Histori

1997: Kur Leka Zogu lobonte në Shtëpinë e Bardhë për rikthimin e Monarkisë - Nga Armand Plaka

 Armand Plaka

Zbulohet letra e veteranit amerikan për Presidentin Clinton: “I dashur z. President, rikthimi i Mbretit Leka me mbështetjen e SHBA, rruga më e qëndrueshme për të arritur paqen dhe stabilitetin në Shqipëri…”

Ndërsa Shqipëria lundronte në kaosin që po shkaktonte drama e 1997, Oborri Mbretëror Shqiptar kishte ndezur motorët për të ndërmarrë aksionin e tij më madhor për depërtimin në Shqipëri, duke tentuar jo vetëm prezencën fizike (pas një bllokimi prej dekadash që i kishtë bërë komunizmi dhe atë disavjeçar që i kishtë bërë qeveria e Sali Berishës qysh nga viti 1993, duke e kthyer mbrapsht akoma pa vënë këmbë mirë në Aeroportin e Tiranës), por edhe një plan të mirëmenduar politik veprimi që do të kulmonte me Referendumin e Qershorit 1997 për formën e qeverisjes. 

Pikërisht rezultatet e kontestuara të këtij referendumi dhe dhuna e shkurtër që pasoi (ku nga marshimi i monarkistëve me në krye vetë Mbretin Leka I në qendër të Tiranës u shënua edhe një i vrarë në radhët e mbështetësve të Monarkisë), për ironi të fatit do të bënin që Familja Mbretërore të merrte sërish udhën e mërgimit.

Këtë radhë Shqipëria do të udhëhiqej nga socialistët. Ajo do t’i nënshtrohej një vendimi që do ta mbate atë sërish larg vendit të vet edhe për disa vite të tjera, derisa ujërat në mesvitet 2000 të qetësoheshin sërish.

Sidoqoftë, në vitin 1997, para mbajtjes së referendumit, duket se përpjekjet e lidhjet personale të Lekës I me miq e figura të njohura të jetës politike e jo vetëm në SHBA e Perëndim, kishin bërë që diçka të levizte, duke bërë që lutje, letra e rekomandime të shkonin tashmë deri në zyrën e Presidencës Amerikane, për të kërkuar e testuar mbështetjen amerikane për projektet monarkike për Shqipërinë. 

E tillë është edhe një letër e nënshkruar nga një veteran i Ushtrisë Amerikane, me emrin Oliver L. Peacock me gradën Gjeneral Brigadier, i cili pas një parashtrimi vertikal historik të atyre që mund të cilësohen si kontributet dhe synimet politike të Monarkisë Zogiste Shqiptare, i drejtohet kreut të Shtëpisë së Bardhë Bill Clinton më 8 prill 1997, për ta përkrahur opsionin e rikthimit të Monarkisë në Shqipëri, argumentuar sipas tij me traditën shqiptare , duke theksuar nga ana tjetër dështimin e klasës aktuale politike republikane në Shqipëri. 

Koha tregoi se politika amerikane nuk do të dilte në mënyrë eksplicite në krah të kësaj ideje, por i dha rrugë një testi jo të vogël e ndoshta të menduar të parealizueshëm për kohën siç ishte ai i mbajtjes së një referendumi masiv popullor mbi formën e qeverisjes në vendin e vogël buzë Adriatikut, që për ironi të fatit u zhvillua paralelisht me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në një sistem të pastër republikan.

Interesant dhe jo pak i habitshëm në parashtrimin e ushtarakut të lartë amerikan që kishte marrë kështu përsipër të lobonte fort në Shtëpinë e Bardhë është një paragraf që duket jokoherent duke tejkaluar disi faktet, realitetin historik e atë momental politik, kur pohon ndër të tjera se në krahun kundërshtar të socialistëve (duke anashkaluar tërësisht demokratët, të cilët edhe pse të dërrmuar në ato momente gjithsesi ishin politikisht akoma kundërshtari politik nr. 1 i socialistëve) ishin: nacionalistët pro monarkisë së rajoneve veriore rreth e qark Shkodrës dhe rajonet klanore të Matit, si dhe ato të Korçës, Himarës, Delvinës dhe Voskopojës në Jug, të cilët ofrojnë besnikëri ndaj mbretit të mërguar Leka I.

Gjithashtu në një tjetër pasazh, ai thekson se Monarkia Shqiptare sipas Kushtetutës së vitit 1928 nuk u shfuqizua asnjëherë zyrtarisht nga regjimi komunist… ndërkohë që siç dihet me Kongresin e Përmetit në vitin 1944 u shfuqizua Kushtetuta e 1928 dhe vetë Mbretit iu ndalua me ligj rikthimi në atdhe dhe madje për të u miratua një vendim për gjykim apo dënim ekstrem në rast se verifikohej prezencë fizike në vendlindje, duke e trajtuar njëlloj me kriminelët e luftës.

