Histori

Princ Vidi mes intrigave europiane dhe ballkanike - Nga Dorian Koçi

Dorian Koçi

Historia ripërsëritet në mënyrë të çuditshme. Në fillimet e qytetërimit europian, kur fiset gjermanike krijonin mbretëritë e tyre, modelet kulturore që merrnin, ishin kultura klasike greko-romake, e mishëruar në oborret perandorake të Romës dhe Kostandinopojës. Një mijë vjet më vonë, kur kombet e Ballkanit në trojet e perandorive të vjetra, po krijonin shtetet e tyre kombëtare, monarkët e afruar nga Europa për t’u mësuar vetëqeverisjen, ishin nga dinastitë gjermane: Në Greqi, më 1832 mbreti Otto nga dinastia Wittelsbach; në Rumani më 1866 dinastia Hohenzollern-Sigmaringen; në Bullgari dinastia Saxe-Coburg and Gotha. Këtij rregulli të pashkruar diplomatik të Koncertit të Fuqive të Mëdha nuk do t’i shpëtonte as Shqipëria, kur do të njihej si shtet i pavarur.

Konferenca e Ambasadorëve miratoi më 29 korrik 1913 projektin për organizimin e shtetit shqiptar. Sipas këtij vendimi, Shqipëria njihej si një shtet i pavarur, por nën kontrollin dhe garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe në krye të shtetit shqiptar do të vendosej një princ, i cili do të zgjidhej prej tyre. Lista e kandidatëve për fronin shqiptar do të ishte e madhe, por më në fund, më 8 nëntor u zgjodh Vilhem Vidi. Kjo zgjedhje nuk qe vetëm europiane. Ajo reflektonte edhe një dëshirë të brendshme të qarqeve të politikës shqiptare. Zyrtarë të lartë të qeverisë së përkohshme, me në krye Ismail Qemalin do t’u bënin të ditur Fuqive të Mëdha, por edhe Kostandinopojës, se ata parapëlqenin një princ europian, për të theksuar në njëfarë mënyre prirjen perëndimore të shtetit të ri.

Sigurisht që fjalën e parë për zgjedhjen e mbretit të Shqipërisë do ta kishin Fuqitë e Mëdha, që ishin më shumë të interesuara për çështjen shqiptare. Më në fund, të ndodhur edhe nën shtrëngesën e kohës, vendimi iu besua Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat ranë në ujdi për një princ gjerman protestant - i huaj ndaj grindjeve fetare të shqiptarëve, emri i të cilit ishte Wilhelm Wied. Por zgjedhja e Princ Vidit në fronin e Shqipërisë nuk qe vetëm për arsye të realitetit fetar të shqiptarëve. Si zakonisht, forca të tjera, në dukje jo fort të rëndësishme, kishin ndikuar në këtë zgjedhje. Mbretëresha Elisabeta e Rumanisë, shkrimtare e njohur, nën pseudonimin “Carmen Silva” do të ndikonte edhe tek i shoqi, mbreti Carol, duke bërë çmos për zgjedhjen e nipit të saj në fronin e Shqipërisë. Ajo e shtynte ta pranonte fronin. Ajo hapi një fushatë në shtypin e kohës në përkrahje të kandidaturës së nipit, ku vinte në dukje virtytet e tij më të mira.

Mirëpo pavarësisht fushatës së Mbretëreshës së Rumanisë, në qarqet e fisnikërisë më të lartë europiane, por edhe në opinionin publik europian, kishte opinione të tjera që ndikonin negativisht në zgjedhjen e tij. Perandori gjerman, ndryshe nga të tjerët, dukej i ftohtë ndaj cilësive të kushëririt, aq sa, siç u shkrua në atë kohë, e kishte këshilluar të mos pranonte fronin. Në kujtimet e veta, të shkruara pas ngjarjeve në Shqipëri dhe Luftës Botërore, Vilhelmi II do të hidhte jo pak dyshime rreth aftësive të princ Vidit për të qeverisur. Sipas perandorit Vilhem, ishte e pakëndshme që një princ gjerman të shkonte dhe të bëhej gaz i botës në një vend të tillë. Një qëndrim i tillë i Kajzerit mund të ketë ardhur edhe nga fakti se motra e tij ishte mbretëreshë e Greqisë dhe nuk donte që një princ gjerman, kushëri i afërt i tij, të vihej në krye të shtetit shqiptar, ndaj të cilit Greqia kishte synime që shkonin larg. Intrigat e fisnikërisë europiane ngatërronin më keq qiejt e nacionalizmit në Ballkan.

