Udhëtimi i mbramë i humanistëve zviceranë Eugene dhe Helene Pittard në Shqipëri - Nga Kudret Isaj

Kudret Isaj - Gjenevë
Shkrimtarët, poetët, publicistët, piktorët, skulptorët dhe kompozitorët, të gjithë krijuesit, e krahasojnë dhe e përjetojnë krijimin e veprave të tyre me lindjen e një fëmije dhe jo pa të drejtë. Si lindi ky libër për Helene dhe Eugene Pittard-in? Cilat janë rrethanat që e bënë të mundur botimin e tij? Nëse do t’i jepja krahë fantazisë do të thosha se një natë Eugene Pittard-i, më doli në ëndërr, më pëshpëriti ca fjalë në dialektin e Gjenevës dhe të nesërmen në mëngjes pa zbardhur dita më shkrepi në kokë idea që të shkruaj një libër për të dhe bashkëshorten e tij, Helene Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger! E vërteta është krejt ndryshe dhe ka të bëjë me tokën, me gjëra të prekshme tokësore, me rrethana konkrete dhe me personazhe realë. Fakti apo më saktë fati që zyrat e revistës Shkenca dhe Jeta në rrugën Punëtorët e Rilindjes në Tiranë deri në fillim të viteve 90-të ndodheshin dy hapa larg godinës së Akademisë së Shkencave, bënte që unë herë pas here të trokisja në zyrën e Prof. Aleks Budës, kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të dëgjoja me vëmendje mendimet e tij për revistën Shkenca dhe Jeta, revistë në të cilën ushtroja detyrën e kryeredaktorit.
Ka qenë pranvera e vitit 89’ kur një pasdite ia beha në zyrën e Prof Aleks Budës dhe meqenëse profesori në atë moment nuk ishte i zënë në ndonjë mbledhje dhe në paradhomën e tij nuk kishte vizitorë se ishte fundi i orarit zyrtar, pasi i mora lejë sekretares së tij, filluam të diskutojmë me Profesorin për disa figura shkencëtarësh dhe antropologësh francezë, gjermanë dhe zviceranë, të cilët e kishin vizituar Shqipërinë gjatë shekullit të XX- të, figura për të cilët, sipas mendimit të Prof. Aleks Budës mund të hapnim një kolanë me disa numra në faqet e revistës Shkenca dhe Jeta. Gjatë bisedës që patëm në zyrën e tij atë pasdite Prof. Aleks Buda më tha: «Do bash mirë që pas botimit të librit për Edith Durhamin me Xhevat Lloshin të bash nji libër tjetër për at zvicranin e Zhenevës, Eugene Pittarin dhe gruan e tij që kanë qenë në Shqipëri në vitin 21’, me sa maj mend nja dy a tre muj pas ikjes së Edith Durhamit dhe të Justin Godart-it nga Shqipëria».
Duhet vënë në pah që në krye të herës që Prof Eugene Pittard ka disa merita themeltare dhe thelbësore për Shqipërinë dhe shqiptarët në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Së pari, në janar të vitit 1921, Këshilli i Naltë i Shtetit shqiptar dhe qeveria shqiptare e emëroi Prof. Eugene Pittard Konsull të përgjithshëm nderi të Shqipërisë në Gjenevë. Së dyti, Prof. Eugene Pittard së bashku me një grup intelektualësh përparimtarë të kohës themeloi Kryqin e Kuq shqiptar në Tiranë në 4 tetor të vitit 1921. Së treti, duke i nisur studimet e tij shkencore për shqiptarët në vitin 1894 dhe 1899 dhe duke i vijuar ato deri në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, Prof. Eugene Pittard ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për antropologjinë shqiptare. Së katërti, roli dhe kontributi i Eugene Pittard-it në fushën humanitare si i deleguar i Lidhjes së Kombeve në pranverë të vitit 1924 në Shqipëri për të mbledhur fonde nga shoqatat e Kryqit të Kuq të vendeve të tjera dhe për t’i administruar ato personalisht në terrenin shqiptar për zgjidhjen e krizës së urisë, e cila në popull njihet me emrin zia e bukës që shpërtheu në veri të vendit, është i jashtëzakonshëm dhe i paharruar.
