Letërsi

Mustafë Ismaili: Me luginasit e mi në Kanadanë e largët

Nga: Namik Selmani

Një libër që lexohet në të gjithë kohërat

“Brengë” mund ta quaja ndryshe këtë libër të Mustafë Ismailit. “Brengë që shuhet” mund të quhej ndryshe. Mbase mund të ishte “libri i jetës së tij”. Brengë, por mund të quhet edhe detyrim, obligim, sfidë, homazh, urë. Të gjithë emërtimet më të bukura do i kishte ky libër. Një libër që i bën nder së pari atij si një autor i afirmuar prej vitesh i botës letrare shqiptare e asaj kanadeze. Në kuadrin e bashkimit kulturor që po bëjmë shqiptarët, Mustafa është në radhën e parë. Më i lëvduari nga të gjithë. Është modeli më i mirë i punës e i sakrificës. Të gjithë e dimë se në kohët që jetojmë për arsye nga më të ndryshmet, botimi i një libri është një sakrificë e madhe, është mbase edhe dhimbje. Brengë, thotë ai sa një mijë fjalë kritikësh. Se përtej asaj që ti bën për ta shkruar qoftë edhe me vite të tëra, për atë që ke harxhuar para dyerve të Shtëpive Botuese që nuk bëjnë asnjë gjë pa parë duart e shkrimtarëve, është dhe dhimbja se librat nuk e gjejnë si duhet lexuesin e duhur. Këtyre sakrificave të natyrshme për secilin autor aq më shumë për ata të diasporës së afërt e të largët për këtë libër Mustafa ka patur shumë obligime brenda vetes.

E kam ndjekur prej shumë vitesh krijimtarinë e Mustafë Ismailit. Kam lexuar poezinë e tij dhe kam qenë në disa manifestime letrare që ka bërë Ministria e Diasporës në Kosovë dhe më tej Shoqata “Bytyçi” në Tiranë që e ka nderuar atë edhe më Mirënjohjen më të lartë për aktivitetin e tij atdhetar, për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhenë e jep për kulturën tonë kombëtare.

Dhe jam gëzuar si për sukseset e tij. Libra të tilla mund të quhen pa asnjë mëdyshjeje libra sakrifice. Kushdo që ka nisur të bëjë libra të tillë, e ka ndjerë sakrificën që në hapat e parë. Vështirësia e kontakteve me njerëz në kuptimin klasik të fjalës e bën pak të vështirë pasqyrimin e jetëve njerëzore. Interneti të jep pak lehtësi, por ngarkesa e përditshme e privon atë. Libra të tilla në përmasat e tyre, në përmbajtjen e tyre, në ndërtimin e tyre, kanë vlerën e një enciklopedie njerëzore. Jemi mësuar që të shohim në enciklopeditë e botës njerëz të shquar me shumë vepra, dekorata, lavdi të shumta, por libri i Mustafë Ismailit na jep një të vërtetë po kaq të madhe. Edhe njerëz që nuk kanë shtrirje universale, e duan vendin e tyre në histori. Të paktën, në historinë e komunitetit të tyre, të kombit të tyre. Dhe kur ata i gjen në kurbetin e largët jeta e tyre, vepra e tyre merr përmasat e një heroizmi të heshtur. Bëhet më fisnike. Një jete që nuk flet me zë të lartë, po të befason me atë thjeshtësi dhe obligim që ata kanë për familjet e tyre, për shtetin ku kanë shkuar e aq më shumë për kombin e vendlindjen ku kanë lindur e ku janë mëkuar me gjuhën, traditat, zakonet, këngët, legjendat, historitë e më shumë me atë forcë të brendshme që merr njeriu për të përballur sfidat e mërgimit.

E Mustafë Ismaili e di fort mirë këtë Kod jete. E ka mësuar që në hapat e parë të jetës, e më pas në vitin 1999, gati 20 vjet më parë. Besoj se atëherë atij mund t’i kishte lindur ideja për të shkruar. Jo vetëm libra malli, por edhe libra për historinë e mërgimit si ka bërë me romanet e tij.

Por ai nuk e quante të kryer misionin e shkrimit pa këtë libër që kërkon mirënjohjen e shumë brezave, të shumë njerëzve.

Ai po e bën këtë libër edhe pas grumbullimit të përvojës mjaftvjeçare për librat e shkruar. Në një kohë të caktuar jo shumë vite pas botimit të këtij libri, personazhet e tij do i takojnë së kaluarës. Në atë kohë edhe vlera e librit do të rritet edhe më shumë. Se ka një kod tjetër për ata që shkruajnë libra dhe lexuesit e tyre. Testi më i saktë është kjo kujtesë.

Kjo është edhe merita e librit. Me kontaktet që kam me shumë shkrimtarë dhe studiues të Luginës jam njohur në të njëjtën kohë edhe me veprat tyre. Kam njohur historinë dhe legjendat e saj. Kam njohur shpirtin poetik të poetëve të Luginës që është përherë në një vlim të përjetshëm. Është shfrimi i revoltës që ka ende toka e ndarë e saj nga trualli mëmë.