Gjithsesi, pavarësisht hezitimeve, Princi Vilhelm Vid mbërriti në Durrës më 7 mars 1914, i caktuar si kryeqyteti i Principatës së tij. Një mundësi më shumë po hapej për Shqipërinë, pavarësisht faktit që kufijtë e përcaktuar në Londër kishin lënë jashtë më tepër se gjysmën e territoreve shqiptare. Princ Vidi u mirëprit nga shqiptarët, pasi ata besonin se vetëm ai mund ta ndryshonte fatin e vendit. Më 17 mars 1914 u formua qeveria e re shqiptare, nën kryesinë e Turhan pashë Përmetit. Krijimi i Qeverisë solli në rend të ditës edhe çështjen e marrëdhënieve të saj me KNK, ku ky i fundit do t’i kalonte pushtetin e tij, por që do të ndërhynte derisa eksperimenti mbretëror i Fuqive të Mëdha do të merrte fund.

Mirëpo situata e brendshme politike e Principatës së re duket se nuk shkonte mirë. Caktimi i Esat Pashë Toptanit nga Princ Vidi në rolin e rëndësishëm të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Luftës ishte një nga gabimet që i kushtoi rëndë jo vetëm mbretërimit të Vidit, por dhe stabilitetit të vendit. Që më herët, pa ardhur ende Princ Vidi, Esat Pashë Toptani kishte shprehur ambiciet e tij personale për të qeverisur Shqipërinë. Në një intervistë për një gazetë italiane, në vitin 1914, kur fliste për ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri, Esat Pashë Toptani “nuk i mohonte simpatitë e tij për Turqinë”, por në të njëjtën kohë i zotohej princit se “askush tjetër përveç tij nuk do të bëhej mbret i Shqipërisë, në qoftë se princi jepte dorëheqjen”, duke shprehur në këtë mënyrë ambiciet e tij personale. Dalëngadalë Esat Pasha, për interesat e veta i minoi pushtetin Princ Vidit dhe Shqipëria u zhyt në kaos.

Një rol të rëndësishëm në acarimin e situatës luanin dhe fqinjët ballkanikë të Shqipërisë, që kërkonin ta destabilizonin shtetin e ri dhe xhonturqit, që kërkonin të rikonfirmonin influencën e tyre nëpërmjet caktimit të një princi mysliman. Këta të fundit duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë grupe fanatikësh myslimanë boshnjakë, që ishin vendosur në Shqipëri nën mbrojtjen e Portës, në kohën e pushtimit austriak të Bosnjë-Hercegovinës, si edhe ndjenjat islamike të një pjese të popullsisë vendase, organizuan një kryengritje të vërtetë me tendenca islamike kundër qeverisë së Princ Vidit. Këta agjitatorë kishin përhapur lajme se princi, që ata e përshkruanin si hebre, kishte ndër mend të ndalonte Islamin. Kjo shkaktoi zemërim tek myslimanët boshnjakë. Ky zemërim përfshiu edhe myslimanët sunitë, që mendonin se një hap i tillë do dhunonte lirinë e tyre.

Përveç kësaj shumë myslimanë kishin frikë se princi, si i krishterë, do përmbyste në favor të të krishterëve epërsinë shoqërore që ata kishin gëzuar gjatë regjimit turk. Lëvizja ka hyrë në histori si “Kryengritja e Haxhi Qamilit” dhe përfaqëson një nga episodet më të errëta në historinë moderne të shqiptarëve. Kërkesat kryesore të “kryengritësve” ishin që Shqipëria të futej nën protektoratin turk, të përdorej flamuri turk dhe turqishtja. Ndonjëherë ato kalonin dhe cakun e absurditetit, kur kërkonin që të zhbëhej sovraniteti i shtetit të ri.

Identiteti fetar shfaqej kështu në formën më të egër dhe primitive për të shkatërruar identitetin kombëtar që mezi kishte filluar të merrte jetë. Në të njëjtën kohë, por me një kahje tjetër, për sa i përket identitetit fetar, shpërthen dhe rebelimi, i ashtuquajtur “epirot” në Jug të Shqipërisë, i organizuar nga një renegat shqiptar, Kristaq Zografo, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, nga fshati Qestorat i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në betejën e tyre me helenizmin dhe kishën greke.

