zë të kohës, ose ndonjërin prej zotave të Olimpit. Për këtë arsye nderimi i mikut ishte i njëllojtë me nderimin e hyjnive; të pritej apo t’i lihej pas dore ndonjë gjë, ishte “si me ndjellë mí vedi shplakën e hyjvet”, siç nënvizon Valentini.
Në mendësinë e shqiptarit, miku që troket në portë duhet pritur me të gjitha nderet që i takojnë, sepse “nuk dihet a asht lypsi a shenjti”. Në traditën shqiptare miku nuk kërkon leje për të hyrë në një shtëpi, por “ia mësyn”, që do të thotë se i zoti i shtëpisë është i detyruar t`ia hapë portën me dëshirë të vet, sepse, përndryshe, miku ka të drejtën e vet “me hy”. Privilegji më i madh i mikut në Kanun është ndorja. Kjo do të thotë se miku nuk bjen në gjak dhe është i mbrojtur prej hasmit sa kohë që “asht me bukë të të zotit të shtëpisë”. Nëse miku binte në pusinë e hasmit, mjafton të thërriste: “jam me bukë të filanit” apo “jam ndorja e filanit” - domethënë e të zotit të shtëpisë që e kishte pritur, dhe kjo i jepte siguri, i shpëtonte jetën, i hapte rrugën.
Edhe formulat e betimit në shumicën e popujve të vjetër nuk zënë në gojë hyjnitë me emër. Betimi “për qiell e dhe”, “për kët’ gur, “për kët’ peshë”, “për kët’ bukë”, shpreh një besim mitologjik. Vetëm një gjë me të vërtetë shumë e vyer mund të kapërcente shekuj të tërë për të ardhur gjer në ditët tona. Këto betime janë të njëjta me ato të grekëve të vjetër: Për Uranin (për qiellin), për Demetrën (për tokën) etj. Dhjata e Re ia ndalon kategorikisht birit të njeriut të betohet për to. Kurse betimi për bukën të kujton kultin hebraik për “manna-n”, ushqimin e shenjtë hyjnor.
Me kultin e nderit është i lidhur edhe kulti i fjalës së dhënë, ose, siç njihet ndër shqiptarët, “kulti i besës”. Kjo është një fjalë që nuk ekziston në shumicën e gjuhëve të botës. Në gjuhët ballkanike ekziston si fjalë e huazuar nga gjuha shqipe. Shpesh, në përkthime prej shqipes, fjala “besë”, duke mos pasur barazi kuptimore me një fjalë a frazeologjizëm të gjuhës tjetër, jepet në formë shënimesh shpjeguese, si një dukuri e botës shqiptare, si albanizëm. Besa, ose kulti i fjalës së dhënë, lidhet në burim me mitin biblik të fjalës: “Në fillim qe fjala!”. Më parë se të ishte shkrimi, kontrata, marrëveshja, noteria, gjyqi, shteti, popujt, njeriu, bota vetë, ishte fjala. Ky kult madhështor, i cili, në popujt euro-perëndimorë, pak nga pak mori karakterin e një idiome fetare kishtare, tek shqiptarët ruajti gjurmën e burimit. Lidhja në fjalë (për fjale) përbënte për Kanunin autoritetin më të lartë. Të gjitha marrëdhëniet: në gjini, në fis, në famulli, në bajrak dhe në nivelin e bashkësisë etnike, madje edhe marrëdhënie ndëretnike, mbaheshin në fjalë. Besa është testamenti moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Dy baladat më të rëndësishme të folklorit shqiptar, me motivin e murimit dhe motivin e ringjalljes (flijimi për ngritjen e një ure dhe ngritja e vëllait nga varri për të kthyer motrën në familje) lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë. Në kanun thuhet se “e folmja asht e falme”: çfarë premtohet, duhet të kryhet. Pra, një jehonë shumë-shekullore e biblikes “e para ishte fjala”.
