Letërsi

Kadare në mes dosjesh dhe tekstesh - Nga Behar Gjoka

Behar Gjoka

Ka vite që në median shqiptare, të shkruar dhe vizive, por edhe në studimet kinse letrare, Kadare, vepra e tij, është vendosur, në një situatë verifikimi të pazakontë. Mjafton të kujtosh faktin se hulumtimin e dosjes së Kadaresë, më saktë të atyre që kanë spinunuar Kadarenë, shumë kohë më parë, e nisi Shaban Sinani. Por në këtë periudhë, të letargjisë së letrave shqipe, e ka zgjeruar me një verifikim, gjoja më të plotë, Dashnor Kaloçi. Kjo rrethanë, e hapjes përgjysëm të dosjeve, me shumë gjasa, e hapjes së anshme, pra duke bërë përzgjedhje, sipas hulumtimeve të kërkuesve të kohëve të ndryshme, e ka pështjelluar situatën e komunikimit me tekstet letrare. Tani, është shtuar numri i atyre që kanë kërshëri për të lexuar dosjet, por është shtuar edhe mllefi, zemërata sa gjuetia e shtrigave, për të evidentuar, kundërshtarët dhe adhuruesit e Kadaresë, jo të veprës, jo të teksteve, ka krijuar një pështjellim etik dhe estetik, gati kozmik, në dukjen formale.

Letërsia shqipe, po ashtu edhe vepra e Kadaresë, gjendet në zgripin e verifikimit biografik, madje të shkallës më ekstreme të mundshme, që po nxorre gjësend nga dosja, të plas në fytyrë gjithë dosjet. Endja në dy realitete, të dosjeve, ku më tepër fle shëmtimi i qenies në kohën e diktaturës, të teksteve, që kanë vlerat dhe mungesat e tyre, në kuptimin që secili i lexon në bazë të shijes, pothujase e ka prishur ekulibrin se çfarë është letërsi, se ku qëndron vlera e Kadaresë. «Hulumtimi» i tejzgjatur në dosje, një kërkim gjysëmserioz e gjysëmshakatar, ka ndihmuar për të përplotësuar mitin e Kadaresë, por ndërkaq ka ndikuar edhe për të larguar vëmendjen nga tekstet letrare, pra edhe nga vepra e Kadaresë, e shkruar në dy kohë, para dhe pas viteve ’90, të shekullit të kaluar. I mbërthyer, apo qarkuar në mbërthimin e dosjeve, nga adhuruesit dhe jo adhuruesit, uroj dhe shpresoj që në marrëdhënie me letërsinë, ta braktisim «luftën e klasave», betejën në mes brezave, tashmë me armiqër të brendshëm. Të gjendur në këtë rrethak, tipik biografik dhe ideologjik, me vetëdije absurde, për nevojat e medias, të shkatërrimit të tjetrit, të asaj situatës së B. Kroçes, ku «tjetri është pengesë për t’u kapërcyer », pra për t’u asgjësuar, ku gjithçka tregon se jemi në vijimin e betejës së zhdukjes së armikut të brendshëm, se me të jashtmin e kemi gjetur gjuhën, i kemi puqur pipat. Zgjatja në kohë, thellimi në humbellat e tjetërsimit, që bartin dosjet, na ka çuar në situatën më absurde të mundshme:

Së pari: Më shumë shkrimtarët, por edhe të tjerët, lëre më sigurimsat, janë marrë me spiunime, me përndjekje, me beteja me mullijntë e erës, e prandaj në pamundësi që dosjet të hapen normalisht, preferohet që të ndahen, copëtohen dhe shqyhen, në copa të mëdha e të vogla, kryesisht për të realizuar gjuetinë e shtrigave.

Së dyti: Ka gjasa që tekstet letrare të kalojnë në plan të dytë, madje studimet letrare, do të duhet të zgjerojnë hapësirën e verifikimit, mbase të ndërrojnë edhe emrin, studime të teksteve të hartuara të dosjeve dhe librave, si tekste letrare.

Së treti: Ka një të mirë, e parë si ana tjetër e medaljes, se zbulon gjithçka, ndonëse në mënyrën më të shëmtuar, zbulon heronjtë e shpifur, idhujt pa krena, zbulon hijet dhe fantazmat e djeshme dhe të sotme, zbulon se ende kemi mbetur në të kaluarën, pra pa të sotme dhe, mjerisht, pa të nesërme.

Së katërti: Duke u marrë me dosjet, kaq gjatë dhe kaq shëmtueshëm, me përzgjedhje dhe njanshmëri, kemi vrarë letërsinë, kemi ikur nga letërsia, kemi bërë që «faji» i autorit, si akt biografik, të shihet si faji i tekstit.

Të vrasësh letërsinë, do të thotë se ke vrarë shpirtin dhe logjikën e shëndoshë, pavarësisht përllomjes që mundet të ketë pësuar. Letërsia, ekzistencën e vet e ka në tekstet letrare. Dosjet zbulojnë karakterin e autorëve, jo të teksteve. Të gjithë nga pak, secilën ditë po punojmë për ta përgojuar, për ta vrarë dhe dhunuar letërsinë, madje për ta vendosur atë në zgripin e vet ekzistencial, se tani e tutje nuk e vlen të merresh me letërsi!

Me të drejtë T. Todorov në librin Letërsia në rrezik, botuar në vitin 2007, njoftonte se çfarë po ngjet me letërsinë në botë, e tingëllimat e atij paralajmërimi janë domethënëse edhe për çka po ngjet me letërsinë shqipe.

Deri kur do të ndërthurim, dosjet me tekstet, etikën me estetikën, apo derisa «pamençuritë» tona, me shumë mundësi marrëzitë e një kohe të turbullt, që nuk ka lidhje me tekste dhe vlerat e shumëfishta që bartin, të gjejnë dritare mediatike për të thelluar prishjet e ekulibreve shpirtërorë, aq sa të humbim shpresën, se ka të nesërme, së paku në art dhe letërsi, që mban ndezur ëndrrën për nesër dhe më tutje...

©Behar Gjoka