Duke u nisur nga madhështia e kësaj figure të shquar helvetike, idea për ta studjuar dhe për të shkruar një monografi për të m’u ngjiz që atë çast dhe më intrigoi aq shumë sa i premtova i frymëzuar Prof. Aleks Budës me sinqeritetin e moshës, që porosinë e tij e konsideroja urdhër. Ky premtim nuk ishte një deklaratë pa përmbajtje dhe i thënë në gjendje euforie për shkak se unë besoja vërtetë që një projekt i tillë utopik për kohën mund të realizohej një ditë. Në fakt, për shkak të dallgëve të jetës, rrethanat u pështjelluan në mënyrë të atillë sa që nga premtimi i vitit 89’ deri në vitin 2007 kur do të filloja kërkimet arkivore për Helene dhe Eugene Pittard-in në arkivat e Gjenevës, do të duhej të kalonin plot 18 vjet.
Po bëjmë një udhëpërshkrim të shkurtër për të rrëfyer se cilat ishin rrethanat dhe kushtet në të cilat lindi dhe u materializua kjo vepër. Në vitin 2007 krijova lidhjet e para me familjen Pittard në Gjenevë, me nipin e tij zotin Jean-Claude Pittard, autor i disa librave dhe gazetar me një eksperiencë 50 vjeçare në gazetën Tribune de Genève. Më pas u njoha dhe u miqësova me mbesën e antropologut të shquar, zonjën Claire Pittard, intelektuale dhe autore e një vepre të vëllimshme për Savoi-në e sipërme dhe lidhjet e saj historike me Gjenevën, e cila mbante në qafë çelësat e arkivit privat të familjes Pittard. Pas një pune të gjatë publicistike në arkivin e Gjenevës, në Muzeun Etnografik, në Bibliotekën e Gjenevës, në arkivin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në arkivin e Lidhjes së Kombeve për 11 vjet me radhë, e përfundova librin në fund të vitit 2018, i cili numëronte 990 faqe të daktilografuara, preva biletën e avionit Gjenevë-Tiranë dhe u nisa në Shqipëri.
Pikësëpari u lidha me Prof. Ferid Hudhrin, me të cilin kam lidhje familjare, intelektual i njohur dhe autor i disa veprave me jehonë ndërkombëtare në fushën e arteve figurative, me të cilin jam i lidhur me një miqësi të fortë shumëvjeçare. Siç kishim rënë dakord me të në datën 24 janar 2019 u takuam në kafe Libri në Tiranë me Prof. Dr. Xhevat Lloshin, i cili ka qenë redaktori i veprës për Edith Duhamin Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët botuar në janar të vitit 1991. Ferid Hudhri do të luante rolin e levës së Arkimedit për të bindur profesorin e nderuar që të shtynte ca kohë disa punë të tjera dhe të merrte përsipër redaktimin e dorëshkrimit tim për Helene dhe Eugene Pittard-in, i cili priste në radhë. Në atë takim në kafene i dorëzova Prof. Xhevatit dorëshkrimin tim të sintetizuar në një çelës USB duke patur Ferid Hudhrin për «kumbar», i cili më ka qëndruar pranë edhe kur përgatita dhe botova librin për Edith Durhamin me Prof. Xhevat Lloshin në vitin 1991.
Prof. Xhevati e mbajti në duar dorëshkrimin tim të vëllimshëm për Eugene Pittard-in rreth tre muaj dhe ma dërgoi pasi kishte bërë një redaktim të përimët dhe tejet cilësor. Idea ime fillestare ishte që të gjeja një përkthyes në Tiranë për të përkthyer dorëshkrimin tim nga shqipja në frengjisht dhe ta botoja në një shtëpi botuese në Gjenevë. Pas shumë kërkimesh dhe konsultimesh dy miq të mij, intelektualë të njohur që banonin në afërsi të Gjenevës, Sonila dhe Irakli Mio pranuan që të bëhen «dorëzanë» për të biseduar me Luan Ramën, një mikun e tyre në Paris, ish-Ambasador i Shqipërisë në Francë, shkrimtar, përkthyes dhe poet për të më ndihmuar për të gjetur një përkthyes që të përkthejë dorëshkrimin tim nga shqipja në frengjisht. Luan Rama, pasi shqyrtoi disa kandidatura u ndal tek emri i përkthyeses dhe autores së disa librave Rina Cela Grasset që banonte me familjen e saj në Lion të Francës, e cila pranoi të merrte përsipër përkthimin e dorëshkrimit tim. Duhet të vihet në pah gjithashtu fakti që Prof. Dr Xhevat Lloshi përpos punës së tij redaktoriale me dorëshkrimin ka bërë gjithashtu përkthimet e dokumenteve nga anglishtja, gjermanishtja dhe italishtja në gjuhën shqipe, për të cilat, i jam shumë mirënjohës. Përkthyesja Rina Cela Grasset e nisi përkthimin në muajin gusht dhe e përfundoi atë në dhjetor të vitit 2022.
