Alban Bala: Sa shumë yje ranë sonte!
Sa shumë yje ranë sonte!
I numërova të gjitha rrahjet e humbura të zemrës
Hijet e gishtave mbi tryezë janë gjithnjë e më të thyeshme
Për të të prekur...
Kam zgjedhur t'i iki gjumit, ëndrrave
Me qiellin flas me morse polare
I bindur se jam një shkëndijë e mbetur
Nga një yll i shuar para se ti të njihje zjarrin
Para se të shkëlqeje në ethen kozmike
Të dritës, magjisë qiellore, mallit...
Syte e mi janë dy kasolle që digjen
Në majë të malit...
Tash nata po bie mbi gjunjët e detit
Në brigje të epshëm dallgesh
Unë numëroj rrahjet e zemrës që heshtin
Dhe diejt që fiken si fjalë...











