Letërsi

Të lindet Njeriu!

Në 80-vjetorin e vdekjes së poetit dhe prozatorit të shquar shqiptar Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla)

Të lindet një njeri 
nga gjin' i dheut tonë të rim me lot të vakët, 
nga thalb' i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët 
për një gen të ri, - 
Të lindet një njeri! 
Pa hyll në ball - por që me fjalë të pushton, 
që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë 
rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë, 
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton. 
Të dali një njeri! 
Të mkambi një Kohë të Re! 
Të krijojë një Epope! 
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re... 
- Të gjithë kombet po dehen n'epopea të veta, 
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat 
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat, 
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta. 
(Liri! - Po, liri dhe gaforrja gëzon, 
porgaforre asht... 
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon, 
jo, liri nuk asht!), 
Të lindet një njeri 
i madh si madhni 
dhe ndërgjegjet tona t'i ndezi në dashni 
për një ide të re, ideal bujar, 
për një agim të lum e të drejtë kombtar.