Le të shtjellojmë disa pika konverguese të përbashkëta midis Edith Durhamit dhe Helene dhe Eugene Pittard-it. Edith Durhami e preku për herë të parë tokën shqiptare në vitin 1901, pasi kapërceu liqenin me avullore dhe mbërriti në qytetin e Shkodrës, qytet, të cilin e dashuroi që me shikimin e parë dhe botoi në Londër veprën e saj me titull: «Lufta për Shkodrën» në vitin 1914. Që nga viti 1901 deri në vitin 1921 për gati 20 vjet me radhë, Mis Edith Durhami do të hynte dhe do të dilte në Shkodër sikur të ishte në shtëpinë e saj, sikur me qenë një shkodrane e vërtetë. Mis Durhami do të pagëzohej me emrin «Kralica e malësorëve» të cilët e kishin atë mysafire të nderuar, e vinin në krye të oxhakut dhe në krye të sofrës. Në përfytyrimin e malësorëve, Mis Durhami nuk mund të ishte tjetër veçse motra e Mbretit të Anglisë. Madje në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XX-të në malësinë e Mbishkodrës, në Theth a në Kelmend ka qarkulluar një legjendë, sipas së cilës një bajraktar i atyre viseve epike me gjatësi jo më pak se 2 metër e 10 centimetra i kishte kërkuar dorën për martesë Mis Edith Durhamit. Ndër miqtë shqiptarë që takoi Edith Durhami në Shkodër në vitin 1901 mund të përmendim Pietro Marubin, Kol Idromenon, vëllezërit piktorë Ndoc dhe Nikollë Martinaj si dhe shumë shkodranë të tjerë të njohur.
Po Helene dhe Eugene Pittard si i njohu dhe si i takoi për herë të parë shqiptarët? Dokumentet që kam studjuar prej vitesh në arkivat e Gjenevës dhe të Lozanës dëshmojnë që ekzistojnë dy burime të veçanta, të cilët vërtetojnë lidhjet dhe marrëdhëniet e para zanafillëse të Helene dhe Eugene Pittard me shqiptarët. Dokumenti i parë ka të bëjë me një korrespondencë të Eugene Pittard-it me një mikun e tij doktor në Zvicër në vitin 1935, në të cilën, ky i fundit pas një udhëtimi që ka kryer në Shqipëri i lutet që t’i dërgojë për të lexuar një studim antropologjik për shqiptarët, të cilin ai e ka shkruar në vitin 1894. Pas disa ditësh, Prof. Eugene Pittard i kthen mikut të tij Dr. Guder-it një përgjigje të shkurtër lakonike duke vënë theksin që studimi shkencor që po i dërgon me postë për antropologjinë e shqiptarëve është kopje e vetme dhe unike dhe po të jetë i interesuar mund t’i dërgojë edhe disa shënime të tjera, të cilat lidhen drejtpërdrejt me këtë temë.
Një numër i konsiderueshëm gazetarësh, udhëtarësh dhe autorësh zviceranë kanë shkruar për Shqipërinë nga dhjetëvjetëshi i parë i shekullit të XX-të deri në fund të viteve 30’ midis të cilëve mund të përmendim Karl Weber (1917), William Martin (Journal de Genève), Robert Kempner (1925), Robert Hodel (1927), Lazarus Benkuz (1927), Jakob Brand (1928), Jean-Gabriel Shamorel (1928), Erwin Heimann, i cili botoi në Zvicër librin me titull: «Aventura jonë në Shqipëri» në vitin 1938. Po citojmë një fragment të shkurtër ku ai flet për shqiptarët : «E kam thënë tashmë dhe diku tjetër që më duket se Shqipëria zotëron dokumente arkeologjike dhe antropologjike nga më të rëndësishmet, të cilat lidhen me origjinat më të lashta të popullatave të gadishullit ballkanik; popullata që ne në agimin e historisë i kemi njohur me emrin Ilirë ».