Për ta plotësuar akoma dhe më shumë vijimësinë e këtij zakoni në rrjedhë të historisë së njerëzimit, do të qe e dobishme të përqendroheshim në rrënjët e saj, në pasazhe të caktuara të Biblës ku do të gjejmë përshkrimin e mësipërm të përbujtjes shqiptare. Në librin “Zanafilla”, Kap. 18, tregohet se, një ditë, “Abrahami po rrinte në prag të derës, duke soditur bukuritë e natyrës, kur befas i bien në sy tre shtegtarë të panjohur qi i kishin msyer në derë. Plaku i ndershëm çohet në këmbë, iu del përpara dhe në shenjë nderimi përkulet para tyre. Pastaj i drejtohet atij që e mendoi si të parë: Zotëri, nëse dëshiron ndonjë shërbim prej meje, këtu më keni; urdhëroni e uluni nën hijen e këtij lisi, se unë po shkoj t’ju sjell ujë t’ia hidhni këmbëve që të çlodheni pak; një kafshatë bukë e kemi e ka me ju forcu ma së miri; pse, me çka duket, për këtë punë ma keni nderuar derën. E ata i thanë: çka t’u ketë falë Zoti. Abrahami shkoi tek e shoqja Sara,duke i thënë: Merr miellin më të mirë dhe na gatuej tri pogaçe”. Pastaj shkoi në fushë, zgjodhi nji viç të njomë e të majmë, më të mirin, dhe i dha urdhër një shërbëtori ta gatonte për sofër. Shtroi edhe gjalpë e qumësht në tryezë të miqve, duke ndenjur vetë në këmbë për t’i ba nderin. Si mbaruan së ngrëni këta tre miq, që ishin tre engjëj në pamje të njeriut, ata i premtuan Abrahamit se kishte për të pasë nji djalë prej Sarës, edhe pse ajo ishte e shtyrë në moshë, e Zoti s’i kish pas falë kurrë fëmi më parë.
Pasi thanë këto fjalë, u ngritën duke dëftuar se do të shkojmë të ndëshkojmë qytetin e Sodomës për mbrapshtina që s’mund të tregohen. Dy ecën përpara, kurse i treti u ndal prej Abrahamit, qi e luti dhe e përluti të kishte dhimbje për at qytet, e mos të sharronte brenda tij edhe Lotin, nipin e vet. Ndërsa dy shtegtarët e parë mbërritën në Sodomë, Loti po rrinte ulur në dyert e qytetit. Sapo i pa u doli përpara, u plandos përdhe duke i adhuruar e duke iu thënë: “Zotëri, urdhëroni ju lutem në shtëpinë e shërbëtorit tuaj, aty do të lani këmbët e nesër, pasi të pushoni, mund të vijoni udhën tuaj”. Ata donin të ndaleshin në rrugë të madhe, por Loti i mori me zor dhe i çoi në shtëpinë e tij. Aty ata hëngrën darkën, por, pak para se të binin të flinin, populli i përçudnuar e rrethon shtëpinë e Lotit, duke i kërkuar të dorëzojë shtegtarët, për të shfryrë mbi ta epshet e tyre të poshtra. Loti del jashtë, kyç derën e shtëpisë dhe i flet popullit: “O vëllezërit e mi, mos i përlyeni duart me nji të zezë kaq të rëndë”. Por atij populli zemra i ishte bërë mëkat, ndaj vazhdoi të këmbëngulte. Po çfarë bën atëherë Loti, për të fashitë popullin e çoroditur? U tha se ishte gati t’ia jepte dy bijat e veta virgjëresha, që i kish ruajtur ndër kohë me kujdesin më të madh, mjaft që ata të mos i preknin dy të huajt, pse ata janë miq në shtëpinë e tij”.
