Letërsi

Pёrparim Kapllani: ‘Hajmalia’

Haremi atё mbrёmje vezullonte nga shandanёt shumёngjyrёsh dhe fustanet e grave tё qёndisura me fije ari, por Sulltan Mehmedi II nuk e kishte mendjen aty. Para disa ditёsh Ibrahim Pasha i kishte sjellё njё dhuratё krejtёsisht tё veçantё nga Arbёria e largёt - njё medaljon bronxi, nё tё cilin ishte futur skeleti i njё gishti tё pёrthyer. Sulltani ia ngulte sytё atij gishti misterioz dhe zhytej thellё nё mendime. Vriste mendjen se çfarё vetish tё mbinatyrshme kishte nё tё vёrtetё ajo dhuratё e porositur dhe e sjellё me nxitim? Pёrse kishte mё shumё vlerё sesa njё qyp me florinj? Pse ishte mё e çmuar sesa njё dorezё shpate e veshur me fildish dhe mё tёrheqёse sesa njё vajzё me sy tё kaltёr dhe flokё tё verdhё?! Asnjёra nga kёto lloj dhuratash nuk i bёnte mё pёrshtypje sesa ajo copё kockё e tharё dhe e nxirё, krahasuar me tё gjitha sendet mё tё çmuara nga tё katёr anёt e planetit. Gratё mё tё bukura tё Perandorisё i bёnin fresk. I hidhnin vёshtrime plot epsh, si pёr ta shkundur nga ajo tulatje e pazakontё, nё tё cilёn po lёkundej me orё tё tёra, por sulltanit dukej sikur po i merrej fryma nga ai medaljon misterioz, ku ishte mbyllur me kapak tё tejdukshёm njё fije kocke.

Fjala kishte marrё dhenё e kishte pёrfunduar gjer nё veshёt e odaliskave (virgjёreshave), tё cilat rrallё kishin rastin ta shihnin sulltanin me sy. Reja e thashethemnajёs rreth gjendjes sё mёrzitur tё sulltanit ishte pёrhapur nga konkubinat (gratё vetёm pёr njё natё), tё cilat e kishin marrё njё sinjal nga njёra prej ikbaleve (tё preferuarave tё Sulltanit), qё rastёsisht kishte takuar njёrёn nga katёr kadinet (gratё e ligjshme), por nuk dihej se kё: Emine Gülbahar, Gülşah, Sittişah apo Çiçek Hatun?! Sulltan Mehmedi nxinte e sterronte si kurrё ndonjёherё, sikur tё vuante nga mungesa e oksigjenit, qё nga momenti kur kishte hedhur rreth qafёs atё hajmali. Duart i dridheshin nga njё emocion i lehtё, ndёrsa nё sytё e mёdhenj dhe tё errёt i lexohej padurimi qё e kishte mbёrthyer tё tёrin.

Dy eunukё tё bardhё me origjinё nga Abkhazia u futёn nё odё, sapo dёgjuan kёrcitjen e gishtave nga Valideja Huma Hatun, pёrgjegjёsja e haremit, qё nё tё vёrtetё ishte nёna e Sulltanit. Eunukёt po sillnin me mundim njё tryezё tё madhe, nё tё cilёn kishin vendosur njё qingj tё porsapjekur, tё zbukuruar me zarzavate tё skuqura. Sapo e ulёn tryezёn mbi dysheme, ata dolёn me shpejtёsi nga haremi, pa parё as majtas e as djathtas, nga frika se mos Valideja i kapte duke parё vjedhurazi nё drejtim tё konkubinave lakuriqe. Mehmed Pushtuesit nuk po i bёnin pёrshtypje as qingji i sapopjekur, as vajzat e reja qё kёrcenin gjysёm lakuriq nёn ritmin e dajres, madje as kur Valideja i solli tre djemtё Bayezid II, Cem dhe Mustafa apo bijёn e vetme Gevherhan.  Sulltani i shikonte me ftohtёsi dhe indiferencё, pa thёnё asnjё fjalё, derisa fёmijёt i dёrguan nё dhomat e tyre.

Dhurata e veçantё nga Arbёria po i ngushtohej si njё lak nё fyt, por ai as qё donte t’ia dinte dhe e prekte medaljonin me gishtat e dorёs, si pёr tё marrё ndonjё fuqi tё mbinatyrshme nga ajo fije kocke. Nё Pallat nuk i mungonte asgjё, madje as qumёshti i dallёndyshes. Bukuroshet mё tё pёrzgjedhura kishin pёrfunduar nё oborrin e tij, si dhurata nga qeveritarёt dhe ishin blerё pёr pesё para nga tregjet e skllevёrve nё Evropёn Lindore. Pak nga kёto vajza kishin fatin tё bёnin fёmijё me sulltanin. Vetёm skllavet qё kishin ndonjё farё talenti nё poezi apo aktrim, mund tё shiheshin si shёrbёtoret e mundshme, tё cilat pas pёrzgjedhjes i nёnshtroheshin njё pёrgatitjeje tё rreptё.  Sulltan Mehmedi preku me dorёn e majtё medaljonin, ndёrsa me tё djathtёn u pёrpoq tё hidhte nё defter njё poezi tё cilёn e nёnshkroi me pseudonimin e vet tё parapёlqyer “Avni”. I rilexoi vargjet me zё tё mbytur, por fjalёt iu dukёn pa gjak dhe lёng jetёsor. Poezia i tingёllonte krejtёsisht e thatё dhe pa kuptim. E zhubrosi letrёn dhe e hodhi nё kosh.        

