Botohet në Angli romani “Misioni” i shkrimtarit Vangjush Saro
Romani “Misioni” i shkrimtarit Vangjush Saro, botuar këto ditë në Mbretërinë e Bashkuar, rrëfen aventurat dhe dështimet e z. Din Bedell, një profesor në pension i cili rreh të drejtojë vëmendjen e qytetarëve dhe autoriteteve në problemet mjedisore dhe çështjet sociale. Qëllimet e larta - siç edhe i quan me të drejtë - plaku naiv i ka hedhur në një program; dhe i rimerr ato herë pas here në “komunikatat”’ që shpërndan ku të mundet. “Rekuizita” e tij është domethënëse: çanta ku mban programet e dokumentet, kapelja republike, çadra dhe... një biçikletë.
I shoqëruar nga asistenti i tij i pashkollë, Xha Rema, dhe i mbështetur nga një zëdhënës i çuditshëm që nuk shfaqet asnjëherë, misionari vullnetmirë endet poshtë e lart të sensibilizojë njerëzit dhe institucionet për tatëpjetën e jetës dhe të mjedisit. Ai viziton pareshtur shkolla, kopshte, biznese, diskoteka, azile, plazhe; duke agjituar kudo idetë dhe propozimet e tij të pambështetura nga askush. Në këto e sipër, përherë i pathyer, ai bën çmos të shtrojë edhe rrugën e bashkëpunimit me partnerë nga bota...
Profesori i pafat hyn e del në grotesk, por duke mos lënë rast pa shpërndarë nga pak trishtim. Ndonjëherë, ai shkon shumë larg: p.sh. propozon që në banketet shtetërore të thirret një mikesha e tij, Violeta, e cila pjek misra te qoshku; ai gjithashtu ka bërë mend të ndjekë një mbledhje të G-20 për të përcjellë propozimin që “sa herë të takohen, të pastrojnë qytetin ku takohen dhe të takohen me të pastrehët”. (Kakofonia është ofruar këtu me qëllim.)
Aventurat tragjikomike dhe sjelljet e çuditshme të profesorit, bien ndesh me realitetin. Ai nuk vë dot në lëvizje ndonjë mekanizëm shtetëror; madje nuk arrin të tërheqë as mediat apo edhe vetë qytetarët. Shteti, po se po, qëndron përpara tij i ftohtë - akull. Për më keq, gjatë një tentative për të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” një takim të hapur me autoritetet dhe mediat, policia, papritur, e arreston plakun ëndërrimtar. Për pështjellimet që ka shkaktuar - përfshi një memo për kryeministrin në rrjetet sociale - misionari i ngratë përballet me disa akuza. Atij i duhet të “rrëfehet” përpara një hetuesi (fatmirësisht) korrekt, që nuk arrin të kuptojë pse e kanë ndaluar, ndërkohë që “lufta” e tij s’është për t’u prangosur...
Romani është botuar nga “Pegasus Elliot Mackenzie Publishers” - Kembrixh, Mbretëria e Bashkuar; mund të blihet ose porositet në një sërë ente, si Bookshop UK, Waterstones, Booktopia, Adlibris, William Dam, Feltrinelli, IMUSIC, WizeBooks, IBS Libri, Mitacosbooks, Amazon, eBay, etj. (Përveçse në vendin ku u botua, Angli, distribuimi i librit mbulohet edhe nga ente që veprojnë në SHBA, Kanada, Itali, Greqi, etj.)
“Misioni” u publikua fillimisht në “Amazon”, nën kujdesin e Eno Muho; më pas, u ribotua nga ERIK Botime në Tiranë. Libri ka pasur vëmëndjen e publikut, si dhe të një sërë kritikëve, shkrimtarëve e përkthyesve, si Fatmir Terziu, Vangjush Ziko, Elvi Sidheri, Qazim Muska, Flamur Shabani, Ligor Prifti, Allaman Hoxha, Shefqet Sulmina, etj.