Eugene Pittard do të ndërmerrte udhëtime të tjera të karakterit njohës dhe antropologjik në Shqipëri në vitin 1921. Po citoj këtu një fragment nga një artikull i Prof. Eugene Pittard i botuar në gazetën Journal de Geneve në shtator të atij viti: «…Mendoj se gërmimet e suksesshme do të zbulojnë mbetjet e njerëzve të kuaternarit që banonin në këto rajone të Lindjes së Afërt, shumë prej të cilave më vonë sollën në botë qytetërime të lavdishme. Më në fund, probleme të tjera më tërheqin gjithashtu. Një prej tyre më solli enkas këtu, në këtë Shqipëri kurioze që e njihja keq: studimi etnologjik i racës ilire. Kjo racë, roli i së cilës ishte i madh në histori, duket se e ka kufizuar shtrirjen e saj në anën lindore të Adriatikut. E mbështetur në vargmalet që shohin Italinë, ajo formonte një masë etnikisht homogjene. Ndoshta, nëpërmjet Venecies, ajo është infiltruar deri në kantonin e Grisonit... ?»
Kjo hipotezë e Eugene Pittard-it është plotësisht e vërtetë për shkak se ka disa studjues nga kantoni Grison në Zvicër, të cilët kanë bërë studime, madje kanë botuar edhe libra për të folmen dhe dialektet e gjuhës retoromane dhe kanë zbuluar gjurmë fort të hershme të disa fjalëve të zhargonit baritor dhe blegtoral, të cilat mund të shpjegohen ndoshta nëpërmjet gjuhës shqipe. Shkrimtari arbëresh Giuseppe Gargale nga kantoni Grison dhe bashkëshortja e tij Margarita Gargale-Uffer kanë kryer studime të rëndësishme për lidhjet gjuhësore dhe historike të gjuhës retoromane me gjuhën shqipe. Zvicra ka qënë kryeëndra që kanë përkundur, nanuritur, ushqyer me zë të përdëllyer me frymën e shpirtit dhe me regëtimin e rrahjeve të zemrës mëmëdhetarët dhe ëndërrimtarët e mërguar shqiptarë në kapërcyellin e shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të XX-të.
Prof. Eugene Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helenë e njohur me pseudonimin Noelle Roger në vitin 1921 zbuloi në fshatin Tren të Prespës periudhën e neolitit dhe të gurit të gdhendur duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në hartën arkeologjike dhe antropologjike të Shqipërisë. Objektet e gjetura në shpellën e Ujkut, Eugene Pittard ia dërgoi për ekzaminim Prof. Alexandre le Roy në Gjenevë dhe Prof. Louis Franchet në Francë, të cilët i vërtetuan plotësisht zbulimet e tij të fundit në Shqipëri. Megjithatë duhet pohuar se Prof. Eugene Pittard i mbeti një peng i madh pas largimit nga Shqipëria dhe kthimit në Gjenevë në prill të vitit 1924. Gjatë një periudhe gati 20 vjeçare nga viti 1921 deri në vitin 1940, ai ka patur një korrespondencë të rregullt dhe të dendur me kryeministrat e Shqipërisë, me ministrat e Jashtëm dhe me ministrat e Arsimit të Shqipërisë. Antropologu i shquar i Gjenevës, Konsulli i përgjithshëm i nderit i Shqipërisë në Gjenevë i është lutur kryeministrave të Shqipërisë që të interesohen dhe të mbajnë fjalën e dhënë për t’i dërguar në Gjenevë kafkat e shqiptarëve të gjetura në kishat dhe në manastiret e Voskopojës në vitin 1921. Nuk është e vërtetë që letrat e tij mbeteshin pa përgjigje sepse ai merrte gjithmonë premtime prej kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm të Shqipërisë. Megjithatë kafkat nuk mbërrinin në Gjenevë. Përse interesohej Prof. Eugene Pittard kaq shumë për kafkat e shqiptarëve? Prof. Eugene Pittard i mbeti peng se me gjithë kërkesat e tij zyrtare si drejtor i Institutit të Antropologjisë, si drejtor i Muzeut Etnografik dhe si Rektor i Universitetit të Gjenevës në vitet 1940-1942, kafkat e shqiptarëve të gjetura në kishat dhe në manastiret e Voskopojës nuk e patën fatin të udhëtojnë drejt Zvicrës, nuk e patën fatin që të studjohen dhe të analizohen në laboratoret e Gjenevës nga antropologët zviceranë.