Sidoqoftë, duket se synimi primar i lobistit amerikan ishte të paktën përkrahja amerikane për mbajtjen e një referendumi popullor në Shqipëri, gjë të cilën ai ia arriti, edhe pse rezultatet e tij vijojnë të kontestohen nga Familja Mbretërore Shqiptare, e cila qysh prej rikthimit për herë të fundit në atdhe, duket se në terma  konkretë (de facto) i është përmbajtur një marrëveshje të pashkruar për të mos u aktivizuar në jetën politike (përsa kohë që kjo ia lejon) edhe pse partia që ajo mbështet e që perceptohet se përfaqëson e mbron më së miri interesat e Monarkisë në Shqipëri, në intervale të caktuara kohore ka përsëritur idenë e rikthimit të Monarkisë si opsion për mirëqeverisjen e vendit, duke aluduar apo bërë thirrje për rimbajtjen e një referendumi për formën e qeverisjes në vend.

Më poshtë letra e plotë e Gjeneralit Peacock për Presidentin Clinton:

GJENERAL BRIGADIER OLIVER L. PEACOCK

Bray's Island Plantation

P.O. Box 189

Sheldon, South Carolina 29941

803-846-4692

8 prill, 1997

Presidentit Bill Clinton

Shtëpia e Bardhë

Washington DC

I dashur zoti President,

Situata në Shqipëri tashmë ka arritur në pikën kritike ku ajo nuk mund të injorohet më nga vendet perëndimore pa pasoja të rënda për ekuilibrin ekonomik dhe politik global.

Edhe pa i kuptuar plotësisht veçoritë historike dhe gjeopolitike të konfliktit aktual në Shqipëri, një analizë e kujdesshme dhe e mirëmenduar e ngjarjeve çon në vendimin se një plan veprimi i kujdesshëm duhet të formulohet nga të gjithë personat vullnetmirë për të ndihmuar në rivendosjen e paqes dhe ekuilibrin në rajon.

Kriza aktuale brenda Shqipërisë nuk është as një rrënim i brendshëm i solidaritetit njerëzor dhe as një rast i izoluar i ksenofobisë paranojake, por një lutje autentike për vetvendosje. Sipas raporteve më të fundit mediatike nga Shqipëria, në këtë moment atje nuk ekziston një qeveri e qëndrueshme.

E ashtuquajtura “Qeveria e Unitetit Kombëtar” nuk ka pushtet dhe as politikë koherente. Është e dënuar të bjerë bashkë me Presidentin Sali Berisha.

Duket se pushteti real po konsolidohet në dy blloqe diametralisht të kundërta; socialistët (ish-Partia Komuniste) të udhëhequr nga i liruari së fundmi nga burgu, Fatos Nano dhe nacionalistët pro Monarkisë së rajoneve veriore rreth e qark Shkodrës dhe rajonet klanore të Matit si dhe ato të Korçës, Himarës, Delvinës dhe Voskopojës në Jug, të cilët ofrojnë besnikëri ndaj mbretit të mërguar Leka I.

Mbështetja e fortë për kthimin e Monarkisë mund të duket anakronike për shumicën e amerikanëve të edukuar me traditën e kontratës shoqërore republikane të Rousseau dhe Locke. Populli shqiptar, megjithatë, duke pasur parasysh lashtësinë dhe izolimin e tij, është i atashuar thellë në traditën e vjetër të ndarjes shoqërore të familjes, atë klanore, të fisit dhe kombit. Pikërisht për këtë arsye figura simbolike e Mbretit është kaq thelbësore për unitetin dhe vazhdimësinë kombëtare.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, LMT Mbreti Zog i Shqiptarëve, i njohur në atë kohë si Ahmet Zogu, Kryetar i klaneve të Matit, nis karrierën e tij politike.

Me mbështetjen fillestare të klaneve të Matit që përfaqësonin 10.000 burra të armatosur, Ahmet Zogu mbrojti kongresin e sapoformuar që kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Pasi u bë deputet, fillimisht u bë Ministër i Brendshëm, më pas Ministër i Mbrojtjes dhe më në fund President i Republikës së Shqipërisë në vitin 1924. Në vitin 1928, me votë unanime të Kuvendit Kombëtar u krijua Monarkia Shqiptare me Mbretin Zog I në krye të saj.

Monarkia Shqiptare sipas Kushtetutës së vitit 1928 (asnjëherë e shfuqizuar zyrtarisht nga regjimi komunist) ishte e një dizajni kushtetues modern me një Dhomë Deputetësh (Asamble Kombëtare) të bazuar në një përfaqësues për çdo 15,000 banorë. Mbreti emëronte Kryeministrin, i cili, nga ana tjetër, formonte qeverinë. LMT Zog I projektoi këtë sistem pikërisht për të formuar një sistem kontrolli dhe balancash duke respektuar rreptësisht ligjin (Kodin Napoleonian).

