Histori

Kongresi i Lushnjes, ngjarje e madhe historike

Një nga nga ngjarjet më të rëndësishmë në historinë e shtetformimit të Shqipërisë mbetet pa dyshim Kongresi i Lushnjes që i zhvilloi punimet nga 21 deri më 31 janar të vitit 1920. Ky kongres miratoi një akt kushtetues për konsolidimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë, zgjodhi Këshillin e Lartë me katër anëtarë, organ që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit si dhe Këshillin Kombëtar me 37 anëtarë (parlamentin e parë) sëbashku me qeverinë. Kongresi i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar Kasëm Fuga dhe aty morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Një ndër qëllimet kryesore të tij ishte edhe shqyrtimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit si dhe përcaktimi i masave që duheshin marrë për shpëtimin nga rreziku i coptimit të mëtejshëm të atdheut.

Delegatëve u uroi mirëseardhjen Ferit Vokopola, përfaqësues i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit ndërsa pas tij fjalën e mori patrioti i famshem i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani, i cili u zgjodh edhe kryetar i Kongresit. Më pas u bë ndarja e delegatëve në grupe të ndryshme, grupe të cilat filluan nga puna menjëherë. Një tjetër vendim i rëndësishem ishte dhe ai për ashpërsimin e protestave kundër Traktatit të fshehtë të Londrës, dokument i miratuar më 26 prill të vitit 1915 që sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Mbledhja analizoi gjithashtu qëndrimin e qeverisë së Durrësit të kryesuar nga Esat Pashë Toptani dhe vendosi unanimisht rrëzimin e saj.

Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë (Regjencën) me anëtarë Imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Mihal Turtullin. Ky organ, me përfaqësues nga 4 besimet fetare do te luante rolin e kryetarit të shtetit.  U zgjodh gjithashtu edhe qeveria e re e drejtuar nga Kryeministri Sulejman Delvina.  Përberja e Kabinetit ministror ishte si më poshtë: Ahmet Zogu- Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica - Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhe Kadria - Ministër i Drejtësisë, Ndoc Coba - Ministër i Financave, Sotir Peci - Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja- Ministër i Luftës, Eshref Frasheri- Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi- Drejtor i Përgjithshëm i Postë-Telegrafës.

Në ditën e fundit të punimeve, më 31 janar, kongresi caktoi anëtarët e Senatit dhe vendosi që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë kontrollin e institucioneve dhe territorit duke caktuar përfundimisht dhe Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. Kjo ngjarje e madhe historike krijoi kësisoj kushtet që në pak kohe qeveria e dale prej saj të njihej prej të gjithë shqiptareve. Në atë kongres e ka zanafillën gjithashtu edhe ngjitja e shpejtë në karrierë e 24 vjecarit Ahmet Zogu i cili pas 5 vjetësh arriti në fronin e Presidentit e me pas në atë te Mbretit të shqiptarëve.