Po të shëtisësh në rrugët dhe në bulevardet e Parisit dhe do të ndalesh të pish një kafe në kafene de la Paix në disa mbishkrime metalike mbi tavolina do të lexosh: Këtu e pinin kafenë Viktor Hygo, Guy de Maupassant, Emile Zola. Në kafenenë Les deux Magots në Saint-Germain-des-Prés e pinin kafenë Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud. Po në atë rrugë pak më tutje në kafene de Flore e pinin kafenë Ernest Hemingwai, Truman Capote, Albert Camus. Po të pish një kafe në kafenenë Rostand në Paris pronari do të të thotë: Këtu e pi kafenë Ismail Kadare. Po të shkosh në Gjenevë ndali pak hapat para Universitetit të Gjenevës se aty është diplomuar për Jurisprudencë Andon Zako Cajupi në vitin 1892. Po të kalosh në rrugën Conseil General në Gjenevë ndalu pak në numrin 22 dhe hidh vështrimin lart se ndoshta del në ballkon patrioti dhe publicisti Dervish Hima, i cili në vitet 1903-1905 nxirrte në tre gjuhë gazetën L’Albanie. Kur të kalosh në bulevardin Eugene Pittard në Gjenevë ndalu pak në numrin e portës 56 (dikur quhej chemin des Cottages 36) hidh vështrimin në ballkon se ndoshta del Helene dhe Eugene Pittard apo nipi i tyre Jean-Claude Pittard. Kur të kalosh para hotel Wilson në Gjenevë, hidh vështrimin tek një godinë karakteristike katër katëshe buzë liqenit Leman, e cila 100 vjet më parë quhej Lidhja e Kombeve dhe në të cilën Shqipëria u pranua anëtare e saj në 17 dhjetor të vitit 1920. Kur të kalosh në rrugën Rue du Stand në Gjenevë ndalu pak në numrin 42 dhe hidh vështrimin në ballkon se ndoshta del Omer Nishani, Riza Cerova dhe Halim Xhelo, të cilët në vitet 1925-1935 botonin shqip dhe frengjisht në Gjenevë gazetën Liria Kombëtare.
Po të shëtisësh nëpër rrugët e Tiranës të gjithë e dinë se ku e pinë kafen politikanët shqiptarë. Nga ana tjetër shtrohet shtrohet pyetja: a e dinë ata se në cilën kafene e pinte kafenë Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Buda, Petrit Gace, Ylli Popa, Shaban Demiraj, Kristo Frashëri, Petrit Radovicka? Po Dritëro Agolli me Sadijen ku e pinte kafenë ? Po Ismail Kadare me Helenën në cilën kafene të Tiranës e pijnë kafenë? Ku e pi kafenë prof Rexhep Qosja në Prishtinë? E njëjta pyetje vlen edhe për qytetet e tjera shqiptare për të ditur dhe për të njohur jo vetëm ku e pinin kafenë idhujt tanë kulturorë të kohëve të vjetra dhe ku e pinë kafenë idhujt tanë të rinj paraprijës të kulturës të kohës që po jetojmë por edhe për të ditur se në cilën shtëpi, në cilën dhomë, në cilën tavolinë, me cilën makinë shkrimi, në cilën karrike, me cilin abazhur, me cilin laps dhe me cilin stilograf ata i krijuan librat dhe veprat e tyre.