Sundimi i LMT Mbretit Zog I udhëhiqej nga dëshira për të promovuar mirëqenien e kombit të tij nëpërmjet reformave progresive. Ai mbështeti/promovoi arsimin, industrinë dhe agroteknologjinë. U përpoq gjithashtu të kryente një reformë agrare përballë kundërshtimit të fortë ardhur nga pronarët e mëdhenj me interesa të gjera. Për të përmendur një shembull anekdotik të seriozitetit të këtyre reformave, LMT Zog I dhuroi dy nga pronat e tij familjare në dobi të Programit të Reformës Agrare.

Për ironi të fatit, Fondi i Bursave të Nënës Mbretëreshë Sadije, pagoi për arsimimin e Enver Hoxhës dhe disa të tjerëve që më vonë do të shndërroheshin në bërthamën e lidershipit komunist të Shqipërisë. Këta njerëz ishin të ekspozuar ndaj mësimeve marksiste-leniniste të marra në universitetet e Francës dhe të vendeve të tjera.

Mes arritjeve më të mëdha të LMT Zogu I, ishin zhvillimet që ai promovoi në jetën fetare të vendit. Për shembull, ai ia doli që Kisha Ortodokse Shqiptare të fitonte statusin autoqefal brenda vetëm nëntë vjetëve negociata dhe gjithashtu vendosi një konkordat me Vatikanin. Ai promovoi edhe zhvillimin e besimit islam. Kjo u bë duke organizuar hoxhët (klerikët myslimanë) vendas, myftinjtë rajonalë, të cilëve u kërkonte t'i përgjigjeshin Kryemyftiut të Shqipërisë.

Gjithashtu nën kujdesin e LMT Mbretit Zog I u themelua edhe Kryqi i Kuq Shqiptar dhe u bënë hapa të mëdhenj për modernizimin e sistemit spitalor dhe të kujdesit shëndetësor shqiptar. Është e njohur botërisht se periudha e shkurtër e mbikëqyrur nga LMT Zog I ishte periudha më e begatë dhe paqësore e gjithë historisë shqiptare.

Megjithëse fuqitë aleate u paralajmëruan veçanërisht për pushtimin e afërt nga forcat fashiste italiane përpara pushtimit të vitit 1939, Shqipëria ra më 7 prill të atij viti dhe Mbreti Zog u detyrua të mërgonte drejt Britanisë së Madhe. Atje ai formoi, me mandatin e qartë të Asamblesë Kombëtare tashmë të shpërbërë, një qeveri në ekzil, e cila zyrtarisht i shpalli luftë fuqive të Boshtit. Shqipëria ra më pas në duart e komunistëve në vitin 1945 me mbështetjen e Jugosllavisë dhe palëve të tjera të interesuara.

LMT Zogu I iu përmbajt një jete aktive politike deri në vitin 1961 kur edhe vdiq në Paris, duke lënë djalin e tij, LMT Leka I i shqiptarëve, të vazhdonte luftën për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Sipas Kushtetutës shqiptare të vitit 1928, megjithatë, pasardhja automatike e djalit të madh të një monarku të vdekur duhej të ratifikohej nga Asambleja Kombëtare.

Kjo u bë në prill të vitit 1961, në hotelin “Bristol” në Paris nga delegatë të Kuvendit Kombëtar Shqiptar në Mërgim nga të gjitha komunitetet shqiptare në mbarë botën. Në vitin 1962 LMT Leka I transferoi Oborrin Mbretëror të Shqipërisë në Madrid, Spanjë, ku puna e tij e vazhdueshme për çlirimin e shqiptarëve nga sundimi komunist u lejua në heshtje, edhe pse nuk u mbështet hapur.

Pas dëbimit të LMT Leka I nga Spanja në 1979, për shkak të presionit ndërkombëtar, Oborri Mbretëror, përfshirë Nënën Mbretëreshë Geraldinë, u zhvendos fillimisht në Rodezi dhe më pas në Afrikën e Jugut.

LMT Mbreti Leka I ndër vite, pavarësisht mungesës dhe vështirësive personale dhe familjare, ka ruajtur entuziazmin për krijimin e një Shqipërie të lirë dhe të bashkuar dhe shkurtimisht vizitoi vendin e tij zyrtarisht si Mbret në vitin 1993.

Qëllimi i deklaruar i Madhërisë së Tij në këtë kohë është të kthehet në Shqipëri qoftë si Mbret apo si qytetar privat, në të njëjtën kohë të kryhet një referendum i mbikëqyrur siç duhet i popullit shqiptar në lidhje me formën e qeverisjes që ata dëshirojnë, qoftë monarki apo republikë.

Rikthimi i Mbretit Leka I si monark kushtetues me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara është rruga më praktike dhe më e qëndrueshme historikisht për të arritur paqen dhe stabilitetin në Shqipëri.

Duke ju uruar çdo të mirë,

Sinqerisht,

Oliver. L. Peacock

Foto: Faksimile e faqes së pare dhe e faqes së fundit të letrës së datës 8 prill 1997, të Gjeneral Brigadier Oliver L. Peacock për Presidentin Bill Clinton, mbi synimet që lidheshin me përkrahjen amerikane ndaj rikthimit të Monarkisë në Shqipëri.

© Armand Plaka