Çmimi special
- Nga: Vangjush Saro

(Fragment nga romani “Kurora e Ballkanit”/Amazon 2016)
...Një nga momentet më interesante të Festivalit, ishte fjala e Zylyfit. Ai donte të vinte në dukje, siç ta thashë njëherë, që kishte marrë nga komuna Çmimin Special Shoqëror për Kontribut Kulturor dhe Arritje Bashkëkohore në Lëmin e Poezisë Mbarëshqiptare. Me të drejtë i shkreti. Mirëpo, pak e gjatë kjo emërtesa. Kështu, Zylyfi, i emocionuar, ia filloi:
-Të nderuar kolegë, mikpritës e bujtës, falemnderit që ma dhatë fjalën, por duke pasur parasysh që këto ditë komuna, vendlindja të themi, më ka nderuar mua me Çmim Special për Kontribut Bashkëkohor dhe Arritje Shoqërore... Jo! Bashkëkohore. Prit! Mbarëkombëtare...
Nja dy zunë të qeshnin. Nuk kishte si të mos ngatërrohej; aq sa zgjati ajo frazë. Edhe Hoze Saramago të qe... Por Zylyfi është mjaft i duruar; ia nisi nga e para, duke ua ndërruar vendin fjalëve:
-Të nderuar kolegë, mikpritës e bujtës, meqë këto ditë komuna më ka akorduar mua Çmimin Special Shoqëror në Lëmin e Poezisë Bashkëkohore... Më falni. Të nderuar kolegë, miq edhe brejtës, ashtu bujtës, meqë komuna e nderuar këto ditë më ka nderuar mua me Çmimin e nderuar... Të dashur kolegë! Ky Çmim Special për Kontribut dhe Arritje Shoqërore... T’ëmën, e ngatërrova prapë. Të dashur kolegë poetë! Çmimi Special Shoqëror për Kontribut Bashkëkohor Kulturor...
Tani kukurisjet ia behën sheshit. Epo, edhe do të qeshnim pak. Për fat, unë u ndodha aty pranë dhe më shkoi mendja t’i jepja një dorë. Lëre atë çmimin, i dashur, vazhdo me poezinë. Po pse dëgjonte Zylyfi! O ta merrte vesh Festivali çmimin që i kishte dhënë atij komuna, o s’ka!
-Të nderuar kolegë! Vjersha që po sjell në këtë tubim madhështor, fill pasi komuna më ka akorduar mua Çmimin Special Kulturor... Shoqëror... Epo kjo! Vjersha që po sjell në këtë tubim madhështor që përkon me Çmimin Special Kulturor për Kontribut Amator... Bashkëkohor... Çmimin Kulturor për Kontribut Special...
Ranë përmbys së qeshuri të pranishmit. Dhe vetëm Zylyfi vazhdonte të fliste serioz dhe tepër i preokupuar për klasifikimin qartazi të...
-Çmimit Special Kulturor Shoqëror... Sepse vjersha me të cilën vij në këtë festival kur sapo më është akorduar Çmimi Special Kulturor... nga komuna... Shoqëror... Special... Këtë e thashë njëherë...