Brezi i mjekëve, inxhinjerëve, ekonomistëve, gjuhëtarëve, arkeologëve dhe historianëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore i ka përcjellë studjuesve të brezave më të rinj metodologjinë dhe metodën e skedës së shkruar dhe të vendosur me rigorozitet në skedar, qoftë sipas rendit alfabetik, qoftë sipas idesë dhe tematikës përkatëse, metodë, e cila ka të bëjë me grumbullimin, analizimin dhe sitjen e fakteve dhe të dokumenteve, të cilat po t’i mbledhësh të gjitha bashkë me punë dhe me talent janë të zonjat të prodhojnë libra. Mirënjohje profesorëve tanë. Puna parapërgatitore e autorit, e botuesit, e redaktorit, e përkthyesit, e korrektorit të një libri në njëfarë kuptimi figurativ është një punë që kryhet në thellësitë e «minierës» dhe nuk shihet me sy të lirë nga njerëzit e zakonshëm, ashtu siç nuk mund të shihet kometa me sy të lirë. Në minierë bëhet një punë e rëndë dhe e mundimshme vetësakrifikuese me orë të zgjatura ku orët e punës i caktojnë vetë ata «minatorët» me vullnetin e tyre, ku muajt kalojnë sikur të jenë ditë dhe ata vuajnë jo vetëm nga mungesa e gjumit por edhe nga mungesa e dritës. Qëllimi i vetëm i punës së tyre nuk është tjetër veçse të nxjerrin sa më shumë minerale të pasura mbi sipërfaqe, vlera e të cilave do të matet, do të peshohet dhe do të vlerësohet nga gjykatësi lexues dhe gjykatësi shikues.
Ne kemi nevojë që brezi ynë të lërë gjurmën e tij në kohë, kemi nevojë për dokumentimin dhe informatizimin e kujtesës sonë materiale, vizuale dhe shpirtërore, kujtesë, e cila është pjesë përbërëse e rëndësishme e memories sonë kolektive kombëtare. Meshari i Gjon Buzukut, libri i parë i botuar shqip në Romë me alfabetin latin në vitin 1555 ruhet në arkivin e Vatikanit. Një vit më pas, në vitin 1556, në Bazel të Zvicrës u shtyp libri i Marin Barletit me titull: «Rrethimi i Shkodrës» - «De obsidione Scodransi». Prifti françeskan zviceran nga Locarno Filippo da Locarno (1670-1709) ka shërbyer si misionar në Shqipëri. Princesha rumune me origjinë shqiptare e njohur me pseudonimin Dora d’Istria u vendos në Zvicër në vitin 1855 dhe përgjatë disa viteve botoi disa vepra me karakter historik dhe foklorik, midis të cilëve dy libra me këngë popullore shqiptare. A nuk është figura e Henry Dunant, themeluesit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq një emblemë frymëzuese për miliona njerëz në botë? A nuk është figura e Gustave Moynier, presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili e drejtoi këtë institucion për 46 vjet me radhë, portretizimi i një luftëtari të paepur për kauzën e Kryqit të kuq?
Nëse do të flasim për strukturën dhe formën e librit mjaft kolegë të mij gazetarë më kanë propozuar me të drejtë që duke patur nëpër duar qindra dokumenta në lidhje me Shqipërinë, Eugene Pitard-in dhe bashkëshorten e tij të bëja një botim dokumentash të pajisur me një introduksion të gjerë. Pasi reflektova gjatë vendosa të zgjidhja rrugën tjetër, atë të letërsisë dokumentare, e cila është rrugë më e vështirë, më e koklavitur dhe kërkon shumë punë dhe mund. Humnera e fletës së bardhë pa as të vetmen shkronjë të shkruar mbi të, është një humnerë e lemerishme që e njohin mirë njerëzit e letrave si dhe krijuesit e arteve të tjera. Jam përpjekur që në këtë monografi të bëj një ndërthurje, një aliazh të faktit, të dokumentit dhe të narrativës historike me letërsinë dokumentare, pa qenë i sigurtë nëse ia kam arritur plotësisht qëllimit. Kam mendimin se hapja e derës së një dokumenti a të një letre të shkruar 100 vjet më parë të një autori duhet të përcjellë ekzarsistula kardiake në zemrën e lexuesit, aq më tepër që ato rreshta që autori i ka shkruar me sinqeritet në vetminë e tij në terrin e natës apo në agun e mëngjesit, ai nuk ka menduar asnjëherë se një ditë do të shohin dritën e botimit. Ky është pengu më i madh apo brenga e pashërueshme që i bren letërshkruesit apo epistolierët që nga dashnorët e fshehtë dhe të përvëluar të Venedikut deri tek punonjësit e zymtë të kadastrave.
