Letërsi

Nëna foto nuk ka

Nga: Petrit Ruka

Nëna foto nuk ka veç asaj të pasaportës

që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.
Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin 
për robërit e tij
deri lart në mal...

Ja sa ta të rris dhe këtë fëmijë 
unë e mjera,
sa t'i ndërroj këto këpucë të vjetra,
fotografi nuk kaloj më kurrë asaj ane...
qyteti më tej katër kilometra...

Kur rriti mua, të gjashtin, rrudhat
i kishin zbritur hartën e Shqipërisë 
nga balli tek mjekra,
po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;
"Ç'e dua një foto tani... unë e zeza?!"

E u nis një ditë pa foto për Andej,
ku nuk bëhen dot shkrepje
në errësirën e Hadit.
Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,
ta filmoja të plotë ironinë e fatit...

Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër
dhe kroi i fshatit 
të bukurës sime,
po unë si t'i mbledh, se ato shkuan në det,
i bëri kripa e lotit cipë e thërrime...

Një aparat dymijë euro 
tani mbaj në studio
dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,
mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto
një foto nga ato që bota s'ka parë...

Tagged under Petrit Ruka