Gjithmonë diçka mungon-Nga Ndue Ukaj
Njerëz me fytyra të zbehta shtrëngojnë paqartësinë.
Ata kërkojnë diçka, sepse gjithmonë diçka u mungon.
Pas këtij shiu të zymtë si pikëllimi, nesër ka mundësi që dielli kthen shikimin,
dhe ne vazhdojmë mosmarrëveshjet tona - kërkimet tona.
E sheh: dielli sërish thyhet nëpër kodra dhe lind diku tjetër si një rrëfim i ri shprese.
Megjithatë ti heshtur si paqja qiellore
kërkon rrugëve të botës.
Kërkon Itakën
ose Penelopën e shtrirë me dëshira të paqarta,
kujtime të trishta dhe net pa gjumë.
Një tokë të premtuar
Ku do ta vendosësh kokën tënde e dhimbjet e tua.
E çka gjen?
Rrugë të mjegullta,
Tokën e Premtuar mbushur me gjarpërinj.
Ku s’ka tamël, mjaltë - as vend për këmbën tënde.
Gjen shtëpinë e pagjumësisë
ku shoshiten ëndrrat,
ku haen ëndrrat dhe shpjegohet lumturia.
Ti gjithmonë kërkon diçka,
dhe harron se gjithmonë diçka të mungon;
Të mungon rruga drejt cakut apo Itaka ku do të kthehesh.
Atje ku pret e trishtuar një grua
dhe një qen që fle i trazuar pranë këmbëve të saj.
Ti gjithmonë pret diçka,
Dhe harron se gjithmonë diçka të mungon:
Shtëpia e ëndrrave dhe treguesit e lumturisë.
Ti kërkon rrugën drejt cakut,
E të duket vetja leckaman i gjuajtur me gurë.
Sepse ti gjithmonë kërkon diçka ndryshe,
Për shembull: një njeri pa syza të urrejtjes.
Por gjen një rrugë dhe një kryq.
Ta japin kryqin e gozhdat t’i dorëzojnë,
E me to duan të mbysin miq dhe armiq.
Sepse ti gjithmonë kërkon diçka
Dhe harron se gjithmonë diçka mungon.
(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017)