Zoti mandej ia verboi sytë atij populli, që të mos i shfrenin më dëshirat e tyre të poshtra, por me anë të zjarrit dhe squfurit që ra prej qiellit e dogji krejt Sodomën bashkë me gjithë banorët e saj. “Krahasimi asht në dritë të diellit, - shpjegon Valentini. Kujdesi i madh i Abrahamit e i Lotit për ata miq i përgjigjet ma së miri të përshndetunit tonë të parë: Mirë se të ka prue e djathta e Zotit”, për ta mikëpritur mikun me të gjitha përkujdesjet. Puna e Lotit mandej me dorzuem dy bijat e veta, tue lanë mas dore detyrat atnore (e kta s’do t’a bajshin kurrsesì) për me pshtue dy miqt e msyem prej popullit të përçudnuem, i përgiet fjalës së shqyptarit: “Vllan po, t’a fali, por mikun nuk t’a fali kurr”.
Mund të dëftonin, gjerë e gjatë, nëpër shumë histori, se popujt e vjetër, që akuzoheshin si të përçudnuar me barbarizëm, e konsideronin përbujtjen si një gjë të shenjtë e të mbrojtun prej vetë Perëndisë, pasi pak a shumë, të gjithë e zbatonin atë ligj të shpallur prej Zotit në Shkrimin e Shenjtë: “Duaje të huajin e jepi ushqim e veshje”, (Deuteronomi 10. 18). Nëse një i huaj jeton në vendin tuaj e banon ndër ju, mos e merrni me të keq, por le të rri ndër ju si t’ishte i vendit, e duajeni si vetveten, sepse edhe ju dikur ishit të huaj në tokë të Egjiptit (Levitiku 19. 33).
Akoma më interesante do të qe nëse krahasojmë se në çka përkojnë doket e përbujtjes së popullit tonë me ato të popujve të moçëm të tjerë. Studime të shumta pohojnë se del në pah përherë e më fort një veti që e dallon popullin shqiptar prej gjithë të tjerëve e që tërheq simpatinë dhe syrin depërtues të gjithë etnologëve; Ky krahasim do të kishte më shumë vlerë, nëse e shikonim me syrin e perspektivës, për të përcaktuar tipin e shqiptarit, siç pat qenë në kohët e lashta dhe si do të mund të jetënë kohët e ardhshme, duke u përpjekur të ndjekë atë visar dokesh të mira e të çmuara kombëtare që diti ta ruajë me aq konservatorizëm nga sulmet e popujve më të ndryshëm, për të vetmin besim se ruajtja e këtyre dokeve bujare të përforcuara prej zakoneve të popujve më të lashtë e të urdhërueme prej vetë Zotit, është në vetvete një lumni e madhe në jetë.
Hulumtimi i dijeve biblike do të mund të na sillte paralelizma befasuese edhe për zakonin më të debatuar kundra shqiptarëve: gjakmarrjen. Për t’ia arritur kësaj le të sjellim në vëmendje kontekstin e vrasjes së parë dramatike të njeriut në tokë që rrëfehet në Bibël. Kaini, i nxitur nga zilia dhe xhelozia, vret vëllanë e tij me dhunë e kafshëri. Janë fjalët e Zotit ato që e shkundin ndërgjegjen e Kainit, i cili e kupton se ka kryer diçka shumë të rëndë dhe pa kthim, ndaj i thotë Zotit: “E madhe është për t’u mbajtur pesha e fajit tim” (Zanafilla 4. 13-14). Nëpërmjet këtyre fjalëve Kaini shpreh gjithë frikën e të rënit viktimë e së keqes që ai vetë ka nisur. Mirëpo Zoti ndërhyn me një shenjë në mbrojtje të vrasësit. (Zanafilla 4. 15). Shikohet që Zoti vepron për të bllokuar spiralen e hakmarrjes së gjakut në mënyrë që jeta të mund të fillojë dhe rrugëtimi i Kainit të mos ndërpritet.