Rebelimi u nxit dhe u mbështet nga ushtritë pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar - në Gjirokastër e Sarandë. Bandat epirote të Zografos mundën të merrnin pjesë si palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me autoritetet greke, nga të cilat u formulua edhe “Protokolli i Korfuzit”, që iu dërgua për ta miratuar Fuqive të Mëdha. Miratimi erdhi më 2 Korrik.

Dispozitat e protokollit, ndërmjet të tjerash parashikonin shndërrimin e bandave të armatosura në xhandarmëri lokale, e cila do të ushtronte detyrat e saj vetëm në qarqet e Korçës e të Gjirokastrës. Në të dyja qarqet, qeveria shqiptare do të emëronte guvernatorë të krishterë, pranë të cilëve do të vendoseshin këshilltarë të zgjedhur nga vota e popullit. Sigurohej liria e plotë e besimit, ndërsa gjuha greke do të mësohej në shkollat fillore dhe do të përdorej në administratë dhe në sistemin e drejtësisë.

Kjo xhandarmëri, që përbëhej nga vullnetarë që tashmë ishin nën armë, përbën pikën më të errët të kësaj historie; asnjëherë nuk është theksuar në historinë zyrtare të Shqipërisë se këta vullnetarë ishin banorë të krishterë të Shqipërisë së Jugut, të cilët mbajtën një qëndrim të dyzuar duke u luhatur ndërmjet ndjenjave nacionaliste nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, filohelenizmit, rezultat i lidhjes së tyre me Greqinë dhe propagandën greke. Sigurisht këto ndjenja nuk mund të ishin arsye të mjaftueshme që ata njerëz, në emër të identitetit të tyre fetar të braktisnin identitetin etniko-gjuhësor si shqiptarë, për të përqafuar një identitet tjetër kombëtar.

Por që shoqëria shqiptare e asaj kohe i duhej të bënte një “mea culpa”, për sa i përket dhunës feudale që shpeshherë aristokracia shqiptare myslimane kishte ushtruar mbi popullsitë e krishtera shqiptare, ky duhej të ishte pa diskutim një nga hapat e parë që ajo duhej të ndërmerrte për të realizuar një bashkim të vërtetë kombëtar. Madje, ekzistencën e kësaj dhune dhe pabarazie në të drejta kishte arritur që ta shfrytëzonte propaganda greke dhe kishte mundur të ngjallte frikën midis shtresave filohelene, që politikisht nuk ishin progreke, se një qeveri shqiptare e mbizotëruar nga myslimanët do të vazhdonte ta konsideronte elementin ortodoks si inferior para elementit mysliman, sikurse kishte ndodhur nën sundimin otoman.

Fillimi i Luftës së Madhe e gjeti Shqipërinë në një gjendje të brendshme të mjerueshme - të paqëndrueshme si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike e shoqërore. Si rezultat i këtyre faktorëve të brendshëm, por edhe të jashtëm, pasi nuk gjeti mbështetje te Fuqitë e Mëdha, Princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914. Pavarësisht mbështetjes me trupa ndërkombëtare, kryesisht holandeze dhe rumune, foshnja më e re e Europës kishte lindur e vdekur. Shqipëria nuk do të kishte fatin e monarkive simotra të Ballkanit, pasi edhe më pas Princ Vidi nuk do të vinte më në pushtet.

Për qeverisjen e Vidit një koment mjaft interesant na vjen nga Fan Noli. Ai thotë që princ Vidi mund të fajësohet vetëm se nuk mundi të bënte mrekullira. Përpara se të largohej ai mbajti një fjalim përpara shqiptarëve, ku thoshte se në këto rrethana, ku në Europë nisi lufta, unë mendova të largohem për një kohë në Perëndim, por jo që ta braktis një çështje të papërfunduar, së cilës jam gati t’i kushtoj gjithë forcat e mia dhe të gjithë jetën time. Por unë dua që të mësoni, se si larg, ashtu si dhe këtu pranë jush, unë kurrë nuk do të rresht së menduari për progresin e vendit tuaj të dashur dhe të bekuar.

Ai vdiq në Rumani një javë para se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore, duke mos hequr asnjëherë dorë nga e drejta e tij kushtetuese për të qeverisur Shqipërinë, vendin që e deshi me gjithë shpirt, por që kurrë s’arriti ta qeveriste.

© Dorian Koçi