Letërsi

Fan Noli - Sulltani dhe kabineti

Shokë, sot kam panair,

Shokë, bëmëni sehir;

Sillni kupat e gostisë,

Sillni shishet e rakisë!

 

Kup' e parë, jam Aga,

Kup' e dytë, jam Pasha,

Kup' e tretë, çpall ferman,

Ngjesh një pall' e jam Sulltan.

 

Jam Ali Qopeku i Parë,

Qen si unë s'kini parë;

Pra, kur leh, dorëtrokitni,

Zbrasni topa e brohoritni.

 

Jam imami e jam dovleti,

Padishahu e Muhameti,

Jam Xhenemi e jam Xheneti,

Kijameti e selameti.

 

Jam xhamia e jam namazi,

Jam zinxhiri e jam kafazi,

Jam budrumi e jam zullumi,

Kush ngre kokën e mërr lumi.

Kush do ligj' e republikë

Me statut e me llogjikë

E ka pisk, dhe ngorth si horr

Në konop si tradhëtor.

 

Jua nisa historinë

Dhe ju solla prokopinë;

Lë pas meje dinasti

Për vazhdim dhe për lavdi.

 

Nukë pata parë-ardhës,

Po ju le një bir pasardhës

Gjurmën time të pasonjë

Dhe vatanin t'a sundonjë.

 

Shkruaj ti, o Bash-Qatip,

Shkruaj mpreht' e me tertip,

Lidhi llomotit e mia

Shkrepi nesër tek xhamia.

 

Ty, Abdull-Jezid Sersem,

Ty të bëra Sadrazem;

Nxir nga burgu çdo rezil,

Çdo kusar dhe çdo katil.

 

Ty, Abdul-Xhahil Nefer,

Ty të bëra Serasqer;

Bjeru armiqve, shuaji,

Thyeji dhe bluaji.

 

Ti, Halim që s'di këndim,

Je vezir për arësim;

Mbylli shkollat, se na nxinë

Me kalemn' e tradhëtinë.

 

Leri hapur medresetë,

Seminaret dhe teqetë,

Po me gjuhët Arabishte,

Hebraishte dhe Gërqishte.

 

Këtë urdhër çpalle me vrap:

Libër, ti llaik, mos hap;

Me Ungjillin dhe Kuranin

Merret Prifti me Imamin.

 

Me këta të dy pastaj

E ujdis Dervish Pashaj;

Papazllar' e hoxhallarë

Janë vllezër të pandarë.

 

O Kalam, kaur bekri,

Ty të bëra Bash-Myfti;

Çpall: Rakia ësht e lirë

Për Myslim' e për Qafirë.

 

O Turgut, o Turk i lik,

Ty të bëra Bash-Patrik;

Çpall: Kauri s'merr dot grua,

Se prej Krishtit u ndalua.

 

Grat' i marrin kapedanët,

Pashallarët dhe Sulltanët;

Dhe kështu bashkohen fetë

Në këtë dhe n'atë jetë.

 

Kështu thot, Ungjill' i Shenjtë

Për të gjithë të mbëdhenjtë:

I ka bërë Perëndia

Të na zerë llahtaria.

 

Ti, Selim, Vezir Kusar,

Ruaj arkën me hanxhar;

Sillm'a plot me çdo çaré,

Merr dhe ti nonjë meze.

 

Çelo, hudhër tarator,

Ty të bëra Ambasador;

Qorr Maliq, o martalloz,

Ty të bëra konçolloz.

 

Ty, Haxhi Domuz evlat,

Ty të bënj Vezir Xhelat;

Lith litar, dhe mpreh sëpatë,

Varrë e ther, po pa shamatë.

 

Vraji, preji kundrështarët,

Si të funtmët dhe të parët,

Se m'a prishnë qetësinë,

M'a çkallmuan mbretërinë.

 

Të pabesët me sevap

Piqi paq si shish-qebap,

Të paudhët me usull

Zieji, bëji si qull.