Edhe Mustafë Ismaili është ndër prijatarët e këtij karvani. Edhe larg në Kanadanë që përherë të kujton njëherësh edhe një Ujëvarë të magjishme si ajo e Niagarës, ai është një ujëvarë e dytë e shqiptarizmit në këtë vend. Një nder që ai e ka krijuar me punën e tij, me dashurinë për punën, për fëmijët. Me atë obligim që ka ai për të edukuar fëmijë të mirë dhe me këtë libër që e ngjit atë në maja të reja të talentit të tij.

Libra të tillë kemi parë edhe në troje të tjera jashtë Luginës, por Mustafa i është larguar paksa rrëfimit tradicional. Nuk ndjek vetë një radhitje të fakteve që e bën monoton leximin e tij, por shpesh ka shfrytëzuar edhe intervistën me personazhet e tij. Kjo e bën shumë më të vështirë punën e shkrimtarit dhe i jep librit më shumë vërtetësi.

Është pak që këtë shkrim hyrës për librin e ri të Mustafait ta mbyllësh vetëm me një urim nga ato që jemi mësuar të lexojmë në internet apo në tribuna promovimesh. Libra të tillë të sjellin mirënjohjen që shpesh edhe fjala është e pafuqshme që ta japësh. Për fat të keq, edhe mugon shpesh nga ata që e marrin librin apo nga institucione vendore. Është buqeta e urimeve që nuk mbarojnë asnjëherë për librat e Mustafë Ismailit aq më shumë për këtë libër që besoj se do jetë për të dhe për miqtë e tij “Libri i jetës”.

Libri i tij është shkruar me një gjuhë të pastër letrare gjë që nuk e shohim gjithmonë në librat e autorëve të diasporës. Njëkohësisht ai ka bërë një rrëfim letrar në mjaft portrete që jepen në libër. Vlerë tjetër është edhe pasuria e fakteve që jep për secilin. Natyrisht është pak e vështirë që të vësh vulën e fundit. Mendoj se të tjera libra të këtij lloji do të na sjellë në të ardhmen shkrimtari tashmë i njohur i diasporës shqiptare Mustafë Ismaili.

Libri që më dha në duar Mustafa ishte i veçantë, befasues. Tema e emigracionit sot në Evropë në Azi në Amerikë ka zënë faqet e para të gazetave, të televizioneve, të rrjeteve sociale. Është ulur kjo temë këmbëkryq në mbledhjet e vendeve të ndryshme me fuqi ekonomike ose me popullsi të madhe ose edhe më të vogël. Të gjithë duan ti japin zgjidhje. Japin ide për të nesërmen. Ndërkohë që në dete e në brigje nisen e mbërrijnë tragete, vaporë me refugjatë të mbushr me klithma, me duar drejt qiellit... Besoj se të gjithë lexuesit kanë parë dhe shohin përditë ura. Ura të larta. Ura betoni dhe ura dërrasash. Ura që ngrihen të kalojnë anije. Ura që bashkojnë brigje, fshatra, shtete, ishuj. Ura që më tej bëhen simbole të dashurisë si ndodh në Paris me çelësat që vënë të dashuruarit e botës.

Po komunitetet e emigrantëve në të gjithë botën janë dhe do të jenë ura. Ura të larta të forta, ura kulturash, ura vlerash.

E kam kuptuar këtë nga librat që kam lexuar, por edhe kur preka botën.

Libri i Mustafë Ismailit është urë e madhe e komunitetit të shqiptarëve të Luginës me vendin pritës të tyre Kanadanë. Një libër i ngrohtë, me fjalë të mëndafshta. Me kaq dashuri me kaq mirënjohje. Me kaq poezi brenda tij. Një libër që të ngjall respekt e dashuri.

Një libër për emigracionin është në radhë të parë një respekt për të gjithë kombet që presin këtë shtresë sociale në nevojë. Është i domosdoshëm. Është e motivuar koha që shpenzon. Paraja që harxhon. Është shprehja më e mirë e mirënjohjes që ka dhe duhet të ketë secili emigrant në tokën ku shkon. E në këtë libër të bën përshtypje një kategori personazhesh që ai i quan personazhe nderi. Mjaft interesant është bërë edhe gërshetimi i komuniteteve, pa të cilin nuk do të kuptohej libri. Në një kohë të caktuar kur libri të botohet edhe në gjuhën angleze, do të jetë edhe një mirënjohje më e lexueshme për popullin kanadez, për pushtetarët e të gjithë niveleve të këtij shteti që aq mirë di të ndërtojë ura mes komuniteteve të ardhur në këtë vend.

Një libër kua autori tregon pjekurinë e tij artistike, një libër që e ngre lart edhe në Luginën e tij të luleve, të halleve, të brengave. E libra të tillë të japin në të njëjtën kohë sa e sa kurora. E të gjitha i takojnë Mustafës. Të gjitha!

Tagged under Mustafë Ismaili