Letërsi

Luan Rama: Poetët thonë gjëra të çuditshme

«Gjatë gjumit hipnotik poetët thonë gjëra të çuditshme»

- shkruante dikur Jean Cocteau,

sigurisht ata e shohin ndryshe natën e botës dhe agun njerëzor

fijen e barit dhe vesën e mëngjesit mbi një shpirt,

drithërimën e një vajze të trishtë me hapin e saj të përhumbur,

ata flasin për zjarre në qiell që ndizen e shuhen kushedi nga ç’dorë

poetët thonë gjëra të çuditshme, herë të ngazëllyer

herë në jerm,

apo fjalë të shkëputura që enden nëpër erë

kumte për lirinë,

poeteshat duken menjëherë kur dashurojnë

dhe kur janë të plagosura për vdekje,

poetët thonë gjëra të çuditshme për fatet njerëzore

se në çdo themel ngrehine, ure, kështjelle

së pari duhet blatuar dashuria, - thonë ata,

se legjendat janë gjithnjë dashuri të pakryera,

udhëtime bohemësh mbetur përgjysmë

kushedi në ç’han, kushedi në ç’breg,

ku qiejt përthyhen në det,

poetët nuk dinë të gënjejnë, ata janë si fëmijët.

Kur Lorkës i thanë se do ta pushkatonin

ai nuk e besoi:

"Si mund të qëllohet një zemër poeti

në Grenadën e shenjtë, në bregoren ku bulëzon ulliri?"

Po kështu dhe Neruda kur e çuan me forcë në spital

në kllapinë e tij të fundme,

ai nuk e besonte se diktatorët mund të vrasin poetët,

kështu nuk besonin as adhuruesit e tyre, Blloshmi e të tjerë

po, poetët thonë gjëra të çuditshme

ata u murmurisin zogjve, sorkadheve, kuajve,

dinë të paqtojnë shpirtra,

mërmërisin përralla mistike

ku bajlozët, kuçedrat, perandorët, Neronët,

më në fund gjunjëzohen e vdesin gjithashtu

fjalët e tyre enden nëpër botë si flutura argjendi

në kohë eklipsesh…

Tagged under Luan Rama Jean Cocteau