Letërsi

Fluturuesi dhe fluturimi

Nga: Zija Çela

Çdo qytet ka shenjat e tij, tha ai sapo u ulëm për darkën. Ndërsa yni nuk ka as kulla xhami, as shatërvane, as xhamia me kube të larta apo kambanare gotike. Nuk ka madje as arkeologji. Por ne kishim një njeri, një njeri të vetëm, që u bë shenja e këtij qyteti. Vendbanimin tonë anësor ai e bëri të njohur edhe në mediat e kryeqytetit. E ky ishte Tori Martini. Ndryshe Fluturuesi, siç e cilësonte “Gazeta e mëngjesit”, ose Pasionanti sipas “Gazetës së mbrëmjes”. E pranoj, edhe sipas meje, sepse pasioni…

Kush ishte njeriu që fliste? Një miku im. Pasi ishim njohur gjatë në Facebook, më ftoi të vizitoja qytetin ku jetonte.

Pra edhe sipas meje, vazhdoi, pasioni ishte motori i energjisë dhe i guximit të tij. Tori Martini nuk qe kurrë akrobat i ndonjë cirku profesionist. Ai e kishte të lindur dashurinë për qiellin. Që në fëmijëri e nisi vetë ecjen në litar dhe, kur u bë djalë, një ekip shokësh e ndihmonte gjithnjë për shtrirjen e kavos. Në oborr…

Po prindër, kishte prindër ky djali? e ndala unë.

Akrobati qe rritur jetim nga i ati, m`u gjegj miku. Vejusha e re nuk pranoi fat tjetër dhe e lidhi jetën me atë fëmijë. Tori Martini e nisi ecjen në oborr me një litar kërpi. E lidhte në trungjet mes dy kumbullave dhe ecte sipër si ketër. Kështu vazhdoi për vite, aty u stërvit. Pastaj doli në rrugë, duke ecur mes dy ngrehinave nga njëra dritare te tjetra. Kur u ngjit në katin e dytë, shtoi shkopin e drejtpeshimit. Ndërsa në të tretin ekipi i shtoi edhe rrjetën mbrojtëse. Unë në këtë fazë nisa ta ndiqja. Ai kishte vënë një rregull…

Po si quhej, nuk më the si quhej…

Çudi e madhe me ty, më ndërpreu menjëherë, ende nuk e fiksove emrin e Tori Martinit?! Duket sheshit se as atëherë s`i paske lexuar gazetat për Torin e famshëm… E çfarë po thoja? Hë, isha duke thënë se ai kishte vënë një rregull të prerë. Ne, admiruesit e tij, nuk mund ta ndiqnim spektaklin më afër se tridhjetë metra. Ndoshta besonte se valët zanore të brohorimave krijonin rryma ajri, që mund të ndikonin për ekuilibrin.

Po e ëma i ndiqte këto shfaqje? s`po më mbyllej goja mua.

Asaj nuk i bënte zemra, tha ai. Nganjëherë as që e dinte se i biri ndodhej mbi tehun e çelikut. Kur e dinte, priste me gjak të ngrirë telefonatën e tij. Ishte koha kur edhe ndonjë autobus turistësh linte përkohësisht autostradën për të hyrë në qytetin tonë. Agjencitë e Tiranës i bisedonin oraret me Tori Martinin. Një ditë, kur u njoftua se në qytet do të hynin dy autobusë njëherësh, ai mori një vendim të pazakontë. Jo vetëm do të ngjitej një kat më sipër, por edhe lartësinë do ta përshkonte pa rrjetë mbrojtëse.

Se kush e lajmëroi të ëmën, s`u muar vesh. Ajo e depërtoi turmën nga njëri krah dhe doli në çeltinën pa njerëz. E pashë si ngriti duart lart, thua se po i drejtohej të birit dhe Zotit. Por nuk nxori pipëz zëri. Tashmë Fluturuesi e kishte nisur ecjen dhe ajo, gjithnjë me krahët përpjetë, çapitej nën tel me hapin e Torit… Kaq, unë kaq mund të them. Si ndodhi prishja e drejtpeshimit dhe rrëshqitja, nuk e shpjegoj dot. Por e kam si para syve çastin e rënies. Gruaja arriti ta tërhiqte djalin pas vetes, por pa i bërë ballë peshës dhe vrullit. Kështu që u plandosën të dy, ajo u shemb në shpinë, ndërsa Tori me kokën në barkun e saj. Ambulancat nuk vonuan. Njëra u nis me shpejtësi për në urgjencën e spitalit. Tjetra e mori më shtruar, sepse do të priste aty policinë, pastaj drejt e në morg. “Gazeta e mbrëmjes” e botoi lajmin në faqe të parë. Të nesërmen, në të përditshmen e mëngjesit gjetëm kronikën e natës orë pas ore. Gjendje e rëndë, fort e rëndë. Për Tori Martinin vetë mjekët kishin shpresa të vakta. Megjithatë, artikujt u shtuan në media. Shkruaj ne e shkruaj të tjerët, gazetat sikur u vunë në garë. Unë edhe sot e ruaj dosjen e plotë. Kam bërë shtatëdhjetë e katër prerje nga gazetat dhe emri i Tori Martinit përmendet katërqind e tetëdhjetë e gjashtë herë. Madje…

Po dale, bëra një ndërhyrje tjetër, unë desha të dija ndërkaq…

Fundin deshe të dije? më ndërpreu sërish ai. Po ta them troç, miku im, ti po më habit me të vërtetë! Pas nëntëmbëdhjetë ditësh Tori Martini doli nga koma. Tashmë shkrimet për Fluturuesin i mbizotëroi entuziazmi. Madje lajmin për daljen nga koma e dhanë edhe televizionet kombëtare. Ndërsa kryetari ynë i bashkisë, duke e nderuar për shërbimet e veçanta ndaj qytetit, e shpalli…

Po dale pra, më hipën kacabujtë më në fund, më lër radhë të flas! Dhe mos më ndërprit, të lutem. Unë desha të dija po zonja, ajo nëna që i dha një jetë të dytë, si quhej?

Ah, zonja! murmuriti miku i kapur në befasi. Vërtet, si quhej vejusha?! Në qytet, zakonisht, ajo njihej si nëna e Torit. Edhe mediat kështu e cilësonin. Me sa më kujtohet, njëra nga gazetat ia përmendi emrin një herë. Vetëm një herë, por ama në çastin e duhur, pikërisht kur mbylli sytë përgjithmonë. Shih, shih, më paska fluturuar nga mendja emri i saj!

Tagged under Zija  Çela