Disa vargje më poshtë Lameku, pasardhës i Kainit, u drejtohet grave të tij duke iu shpallur një hakmarrje të pabalancuar. Shikojmë që fjala hyjnore në mbrojtje të Kainit, në këtë rast del kundër Lamekut, që për shumë më pak, një gërvishtje a një shembje të thjeshtë, të bërë nga një fëmijë i vogël, do të hakmerret 7 herë. Ndaj tek Zanafilla 4. 23-24, shkruhet: “7 herë do të hakmerret Kaini, por 77 herë Lameku”. E gjitha kjo e ka një arsye shumë të fortë. Argumentet e Lamekut shkojnë shumë përtej ligjit antik të hakmarrjes, një ligj ky që ofron një simetri midis fyerjes dhe dënimit dhe një kundërpeshim të tyre (Es 21.23-25, Lv 24.17-21, Dt19.21; 25.11-12). Ripohohet këtu logjika e më të fortit, që nuk ka limit në shprehjen e fuqisë së hakmarrjes së tij. Ky përshkallëzim i frikshëm i dhunës njerëzore do të ndërpritet nga Zoti me episodin e përmbytjes universale dhe ndërtimit të arkës së Noes. Në fund të përmbytjes, historia do të rinisë përsëri dhe Zoti vetë do të vulosë një aleancë të re për jetën: “Kush derdh gjakun e një njeriu/prej një njeriu, do t’i derdhet edhe gjaku i tij/sepse Zoti e bëri njeriun/si imazhin e vet”.
Edhe në tekste të tjerë, si p.sh. në të ashtuquajturin kodin e aleancës të përmbajtur në librin e Hesiodit, e gjejmë përsëri shqetësimin për ta mbrojtur jetën nëpërmjet ligjit lex talionis. Gjejmë në këtë tekst jehonën e kodeve të Hamurabit, përmbledhjes së ligjeve të Babilonisë, ku gjendet kodifikimi më antik i këtij parimi. Ky ligj daton prej shekullit XVIII p.e.s., dhe, në vijim, si ligje të lashtë mund të përmendim ligjet Ur-Nammu (rreth viteve 2100-1050 p.e.s.), ligjet Lipit-Ishtar (1934-1924 p.e.s.), ligjet Eshunna (rreth vitit 1930 p.e.s.) dhe ligjet asire (1114-1076 p.e.s.). Një formulim i ngjashëm gjen jehonë edhe në Bibël, në librin e Levitikut: “Ti nuk do të kesh mëshirë: jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë, plagë për plagë, e lëndim për lëndim” (Lev 19. 21).
Një normë e tillë që sot ngjan kaq e largët dhe brutale për ndjeshmërinë tonë, në realitet, për botën antike përfaqësonte një avancim, sepse vendoste një limit ndaj hakmarrjes arbitrare dhe të pakontrolluar, siç pat ndodhur në rasatin e Lamekut. Në po të njëjtin këndvështrim mund të konsiderohet edhe mentaliteti i gjakmarrjes sonë zakonore, si diçka e lashtë, arkaike, e trashëguar në thellësi të shekujve biblikë të historisë antike. Horizonti i urdhërimit hyjnor, sipas shembujve që dhamë është ai i vendosjes së një limiti ndaj kësaj praktike dhune. Ndërkohë që në ligjin e Biblës, shkruhet qartë edhe kapërcimi i logjikës së kësaj lloj hakmarrje që vihet në veprim nga njerëzit.
Është pikërisht zëri hyjnor që flet dhe thotë: Hakmarrja është e imja. Vetëm se një mentalitet i tilllë ishte i vështirë që të mbruhej jo prej afetarizmit dhe mungesës së vetëdijes për ta kapërcyer që zotëronte njeriu shqiptar i evoluar në kohë, por për shkak të raporteve tragjikisht të zhdrejta që ai pati në shekuj midis hapësirave të shtrëngimit e pushtimit dhe hapësirave të lirisë.
© Ndriçim Kulla











