Letërsi

Profesori dhe shitësja e misrave, vals e tango në dyert e diskos

Nga: Vangjush Saro

Profesor Bedalla dhe shitësja e misrave të pjekura tentojnë të luajnë vals e tango në dyert e diskos*

-Ju, more zotëri, - mori e foli profesor Ndrio Bedalla - doni të më fajësoni mua për një fjalim që ju ka turbulluar, sepse është e vërteta lakuriq në këtë botë të veshur me zhele gënjeshtrash. Ju, byrazer, doni t’i fryni një incidenti që mund të quhet i mbetur në tentativë. Prit o, prit! Në veprimtarinë e Mision-it, ka disa të tilla. Ti s’do ta besosh, ne kemi mbetur me duart përpjetë përpara Bar-Disko-Fatit, sepse pronari i saj na la në rrenë. E ke dëgjuar? E pra, për të gjitha këto, lipset të gjendemi në polici? 

Shefi i bëri shenjë të heshtte, por Ndrio nuk kishte ndër mend të hiqte dorë nga rrëfimi. E dinte zotëria e tij se çfarë dëmi iu shkaktojnë njerëzve këto klube nate, që kanë mbirë gjithkund si kërpudha? Ndotje akustike për të pranishmit dhe tërë lagjen, një në dorë. Probleme me shikimin, për shkak të atyre dritave të mallkuara që fleshojnë kohë e pa kohë, dy në dorë. Pluhur, nga ai i dyshemesë dhe nga ai i bardhi… tre në dorë. Më në fund, vetë dalldia e atij kërcimi majmunësh, sikur të ishim në ndonjë festë të fisit Tu-ru-ru…

Fola me pronarin, për të gjitha këto, tregoi Ndrio Bedalla, ndërsa shefi hapte sytë. I tregova atij pse duhej të ktheheshim në qetësinë dhe intimitetin e kërcimeve klasike. E binda atë, më la një orar për të praktikuar këto mësime e këto vallzime; dhe pastaj më doli fjale. Ndrio Bedalla tregoi më tej se si kishte kërkuar ndihmën e Lumnies për këtë veprimtari. Rri, o profesor, për kokën tate, kishte qeshur hidhët gruaja, duke trazuar me mashë thëngjijtë e mangallit. Më lerë të shes këto misra! Zemra, i qe lutur Bedalla, mos u konfuzo! Ne do të shkojmë të dy, do të shfaqim vetitë e brezit tonë, vallzimet gjithashtu. Tangon. Rumban. Gruaja i kishte dhënë një të fryrë zjarrit, sa të dy qenë përzhitur. Mirëpo profesor Bedalla nuk ndahej. Po valsin, valsin e di? Një hap në të majtë, pastaj gjysmë hapi po andej me të djathtën… Tani, një tjetër në të djathtë, të shtrirë. Rrotullohemi pak, e afrojmë damën nga vetja… Lumnie, duhet t’i propozojmë Botës një jetë më të thjeshtë, por të shëndetshme. 

Profesori vazhdoi t’i tregonte shefit trupvogël se si, më në fund, pas një debati tjetër edhe për punë të veshjes, ia kishte mbushur mendjen gruas të shkonin aty nga mbrëmja te kjo e famshmja Bar-Disko-Fati. Mirëpo, pronari s’u duk, tha zhgënjyes. Këta biznesmenë qypa! Ai dhe Lumnia, që rrinte gjithë kohës kokulur, qëndronin te dyert e klubit, ndërsa një roje përpiqej t’i hiqte qafe. Më kot i thoshte Bedalla se ishin atje me pëlqimin e pronarit, se do të demonstronin një model tjetër dëfrimi…

-Qeveria, - mundi të marrë fjalën sërish polici - nuk do të lejojë që…
-Mirë o mirë, po dëgjomë gjer në fund! - Profesori nuk thyhej - Të thashë që roja ishte pykë?

Hë. M’u desh ta ftilloja pak. E di ti, e pyeta me njerëzi, çfarë është tangoja? Valsi? Ke dëgjuar ti për ndotjen akustike? Hajde, Lumnie, brenda… 
Siç vazhdoi të tregonte Bedalla, ai roja na kishte qëlluar shumë kokëfortë. Veç me profesorin s’e hante dot. Roja shty, ai shty, roja e donte tutje, ai qëndronte stoik dhe i gatshëm për çdo të papritur. Kurse Lumnia ia bënte pareshtur “Qyqja, qyqja!” dhe i lutej të thyenin qafën. Jo po s’e dinë këta, e ngrinte zërin Bedalla. Këta s’e dinë kuptimin e dëfrimit dhe të jetës së shëndetshme. Mos më shty mua! E ka fajin lagjia, që rri sus. Unë të tregoj valsin dhe rumbon… Brenda, Lumnie! Jo po, e fillova tangon që këtu…

Dikush kishte lajmëruar policinë dhe pas pak, ia kishte mbërritur atje një Grup i Gatshëm. Ata i ngritën Ndrion e Lumnien prej aty, për t’i hedhur në një lagje më të qetë. Ju nuk e vlerësoni Tangon, ishte përpjekur t’i sqaronte profesor Bedalla, sepse me zhurmë dhe buçitje, ju mbuloni horrllëqet…

Teksa vazhdonte tregimin e tij, edhe policët e këtushëm e ngritën sërish hopa (!) profesorin dhe e shtynë tutje, duke mos i dhënë asnjë mundësi për ta përfunduar ngjarjen e bujshme te Bar-Disko-Fati.

 

*Fragment nga romani “MISIONI”/ Amazon, 2017

Shënim: Romani "Misioni", si dhe "Kurora e Ballkanit", publikuar në Amazon, mund të porositen online, duke klikuar në emrin e autorit ose titujt, si dhe disa pak hapa më tej…