Kujt i bëhet homazh në këtë libër, i cili mbërrin në destinacion, në duart e lexuesit pas një maratone të gjatë 10 vjeçare? Në krye të herës ky libër është një homazh për Zvicrën dhe Shqipërinë, për Helene dhe Eugene Pittard-in, për Tiranën dhe Gjenevën, për Kryqin e Kuq shqiptar, për Gustave Ador-in dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, për Lidhjen e Kombeve, për dy qytetarët amerikanë që u vranë në atentat në Shqipëri në prill të vitit 1924. Në këtë libër i bëhet homazh gjithashtu të gjithë atyre shqiptarëve të thjeshtë në të gjithë Shqipërinë, të cilët ndonëse nuk kishin tituj dhe grada shkencore, nuk kishin as dyqane, as toka, as prona e prisnin Eugene Pittard-in me bashkëshorten e tij Helene Pittard e njohur me pseudonimin Noelle Roger në minderet e tyre të thjeshta si njerëz të familjes me një të atillë dashuri dhe respekt sa nuk mund të shpërblehej me asnjë pasuri në botë.
Kontributi i Eugene Pittard për Shqipërinë dhe shqiptarët është i jashtëzakonshëm. Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës Shqiptare e dekoroi Prof. Eugene Pittard në 4 shkurt 1927 me dekoratën e lartë Komandant me hyll Oficer madhor i Urdhërit të Skënderbeut për meritat e tij në fushën e antropologjisë shqiptare, për kontributin e tij në themelimin e Kryqit të Kuq shqiptar dhe si i deleguar i Lidhjes së Kombeve në kapërcimin e krizës së urisë që shpërtheu në Shqipërinë e veriut në vitin 1924. Miqtë e Shqipërisë që dashurohen me Shqipërinë e dashurojnë atë me të njëjtën ndjenjë gjatë gjithë jetës së tyre. I tillë është rasti i Helene dhe Eugene Pittard-it, të cilët i njohën shqiptarët për herë të parë në vitin 1899 dhe për katër dekada me radhë dashuria e tyre për Shqipërinë mbeti e gjallë deri në muzgun e jetës së tyre.
Prof. Eugene Pittard si i deleguar i Lidhjes së Kombeve së bashku me bashkëshorten e tij rrezikuan jetën në Shqipëri kur një grup banditësh iu zuri pritë në Mamurras dhe në vend të tyre vranë dy qytetarë amerikanë. I sugjeroj Ministrisë së Punëve të Jashtme që t’i propozojë qeverisë shqiptare ngritjen e një memoriali në Mamurras në përkujtim të dy qytetarëve amerikanë të vrarë në atentat në vitin 1924. I propozoj Presidentit të Republikës së Shqipërisë që të dekorojë Prof. Eugene Pittard me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë si dhe t’i pajisë familjet Pittard dhe Dufour në Gjenevë me pasaporta shqiptare. I propozoj Bashkisë së Tiranës që të emërtojë një rrugë të kryeqytetit me emrin: Helene dhe Eugene Pittard.
Kam kënaqësinë të falenderoj përzemërsisht botuesin e librit zotin Luan Rama, ish-Ambasador i Shqipërisë në Francë, shkrimtar, përkthyes dhe poet dekoruar nga Presidenti i Francës me medaljen Oficer madhor i Urdhërit Kombëtar të Meritës. Falenderoj përzemërsisht Prof. Dr. Xhevat Lloshin, anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave për punën e përimët dhe të thukët redaktuese që i ka bërë këtij libri voluminoz me profil historik. Dëshiroj ta falenderoj gjithashtu Prof. Dr. Xhevat Lloshin për përkthimet e përkryera që ai u ka bërë në libër korrespondencave nga anglishtja, gjermanishtja dhe italishtja në gjuhën shqipe. Falenderoj përzemërsisht përkthyesen dhe korrektoren letrare të librit zonjën Rina Cela Grasset, autore e disa librave, e cila me eksperiencën e saj të pasur linguistike i ka dhënë kënaqësinë Helene dhe Eugene Pittard-it të flasin shqip.
© Kudret Isaj











