Festimet arvanitase
- Nga: BESMIR TOÇILA
Ndër zakonet e tjera të jetës së arvanitit që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të historianëve dhe që e bën atë të dallueshme nga ceremoni të tilla të vendasve, është edhe mënyra e organizimit të dasmave. Ajo, ndryshe nga mënyra e realizimit të popujve të tjerë, nga pjesëmarrësit në të, del jashtë kufijve të rrethit të ngushtë familjar. Pjesmarrja në të është e gjerë dhe masive. Lëvizjet, veshjet, llojet e këngëve dhe valleve, mënyra e ardhjes së krushqve, veshjet e të pranishëmve dhe deri lëvizjet e palëve në ceremoni, marrin nuancë dhe forma që duken se dalin jashtë botës dhe jetës njerëzore. Ato marrin herë-herë madhështinë e festave mitike apo të ceremonive që organizonin dikur perënditë e lashta.
Ritet e tyre tipike, arvanitët i kanë ruajtur deri pak dekada me parë dhe pjesëza të tyre ruhen si relike të rralla deri sot. Edhe kur një masë e arvanitëve u konvertuan në fenë myslimane siç bëjnë të njohur shumë historianë të kohëve, ata vazhduan të ruajnë miqësitë e tyre duke bërë edhe lidhje martesore. Bile, këto lidhje i realizonin vetëm mes tyre dhe jo me kombësitë e tjera. Aq tipike ka qenë riti dhe ceremonia festive e dasmës arvanite, sa ajo jo vetëm ka tërhequr vëmendjen e vendasve dhe të të huajve, por është trajtuar vërtet si një spektakël i rrallë dhe mahnitës. Ajo ç’ka ka qënë tepër interesante dhe që dukshëm përcillet dhe lidhte origjinën arbërore të riteve arvanite, ka qënë zakoni i lashtë, pse jo homerik i grabitjes së nuses- kujto Helenën e bukur- fenomen që nuk ndodhte tek grekët. Ky zakon, kurajo dhe kapriçio morale e meshkujve që duket se është e përcjellë nga humbëtirat e shekujve dhe merr forma gati-gati mitike, dhe që Kadareja e përcjell në shkrimet e tij, nuk ruhej dhe nuk trashëgohej nga popullsia greke as të paktën në mesjetë. Ndërsa tek arvanitët ajo jo vetëm që ekzistonte deri vonë, por nuk përjashtohen rastet gjer në dekadat e para të shek XX, duke ndjekur të njëjtat ligjësi si tek rastet e grabitjeve të parashikuara në rregullat dhe moralin mesjetare shqiptare.

Vallet më karakteristike arvanitase janë ajo çame dhe kangjeli. Përveç këtyre kërcehet dhe sirto, me kallamatjanen. Është e vështirë të zbërthejmë mendimin për lidhjen e arbëreshëve me sirton dhe kallamatjanen. Sirto kërcehet bashkë me çamen në fshatrat arbëreshe të ishujve Argosaranikut dhe Eubesë Jugore. Po ashtu dhe kallamatjana, edhe pse nuk dihet nëse emërtimi i kësaj valleje vjen nga qyteti i Kallamatës apo nga fjala kallamata, që në arbërisht ishte shamia, e ngjyrosur zakonisht, që shërbente si pjesë zbukuruese e veshjes shqiptare të grave dhe që përdoret në disa raste edhe nëpër valle. Henri Hooland në kujtimet e tij do të shkruante: “Më pas ata u ngritën e filluan një valle shqiptare shumë ekspresive nga ç’mund të imagjinohej një e tillë tek fiset e egra të Amerikës së Veriut. Ajo u ekzekutua nga një valltar i vetëm, ndërsa defi dhe fyelli shoqëronin lëvizjet e tij. Valltari hidhte pas flokët e tij të gjatë, që turfullonin, mbyllte sytë e tij dhe pa ndalur për dhjetë minuta ai mori tërë pozicionet më dinamike dhe të paimagjinueshme që mund të shohë njeriu. Shpeshherë kthente fytyrën e tij në profil, pastaj binte në gjunjë për pak sekonda, shpesh rrotullohej fluturimthi, pastaj kryqëzonte duart me forcë rreth kokës së tij.”
Organet muzikore të arvanitasve janë Daullja (që shquhet dhe si organi muzikor luftarak), fyelli dhe pipëza. Pipëzën në vitet paskryengritëse e zëvëndësoi klarineta dhe grekët duhet të dinë se klarineta ishte e panjohur në Greqi në vitet parakryengritëse. Por meqë mbulonte shumë më mirë pipëzën dhe nxirrte tinguj më të ëmbël përfundimisht arriti të mbizotëronte vetëm ajo. Përveç pipëzës dhe daulles, në vitet e kaluara ekzistonin dhe vegla kordale, kitara dhe tamburaja. Udhëtari A. Milhefer na jep të dhëna për këngën e arvanitëve dhe veglën shoqëruese, “ një lloj kitare ose mandoline” (është fjala për lahutën – thotë studiuesi Kosta Biri).
Referenca: I.Koçollari, Arvanitët, Histori e Shqiptarëve të hershëm në Greqi në shek XIII-XIX,vepër e përmendur, f.291-293
A.P.Kola, Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve, vepër e përmendur, f.374
Dh.Grillo, Arvanitët dhe Shqiptarët në Luftën Çlirimtare të Popullit Grekë, vepër e përmendur, f.12