       Valideja kёrciti gishtat pёrsёri pёr tё tёrhequr vemendjen e njё eunuku zezak me origjinё nga Sudani, i cili u shfaq menjёherё nё odёn madhёshtore ku po pushonte sulltan Mehmedi. Eunuku u pёrkul deri nё dhe. U kthye nga Valideja, por pa guxuar t’i ngrejё sytё nga frika se mos padashur me bisht tё syrit kapte atё pamje lakuriqe tё konkubinave qё me dridhjet e tyre trupore pёrpiqeshin t’ia merrnin mendjen Sulltanit. Eunukёve zezakё ua prisnin organet gjenitale qё fёmijё, kurse tё bardhёt vetёm sa i tridhnin. Pёr kёtё arsye eunukёt me ngjyrё ishin mё tё parapёlqyer nga administratorёt e haremit. Valideja i tha diçka nё vesh dhe nё pak sekonda eunuku zezak i futi nё rresht tё gjitha gratё e haremit dhe i nxori pёrjashta.  Sulltan Mehmedi e pa veten vetёm pёrballё Validesё Huma Hatun, e cila me sytё e pёrgjёruar dukej sikur kёrkonte me ngulm njё shpjegim pёr sjelljen e çuditshme tё tё birit.

 “Bir, mё thuaj çfarё ke? Pёrse nuk ke fjetur mё qё nga ajo ditё qё ke vёnё kёtё medaljon nё qafё?” e pyeti me pёrgjёrim Valideja. “A mund tё mё thuash se çfarё ёshtё ajo kockё dhe pse ёshtё aq e shtrenjtё pёr ty? A nuk mendon se kjo kockё tё ka marrё qetёsinё dhe tё ka bёrё gjysёm njeriu? Mё thuaj bir, se çfarё dreq kocke ёshtё ajo?”  

Sulltan Mehmedi e hoqi medaljonin me kujdes nga qafa dhe ia lёshoi Validesё nё dorё. Nёna duhej t’i dinte tё gjitha, derisa kishte sjellё nё jetё burrin mё tё fuqishёm tё botёs. Ai gisht i tharё nuk po e linte tё vinte gjumё nё sy. Kocka e nxirё rigjallёrohej gjatё natёs dhe vishej me mish. Ajo kockё i pёrkiste…

“Ky gisht ёshtё kёputur nga dora e Skёnderbeut! Jeniçerёt i gjetёn varrin nё njё kishё nё Lesh. Ishin tetёdhjetё varre, por mё nё fund gjetёn varrin ku ishte varrosur ky burrё, qё edhe pёr sё vdekuri mё kall frikёn. Mё thuaj nёnё se çfarё tё bёj me kёtё dhuratё kaq tё frikshme?” e pyeti Sulltani dhe nё çast u ul mbi divan nё krah tё sё ёmёs, por Valideja nuk fliste. “Sa kohё ishte gjallё, nuk ia dola dot. Dy herё e udhёhoqa ushtrinё: njё herё mё 1466-ёn dhe njё herё tjetёr mё 1467-ёn. U vura vetё i pari nё vijёn e luftёs dhe çadrat i ngrita nё portat e Krujёs. Pёr muaj tё tёrё u pёrpoqa qё ta mposht, por ai dilte fshehurazi nga kёshtjella e godiste pas shpine karvanet me ushqime. Kur vdiq nga malarja mё 1468-ёn, arnautёt nuk gjenin dot njё komandant aq trim sa ai. Vetёm atёherё arrita mё nё fund ta pushtoj Krujёn, Shkodrёn dhe tё gjithё Arbёrinё. Tani qё po mbaj rreth qafёs njё gisht nga dora e tij, mё duket sikur i ёshtё rizgjuar fantazma nga varri i shqyer dhe po mё mbyt.  Mё thuaj nёnё se çfarё tё bёj me kёtё medaljon. Po ta mbaj, kam frikё se do tё mё mbysё. Po ta hedh, nuk do tё trashёgoj dot trimёrinё e tij… Kam kaq ditё qё vras mendjen dhe nuk di se çfarё tё bёj. Oh nёnё, mё thuaj!” 

       Sulltani Mehmedi i Dytё kapi kokёn me tё dyja duart e qau nё heshtje.  Valideja e mbajti pёr pak sekonda medaljonin e çuditshёm nё duar dhe pastaj e fshehu thellё nё gji. 

“Ma jep t’ia vesh Bayezidit! Ai ёshtё ende i vogёl dhe nuk ka pёr ta ditur se i kujt ёshtё. Kur tё rritet, trimёria e Skёnderbeut do tё ngjizet tek ai. Edhe ti e bёn gjumin tё qetё!” pёshpёriti Valideja dhe me gishtat qё i dridheshin e pёrkёdheli ёmbёl tё birin. 

“Ma hiq sysh!” tha shkurt sulltani dhe fshiu i turpёruar lotёt. Valide Huma Hatun u pёrkul deri nё dysheme dhe eci mbrapsht, duke mbajtur fort dorёn e djathtё mbi gjoks.  Mehmedi i Dytё as qё donte t’ia dinte se çfarё do tё bёnte nёna me atё hajmali tё frikshme. Vetёm t’ia hiqte qё andej njё orё e mё parё, pёrndryshe nuk do ta zinte gjumi. Kur Valideja u largua nga oda, njё psherёtimё e lehtё i shpёrtheu nga gjoksi i madh e leshtor. U kthye pёrmbys mbi divan dhe u pёrpoq tё flinte. Kishte plot njё javё qё nuk kishte vёnё gjumё nё sy dhe trupin e ndjente tё drobitur. Mё nё fund…