 

Ty, Onbash, të bënj binbash

Shpejt e shpejt, o dinkardash;

Ty hajdut, të bënj polic,

Vith pa frik' e me shumicë.

 

Ty, Mazllum, o arkadash

Ty të bëra Akçi-Bash;

Ziej çorbë dhe tërhan

Me tenxher' e me kazan.

 

Bëj bollgur e bëj pilaf,

Bostantavë, orman-qebap;

Bëjmë qoftë dhe çomblek,

Paçe e shqemb' edhe byrek.

 

Bëjmë dollma me japrak,

Bëjmë kos e kaçamak;

Pimë mish e pastërma,

Kavurma dhe kapama.

 

Bëjmë imam-bajildi,

Kukurec edhe jani;

Mbush një torbë kashkavall

Dhe m'a lith në kapistall.

 

Bëjmë hallv' e bakllava,

Kadaif e dondurma,

Hyshmeri, muhalebi,

Teleme dhe revani.

 

Bëj simit' e bëj kulaç

Bëj lakror' e bëj syltiaç,

Petulla për çdo mëngjez

Plot me mjalt' e me pekmez.

 

Bëj llokum e bëj hoshaf,

Mos çaj kokën për mastraf;

Këtë pun' e ka Hajdari,

Hesapçiu e taksidari.

 

Mos harro, jam trim dhe ha

Sa një buall dhe një ka;

Pastaj sillmë tri kafe

Dhe dy shishe nargjile.

 

Si të ha, bej temena,

Ngrer-më me një makara,

Më vëndos mi një sofat

Urt' e but' e me rehat.

 

Gjellët siç i kam gëlltitur

Leri, s'duhen kolovitur;

Ndryshe krisa si rufe

Që nga qjelli gjer mi dhe.

 

Kur të shtrihem, nga çdo anë

Vermë nga një shishe pranë,

Vermë kupa dhe meze,

Ndryshe gjumi, or vlla, s'më ze.

 

Posa të lëshonj shkëndija,

Rentni, zjarr m'u ndes rakia!

Vala ujë shtirmëni

Dhe nga furra nxirmëmi.

 

Ty, or Hajrullah Sevda,

Ty të bënj Këzllar-Aga;

Ti haremin m'a përmbush

Plot me çupa sheg' e rush.

 

Sillmë lule dhe burbuqe

Qimezeza, qimekuqe,

Ca të vogla, ca të gjata,

Ca të kolme, ca të thata.

 

Xhan, mos u çudit me mua,

Që të gjitha nuk i dua;

Që të gjitha do t'i mbleth,

Njëzë vetëm do të zgjeth.

 

Atë njëzë, or vlla hadëm,

Ty ta dhashë për hanëm,

Ty ta fala si dhuratë,

Sehir bëje dit' e natë.

 

Ty të çqepi tirania,

Mua hamja dhe rakia;

Që të gjitha, o Perëndi

Na i bën me urtësi.

 

Dhëmp na dhe, tërbohemi,

Çkule, qetësohemi;

Mënt na dhe, çpikim barut,

Dhe ia shkrepim në tabut.

 

Na dhe shpatë dhe kërbaç,

Tani gje-na një ilaç;

Se me luftë pritemi,

Digjemi dhe vritemi.

 

Na dhe brirë mbretërorë,

Na stolise me kurorë,

Na lëshove nëpër dhëntë

Dhe na fluturuan mëntë.

 

Sillmë, o xhan, dhe nja dy kupa,

Sillmë, o xhan, dhe nja tri çupa;

Eni, çupa, hidhuni,

Shkunduni, përdridhuni.

 

Eni, zëmrën ngrohmani,

Eni, mëndjen rokmani.

Zot, nga hyqi s'heqim dorë

Mos bëj dashër me këmborë.

 

(DIELLI, 5 Korrik 1961)