Letërsi

'Djalli komik'-Roman i ri nga Zija Çela

Fragment nga romani:

 Gjatë gjithë seancave të nxehta, që e mbajtën në trysni qytetin tonë, pa pranuar avokat dhe pa asnjë prapamendim për apelimin e dënimit, Aranit Lumbardi mori përsipër gjithë sa kishte ndodhur. Me pak përjashtime, të akuzuarit e tjerë i shpëtuan ndëshkimit me burgosje, duke u dënuar me gjoba financiare dhe shërbime prove.
Kur po e nxirrnin nga gjykata, siç do të pohonte Atë Kurjeli, i cili e ndoqi ngjarjen në ekran, ai dukej sikur po u thoshte bashkëqytetarëve të tij: “Unë do të kem sërish paqe, vetëm kur ta di se ju jeni mirë, mirë trup e frymë.” Mirëpo ata që prisnin jashtë dhe e shihnin drejtpërdrejt, patën tjetër ndjesi. Meqë kishin besuar vetëm në një vendim, lirimin në sallë, ata nuk po u besonin syve: “Lartmadhëria në hekura?!” 
Ishte e çuditshme si ndihej vringëllima e hekurave, megjithëse për t’ia mbuluar prangat, shoqëruesit me uniformë i kishin hedhur xhupin dimëror mes duarve. Shì në tremën me kolona bazalti, zoti Lumbardi u dha krahëve përpjetë duke e flakur plaçkën dhe, pasi bëri zap pështjellimin e tij, iu drejtua turmës përballë:
- Doni ta dini? Unë, unë jam fajtori! Por vetë faji është i tjetërkujt.
Kur sëmundja misterioze u bë më kërcënuese dhe njerëzit po kërkonin të largoheshin nga Horketa, si prej një zone lufte, katër qytetet kufitare vendosën të mbroheshin së bashku kundër nesh, pa iu skuqur faqja për tejkalimin e forcës. Nuk di përse, përfaqësuesit e nivelit të lartë zgjodhën për takimin zyrtar një zonë neutrale. Ata u mblodhën rreth njëzet e pesë kilometra larg qytetit të Fierit dhe, pas diskutimeve të gjata, dolën me një dokument, që mori emrin e fshatit ku u hartua: Traktati i Marrëveshjes Shegan. Lajmet bënë të ditur të gjitha procedurat e reja, lehtësitë dhe kufizimet e lëvizjes në territoret e Unionit, si dhe rregullat shtrënguese për emigrantët. Me të hyrë në zbatim marrëveshja, në kohën më urgjente dhe më globaliste, ne u ndjemë menjëherë të izoluar, sepse të tillë e kemi pozicionin gjeografik.
Në veri Horketa jonë kufizohet nga Segardi, që e mban veten si Stalingradi i L2B (Luftës së Dytë Botërore), ndonëse dy pushkë ka shkrehur kundër nazistëve dhe tri kundër fashistëve. Në jug është Likava, që për disa tingëllon si Varshava, për të tjerë si Bratislava. Sa për kufirin lindor, në Horketa flitet gjithë pezmatim. Me të pyetur ku bie Vitistani, asnjë grimë nuk vonon përgjigjja: “Atje ku pëlcet bostani!” Ndërsa fqinji perëndimor shtrihet deri në brigjet e detit. Dhe ky, në tërë rajonin përreth, është superfuqia. Por as ne nuk e fshehim, Hamivurgu na duket shpesh si Hamburgu. Ka që thonë si Strasburgu, madje për shkak të lumit edhe si Salzburgu. Por në të gjitha portat hyrëse, vetë autoritetet e atjeshme janë mjaftuar me tabelat “Hamivurg City”.

 ***

Rudolf MARKU: Përmes karakteresh të individualizuara, të besueshme e të prekshme njëherësh, edhe kësaj here Zija Çela vjen me një roman gjithëpërfshirës: realiteti moral, psikik, shpirtnor, dramatik e grotesk i Shqipërisë, por edhe ai i Europës e më gjërë. Simbolizmi nuk e ka penguar autorin që të jetë thellësisht realist. 
“Djalli komik” është ndoshta më i ngjeshuri në korpusin e Zija Çelës. Por paradoksalisht, duke qenë më kompakti, është edhe më i shtriri si intensitet emocional e figurativ, më simboliku dhe njëkohësisht më realisti. Është roman i shkruar me vetëkontroll të admirueshëm dhe natyrshmëri të shpengueshme. Një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë.

Mehmet KRAJA: Me “Djallin Komik” Zija Çela ka ndërtuar ekuivalentin fiktiv më të plotë, njëkohësisht më dërrmues dhe më parodizues të botës shqiptare. Ai e ribën realitetin sipas hierarkisë së kategorive politike, sociale e morale, për ta kthyer më pas në një parabolë ironike tronditëse, me shumësi kontekstesh e situatash, me personazhe dhe heronj të papërsëritshëm, të cilët sado fantastikë që të duken, komunikojnë në mënyrë të mahnitshme me realitetin tonë dhe derivatet europiane. 
Rëfimi është ai që mbizotëron prozën e Zija Çelës. Rrëfim i zhdërvjellët, alegorik, meditativ, me depërtime gjuhësore në shtresime kuptimore të panjohura dhe të paprovuara për prozën tonë. Zija Çela është shkrimtar që ka njohur mundësinë e pafundme të shkrimit alegorik. Proza e tij, e dëshmuar në një sërë veprash, është arritje kulmore e letërsisë shqipe.