Fabul nga Vangjush Saro: HIENA
Ajo i lutej Tigrit ta merrte në gjueti:
“Dua të vij! Dua të vij!”
Por ndeshja nuk qëlloi e lehtë;
përballë qenë dy buaj viganë,
me brirë të frikshëm dhe të mprehtë;
nga pas, rërën e hidhnin shatërvan.
U rrek Hiena të hynte në luftë,
por gjë që s’bëhej, për atë Zot,
mundimi po i shkonte kot.
Dikur i tha partnerit me të butë:
“Shoku, më ndje! Po iki unë;
si të ta them... ashtu e kam një punë.
Ku e gjete këtë luftë sonte?!”
U hoq për t’u rikthyer përsëri,
në një gosti
me çfarë të tepronte...











