Letërsi

Një ditë vjeshte si kjo

Nga: Ndue Ukaj

Lajmet e fundit fillojnë si përrallat e bukura:

Na ishte njëherë shpresa dhe qyteti i gëzuar

Tani ka tym, mjegull e gurë pikëllimi.

Njerëzit shëtisin të hutuar.

Pinë kafe bashkë me fantazma

Dhe rrëfehen para tyre si Konstandini kur e sillte Doruntinën te ëma e vet.

Nëpër rrugët e ngushta mendimet janë të ngushta,

Dhe marrin n’ thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.

Na ishte njëherë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.

Tash lajmet na dëftojnë hijet që kukurisin dhe njollosin lirinë.

Përtej horizontit në malet e thepisura

Shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.

Oh! Në një ditë vjeshte si kjo,

Me lirinë e tepruar të imagjinatës

Shoh gra të bukura

Që luajnë me gjethe vjeshte.

Dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh

Si bëjnë plane të mjegullta.

Një ditë vjeshte si kjo,

Njerëz pa skrupuj shëtisin rrugëve të boshatisura.

Ata kanë abortuar lirinë

Dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha.

Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë

Para syve që s’shohin gjë nga mjegulla.

Një ditë vjeshte në fund

Ndala orën dhe përmes dritares

Pashë një qytet të mërzitur

Silueta njerëzish të mërzitur

Gra të mërzitura

Fëmijë të mërzitur

Dhe një grusht politikanësh të lumtur.

(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017)

Tagged under Ndue Ukaj